Opinione

Mos protestoni në Ottawa! - Nga Alban Rrahmani

Ne si komunitet shqiptar në Ottawa vazhdojmë të jemi pjesë integrale e qytetit por edhe e shtetit pasi që një numër i madh i komunitet udhëheqin biznese të suksesshme dhe po ashtu janë pjesë e administratës në nivele të ndryshme shtetërore.

Protesta është e shenjtë dhe e drejtë elementare e çdo individi, mirëpo kjo protestë e organizuar në këtë formë dhe nga këta organizatorë, nuk duhet të përkrahet nga komuniteti ynë.

Unë në fakt dola në qytet për ta parë gjendjen nga afër dhe vërejta shumë gjeste e shenja të cilat shprehnin urrejtje ndaj politikanëve të caktuar, komuniteteve pakicë dhe ngacmime ndaj atyre që nuk mendojnë si ata.

Është e vërtetë që masat e jashtëzakonshme duhet të përdoren në raste të caktuara, me orar të caktuar më pak se dy javë, për të lejuar qeverinë të përgatitet për zgjidhjen e problemit të caktuar.

Vazhdimi i masave pafundësisht pa një plan veprimi dëshmon paaftësinë e organeve shtetërore që të gjejnë zgjidhje.

Por nuk është vetëm shteti ynë i vetmi që aplikon masa të tilla. Shumica e shteteve të botës po veprojnë kështu, pasi që po luftojmë kundër një armiku të përbashkët. Për shembull masat anti-Covid në Kosovë janë shumë më të ashpra duke përdorur orën policore dhe duke kërkuar çertifikatë për tre doza të vaksinës ndër të tjera, dhe askush nuk proteston.

Si përfundim, është shumë më efikase t'i dërgosh një letër deputetit të zonës zgjedhore.

©Alban Rrahmani