"Llogjet" pa bereqet dhe mendimi i injoruar qytetar - Nga Artan Fuga

Ekziston në një raport reciprok midis demokracisë dhe dialogut demokratik ndërmjet aktorëve politikë, midis përfaqësuesve të pushtetit dhe qytetarëve dhe midis vetë qytetarëve. E vërteta është se midis tyre ka një lidhje të brendshme. Nuk ka demokraci të qëndrueshme pa një dialog të vërtetë në shoqëri, i cili të formojë vullnetin e përgjithshëm qytetar, që është edhe mekanizmi legjitimues i shtetit të së drejtës. Sikurse nuk mund të ketë dialog të vërtetë në shoqëri jashtë institucioneve demokratike.
Dialogu i pushtetit me shoqërinë nuk mund të marrë as formën e një sondazhi sociologjik pa legjitimitet dhe të pabesueshëm për të matur opinionet e qytetarëve, nuk mund të konceptohet as edhe si një libër ankesash dhe vërejtjesh të klientit që gjendej dikur në njësitë tregtare të kohës totalitare. Nuk mund të konsiderohet dialogu qytetar si një mekanizëm marketingu.
Nga rezultatet e kërkimeve shkencore në Shqipëri, të panjohura sigurisht nga politika, del një e vërtetë me një shkallë shumë të lartë besueshmërie. Sipas saj dialogu demokratik, ai që kryhet brenda shtetit të së drejtës është bllokuar, dhe format e komunikimit social në hapësirën publike nuk kanë asnjë impakt mbi politikën, qeverisjen dhe mënyrën e funksionimit të shtetit. Demokracia është bërë pa dialog dhe dialogu është bërë pa demokraci.
Nga analiza e hollësishme e kurbës së evoluimit shoqëror në Shqipëri, konstatohet lehtësisht një paradoks për këdo që ka kujtesën historike të kësaj kurbe. Në kushtet kur pasi janë bërë hapa drejt integrimit evropian, sa më shumë afrohet koha për të bërë një hap tjetër qenësor, sikurse është çelja e bisedimeve për integrimin, aq më tepër janë krijuar situata të brendshme kontradiktore me respektimin e standardeve për integrimin evropian të vendit.
Sa më tepër vendi i afrohet një pike mbërritjeje drejt integrimit evropian, aq më tepër institucionet e tij kanë pësuar një përkeqësim, i cili ka shërbyer edhe si pengesë formale e deklaruar për vonesa në këtë proces. Ky proces integrimi po i ngjan një ekuacioni ku nocioni i limitit na jep metaforën e afrimit në një pikë ku nuk mbërrihet kurrë sepse vetë afrimi drejt saj e shpërbën procesin.
Sa më shumë shtrëngohen afatet e integrimit evropian, aq më shumë janë shpërbërë ose ka rënë cilësia e përfaqësimit dhe e legjitimitetit e shumë agjencive të pushtetit në Shqipëri. Kuptohet që në këto kushte që integrimi evropian është vonuar dhe sa më tepër është vonuar, aq më shumë janë shtuar premisat që ai të vonohet edhe më shumë.
Këtu unë ndaj pesë faktorë kryesorë:
Së pari, që vetë Evropa e ka pasur gjithnjë e më shumë të pamundur për t’u zgjeruar në kushtet kur ajo nuk ka brenda saj një opinion publik të favorshëm për ta bërë këtë hap.
Se dyti, Ballkani si rajon ka ndërthurur brenda vetes aq shumë konflikte, konflikte interesi, paqëndrueshmëri dhe zgjon aq shumë interesime jashtë-evropiane saqë përbën në diversitetin e vet një zonë me probleme për t’u integruar.
Së treti, vetë Shqipëria ka njohur procese restauruese të autoritarizmit që janë bashkëshoqëruese të revolucioneve demokratike sidomos pas dhjetë a pesëmbëdhjet vjetësh nga realizimi i tyre. Kjo ka bërë që standardet demokratike në vend të kenë probleme të spikatura.
Së katërti, kemi ikur tashmë nga ajo kohë e viteve ’90, kur fuqitë demokratike të botës ishin konvergjente dhe të interesuara bashkarisht për ta bërë që Ballkani të ecte në drejtim të demokratizimit duke lënë pas të shkuarën komuniste. Nisur nga vitet 2000 e këtej njihen raste kur pozicionet, politikat dhe strategjitë shprehura midis fuqive perëndimore nuk kanë qenë konvergjente çka ka bërë që procesi i demokratizimit dhe i integrimit evropian të njohë vështirësi të pakalueshme.
Së pesti, vetë shoqëria shqiptare ka qenë në një rrjedhje emigruese jashtë vendit që ka dobësuar opinionin publik vendas dhe bashkë me të edhe presionin qytetar mbi pushtetin. Me pasoja ka qenë edhe rritja e nivelit të korrupsionit dhe trafiqeve që kanë ardhur në rritje.
Si përfundim kemi arritur në një pikë kur pavarësisht disa sondazheve të vjetra dhe të dyshimta, një pjesë e madhe e popullsisë ka humbur besimin në proceset demokratizuese dhe në integrimin evropian të vendit, ky dyshim, nëse do të përdorja një eufemizëm, është shprehur hapur në këto dy vjet nga vetë përfaqësuesit e pushtetit, pastaj ka një mosbesim të rritur nga ana e qytetarëve për institucionet e vendit.
Kjo situatë solli edhe një tension midis demokracisë dhe dialogut qytetar. Nëse dialogu qytetar, ose ndryshe zëri i qytetarëve do të vinte në mënyrë të lirshme dhe autentike, ai do ta vinte në vështirësi qeverisjen dhe të gjithë klasën politike të vendit. Por, nëse ky dialog do të ndalohej, ose nuk do të gjendeshin forma artificiale të dialogut me qytetarët, forma fallco komunikimi me ta, atëherë kjo do t’i hiqte nga ana tjetër çdo lloj legjitimiteti shtetit që pretendohet nga klasa politike se është shtet i së drejtës. Pikërisht në këto momente dialogu dhe konsultimi me qytetarët doli jashtë kuadrit të institucioneve demokratike dhe nuk u strukturua brenda tyre.
Edhe njëherë theksoj se ka studime shkencore empirike dhe të kuantifikuara që nuk njihen nga politika që tregojnë zëvendësimin e dialogut brenda institucioneve demokratike që çon në përmirësimin dhe në funksionimin normal të tyre, me një gjoja dialog dhe gjoja konsultim, i cili nuk ka të bëjë thjesht me qeverisjen, por shprehet si raport i përgjithshëm i çekuilibruar midis qytetarëve dhe politikës në përgjithësi, midis qytetarëve dhe institucioneve shtetërore.
Po marr në konsiderata disa nga këto rezultate:
Është përkeqësuar informacioni masiv që i drejtohet qytetarëve nga ana e mediave. Mediat që për shkak të një ligj arkaik më shumë shpërndajnë një përmbajtje të politizuar, propagandë dhe produkte marketingu politik, sesa informacion të vërtetë për mirë-informimin e qytetarëve. Për të mos u zgjatur te fakti që zëri qytetar nuk përcillet më në media. Pa një reformë të plotë të medias është e kotë të shpresohet se ajo do t’i shpëtojë prirjeve përkeqësuese të informacionit që vijnë nga monopoli në media dhe përqendrimi pronësor artificial i tyre. Media dhe politika sot në Shqipëri janë e njëjta gjë.
Partitë politike kanë monopolin mbi Kuvendin e Shqipërisë, pra mbi pushtetin legjislativ dhe ky i fundit ka kontrollin mbi drejtësinë, qeverinë, mediat, ekonominë, institucionet e tjera kushtetuese. Por mbi të gjitha Kuvendi kontrollohet nga partia që ka shumicën. Me këto mbaroi dialogu midis pushteteve kryesore në Shqipëri sepse këta pushtete kanë humbur pavarësinë midis tyre. Ata ose bëjnë monolog midis tyre ose përjashtojnë njeri tjetrin.
Partia dhe lidershipi i saj duke kontrolluar Kuvendin dhe të gjithë institucionet shtetërore e ka bërë ndarjen e pushteteve krejtësisht artificiale. Mjafton të shohim marrëdhëniet midis kryeministrave dhe presidentëve në këta tridhjet vite dhe sot, për t’u bindur lidhur me këtë. Ndërkaq partitë politike jo vetëm kontrollojnë me anë të kryetarëve grupin e deputetëve të tyre, por partitë kryesore parlamentare kontrollojnë edhe Kodin Elektoral. Ka edhe një monopol të opozitarizmit në Shqipëri sepse partia opozitare me anë të Kodit Elektoral përjashtohet nga shumica, por edhe përjashton që ndonjë opozitë të re ta konkurojë.
Kështu pa një raport tjetër mes pushteteve, pa një standard të ri juridik të statuteve të partive politike, që janë në thelb të organizuara në mënyrë staliniste dhe monolitike, pa një rikonceptim të marrëdhënieve midis partive politike dhe deputetëve të tyre, si edhe pa një reformë të Kodit Elektoral duke u dhënë atyre që zgjidhen barazi ligjore, as nuk mund të mendohet që të rivendoset dialogu dhe konsultimi demokratik në institucione që janë partitë politike, Kuvendi, grupet parlamentare dhe aktorët politikë të shoqërisë civile.
Nuk bëhet fjalë për referendume që askush nuk imagjinon se mund të bëhen, zëvendësuar me sondazhe sociologjike shtetërorë krejtësisht jolegjitimë, madje të paligjshëm, por po të shohim se edhe konsultimi qytetar, thënë hapur, votimi në Shqipëri, ka shumë boshllëqe juridike demokratike. Votuesi voton kryesisht listën e kandidatëve sipas radhës që vendos kryetari i partisë. Vota është e pakontrollueshme nga vullneti i votuesit duke humbur kështu vlerën e vet autentike. Ajo është e lirë, por e shtrembëruar.
Me reformën e pushtetit lokal dhe që u quajt e territorit, demokracia lokale mori një goditje të madhe. Likujdimi i komunave veçanërisht në zonën rurale bëri që vullnetin e qytetarëve me banim në zonat rurale ta shprehë një elitë burokratike e zonave qëndrore urbane, që në shumë raste janë individë që caktohen nga partitë në nivel qëndror, ose janë individë të punësuar në administratën e lartë të shtetit.
Vullneti lokal i qytetarëve, u bë i vështirë të shprehet, sepse tani në vendimmarrjen bashkiake janë përfshirë edhe zonat rurale dhe ato urbane, gjë krejt e pamendueshme në secilin vend europian të marrë në konsideratë. Imponohet pra edhe një reformë e pushtetit vendor. Dhe të gjitha këto brenda një arsimimi i cili në shumë sfera të tij ka si rezultat krijimin e një papunësie intelektuale në kuota që për degë studimesh shkojnë edhe në 100 përqind të të diplomuarve, me kërkim shkencor të rrënuar, me një Akademi shkencash që merr alokime autoritare nga qeveria, në mënyrë monopoliste dhe i harxhon për projekte pa asnjë oponencë.
Debati shkencor në vend u bë i paqenë dhe rezultatet shkencore në asnjë rast nuk merren në konsideratë as nga qeveria dhe as nga Kuvendi i Shqipërisë si ekspertiza për hartimin e ligjeve. Pa një reformë pra edhe në arsim as nuk mund të mendohet se vendi do të arrijë të ketë një lloj tjetër mendimi veç atij që bazohet në opinione politike të sipërfaqshme dhe me konflikt interesi me të mirën publike.
Kjo është tabloja që sot paraqesin në Shqipëri ato rezultate kërkimi shkencor që bëhen në ndonjë cep të hapësirës publike, të injoruar nga pushteti, madje edhe nga opozita. Do të mendoja se vetëm aty kush dëshiron dhe nuk luan do të gjente të vërtetën mbi atë gjendje ku është distancimi midis shtetit dhe vullnetit qytetar, midis politikës duke përfshirë dhe opozitën dhe mendimit racional në Shqipëri. Politika ka bërë që të çstrukturohen të gjitha komunitetet që mendojnë në vend.
Intelektuali i kthyer në një mësimdhënës, gjyqtari i vendosur prej kohësh në influencat e korrupsionit dhe prej vitesh tanimë nga kërcënimi i vettingut, nëpunësi dhe ekspertiza administrative dhe teknike zëvendësuar nga funksionari politik, të gjitha këto e kanë rrënuar dialogun demokratik, efikas dhe konstruktiv.
Përfundimi është thënë shkurt se dialogu qytetar duhet të hyjë në institucionet e shtetit dhe politikës, në të gjitha nivelet. Përndryshe do të kemi pushtete që i largohen qytetarit dhe qytetarë që i largohen pushtetit në një degradim të vazhdueshëm, i cili do të mbulohet me terminologji dhe propagandë demokratike.
©Artan Fuga