Opinione

Moslejimi i referendumit serb në Kosovë mbron sovranitetin - Nga Jusuf Buxhovi

Reagimi i krerëve të insitutucioneve më të larta të shtetit të Kosovës karshi ambasadorëve të vendeve të QUINT-it, që kërkuan mbajtjen e referendumit serb në Kosovë dhe që lidhet me ndryshimet kushtetuese në Serbi, është i drejtë dhe në përputhje me sovranitetin shtetëror të Kosovës, shpeshherë të nëpërkëmbur gjatë këtyre viteve nga politikanët e Kosovës,  në raport me Serbinë.

Me këtë rast, arsyetimi i krerëve të Kosovës se "qytetarët serbë të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse", është në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare që praktikojnë në raste të tilla vendet europiane.

Andaj, veprimi ndryshe, pra i hapjes së qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës, siç u tha, përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare. Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës.

Qëndrimi i prerë i krerëve të institucioneve më të larta të  Kosovës, që është i pajtueshëm edhe me atë të opozitës, gjë që paraqet një sukses të skenës politike për të qenë bashkë te çështjet madhore të interesit të shtetit, është hap i drejtë dhe më se i duhur që Kosova, më në fund,  përkundër dëmeve të pësuara nga politika e deritanishme, të demonstrojë gatishmërinë për mbrojtjen e sovranitetit shtetëror edhe në rrethanat kur faktori ndërkombëtar kërkon "kompromise", siç thuhet në kërkesën e vendeve të QUINT-it, "për të çuar përpara dialogun midis Kosovës dhe Serbisë", paçka se në një hap vazhdohet praktika e zëvendësimit të predikatëve shtetërore me ato të toponomistikës (dialogu Beograd-Prishtinë në vend të Kosovë-Serbi),  diskurs  ky duhet përjashtuar dhe refuzuar nga kushdo që vjen!

©Jusuf Buxhovi