Blog

Replikë për Albin Kurtin me ish-mikun tim, shkrimtaro-politikanin Blushi - Nga Adriatik Dosti

 

Ma tërhoqi fort vëmendjen sot një goxha shkrim i Blushit, postuar në faqen e tij të Facebook-ut me titullin “E pse qenka i ndershëm Albin Kurti...”

Të them të drejtën, shkrim më të poshtër të një shqiptari të Shqipërisë ndaj një shqiptari të Kosovës nuk kisha lexuar deri më sot.

Fill pasi e lexova këtë paçavure, që me siguri do të ketë çuar në ekstazë dy armiqtë e betuar të Kosovës e veçmas të Kurtit - Vuçiçin e Beogradit dhe Ramën e Tiranës - s’di pse s’m’u hoqën nga mendja ato fjalë të arta të Konicës për ne shqiptarët: “E keqja më e madhe shqiptarit i vjen pikërisht nga shqiptari.”

Po ashtu edhe ai pohim i drithërueshëm i At Zef Pllumit në librin e tij akuzë “Rrno vetëm për me tregue”, ku përmes një dhimbjeje të thellë pyet: “Si ka mundësi që një vend kaq i vogël sa ky i yni të prodhojë kaq shumë rrugaca?”

Dhe meqenëse kishe shkruar aq shumë për të na bindur se Albin Kurti nuk është askund i ndershëm, unë, disi më shkurt se ti, e jo në rolin e avokatit mbrojtës të kryeministrit të Kosovës, por thjesht si një shqiptar i ndershëm, patriot, atdhetar, nacionalist, demokrat, antikomunist dhe si një penë që kurrë Shqipërinë nuk e kupton, nuk e pranon dhe nuk e koncepton dot veçmas pa Kosovë e Çamëri, po të përgjigjem...

Albin Kurti, o Blush, është minimumi më i ndershëm se ti, të paktën në të gjitha drejtimet, e veçmas si shqiptar e si politikan, për 1001 arsye:

-Është i ndershëm sepse deri më sot është i vetmi politikan shqiptar që i ka treguar vendin kriminelit serb Vuçiç.

-Është i ndershëm sepse ia ka vënë kufirin tek thana antishqiptarit Edi Rama, duke mos e lejuar të fusë hundët në punët e Kosovës.

-Është më i ndershëm se ti e se ju, o Blush, sepse Albini dhe populli i tij e duan Bashkimin Kombëtar, ndërsa ju vdisni për Përçarjen Kombëtare.

-Albini është shërbëtor i vendit të tij, ndërsa ju keni lindur e do të vdisni këlyshë e shërbëtorë të serbit e të grekut.

-Është më i ndershëm se ti e se ju sepse ai e do me jetë vendin dhe popullin e vet, ndërsa ju prej kohësh e keni tradhtuar, shitur dhe vjedhur Shqipërinë, duke i përzënë shqiptarët dita-ditës nga atdheu i tyre.

-Është i ndershëm sepse ka bërë dhe po bën Shtet, ndërsa ju e shndërruat Shqipërinë në xhungël.

Jo gjithmonë Amerika ka të drejtë, o Blush, dhe këtë e pohojnë edhe vetë amerikanët, të cilët thonë se Amerika nuk ka as miq e as armiq, por ka vetëm interesa. Apo kur pranojnë se ta kesh Amerikën mike është e frikshme, por ta kesh armike është e tmerrshme.

Jam mëse i sigurt se edhe ti vetë, o Blush, i di të gjitha këto, por soji dhe lloji yt është gatuar i tillë që as guxon t’i mendojë, e jo më t’i thotë publikisht.

Se po linde në furrikun e lepurit, lepur do vdesësh!

-Albini, o Blush, është i ndershëm sepse nuk ka vilë në Dardhë si puna jote, as llogari bankare të fshehura në emrin e gruas, siç është rasti yt.

-Është më i ndershëm se ti, sepse nuk ka ndërruar 100 parti politike siç ke bërë ti në mënyrë banale.

-Është i ndershëm sepse nuk është hajdut si puna e 90% të kolegëve, shokëve e miqve të tu, veçmas politikanë.

-Është i ndershëm sepse i ka zhveshur publikisht, lakuriq, banditët e politikës kosovare: hajnin e të korruptuarit M. Krasniqi, Limajn, Pacollin, Hotin, Thaçin, Mustafën, Abdixhikun dhe, veçmas, injorantin Ramush Haradinaj.

-Është i ndershëm sepse ua ka përplasur në fytyrë publikisht patriotizmin e tyre fals dhe filo-amerikanizmin e tyre qesharak Isa Mustafës, Thaçit, Ramushit, A. Hotit e plot të tjerëve, dhjeramanëve të politikës kosovare.

-Është i ndershëm sepse që në fillim nuk e pranoi atë lloj gjykate që donin t’i impononin ndërkombëtarët, ku viktima dënohet më shumë se vetë krimineli.

-Është i ndershëm sepse kurrë s’ka qenë pjesë e bandave kriminale që gjatë luftës e pas saj nisën të vrasin shokët e tyre, ndaj dhe sot me të drejtë janë në Hagë.

-Është i ndershëm sepse nuk ka ndërmend të pranojë Asociacionin, që duan kaq fort edhe amerikanët, sepse, thënë troç, kjo do të thotë krijimi i një Republika Srpska të dytë në territorin e Kosovës, ku rasti i Bosnjë-Hercegovinës flet vetë.

-Është i ndershëm, o Blush, sepse po kërkon si askush tjetër deri më sot në Kosovë njohjen e vendit të tij nga Serbia si kusht kryesor për vazhdimin e mëtejshëm të dialogut dypalësh.

-Është i ndershëm sepse kërkon barazi të plotë në çdo gjë, në çdo tryezë e raund bisedimesh me Serbinë, duke ruajtur me fanatizëm dinjitetin e vendit dhe të popullit të tij.

-Është i ndershëm sepse ktheu normalitetin në Mitrovicë dhe në krejt Veriun e Kosovës, edhe pse u përplas me lloj-lloj poshtërsish tipike serbe dhe ndërkombëtare - BE-iste e atlantikase.

-Është i ndershëm sepse i nxorri lakuriq, me harta e thika në duar, ata që ndanin e bënin pazare me territoret e Kosovës: Vuçiçin, Ramën, Makronin e Batonin.

-Është i ndershëm, o Blush, sepse po i vë në bankën e të akuzuarve të gjithë ata që bënë pazare dhe ia shiten tokat dhe territorin e Kosovës Malit të Zi, me Ramushin në krye.

-Është i ndershëm sepse ua plasi bombën në dorë serbëve dhe ndërkombëtarëve në rastin kriminal të Banjskës.

-Është i ndershëm sepse, përkundër ndërkombëtarëve dhe fatkeqësisht edhe amerikanëve, kërkon reciprocitet në çdo gjë me Serbinë.

-Është i ndershëm sepse denoncoi i pari publikisht marrëveshjen fallso të Washingtonit, imponuar nga presidenti amerikan Trump dhe firmosur nga Vuçiçi e Hoti.

-Është i ndershëm sepse e thotë mjaft qartë, troç dhe shqip: “Si ka mundësi që Amerika t’i shpallë antiamerikan kombin dhe popullin më pro-amerikan në botë?”

-Është i ndershëm sepse është kundër asaj që kërkojnë amerikanët dhe ndërkombëtarët, që po i servilosen kaq frikshëm e me neveri Serbisë — mirënjohjes së lirisë me litar në grykë.

-Është i ndershëm sepse kur Rama priste me tapet të kuq në mes të Tiranës kriminelin serb Vuçiç, kryeministrit të Kosovës i mbyllte dyert dhe i thoshte se nuk kishin më për çfarë të flisnin bashkë. Nuk iu qurravit, nuk iu ul në gjunjë dhe për burrni nuk e shiti në pazar - siç Rama e meritonte.

-Është i ndershëm sepse palacove dhe karagjozëve të BE-së, që prej dekadash luajnë me fatet e kombit e të popullit tonë, ua ka treguar vendin, edhe pse sanksionet e “miqve tanë të BE-së” ndaj Kosovës dhe vetë Kurtit e qeverisë së tij janë edhe më të ashpra sesa ato ndaj Rusisë agresore.

-Është, së fundmi, më i ndershëm se të gjithë soji dhe lloji juaj, o Blush, sepse edhe kur e rrëzuan me një puç, një grusht shteti tipik amerikan nga plehrat e llojit Grenell e të tjerë, populli i Kosovës e rivotoi përsëri, edhe më fort, edhe më shumë, për ta pasur në krye të qeverisë së vet.

Të duhen më shumë arsye për t’u bindur, o Blush, pse Albin Kurti qenka kaq i ndershëm?

Flas në përgjithësi, duke e krahasuar me racën dhe llojin tuaj.

Se po ta krahasoja veçmas me ty, është ehuuuu, ku e ku më i ndershëm se sa guxon e mendon edhe ti vetë, qoftë edhe në ëndrrën tënde më kokëkrisur!

© Adriatik Dosti - SHBA