Blog

Perëndimi, Serbia, Kosova dhe sfidat globale - Nga Lis Bukuroca

Leximi i disa fakteve thelbësore:

- Bllokimi i rrugëve dhe rrahja e ushtarëve të KFOR-it pa pasoja për Serbinë dhe Listën Serbe.

- Sulmi terrorist i Serbisë, pa pasoja për Serbinë dhe Listën Serbe, si themeluese e grupit terrorist.

- Mosndëshkimi i terroristëve, trajtimi i tyre si heronj, riorganizimi dhe sekuestrimi i pandërprerë i armatimit.

- Kosovës sanksione.

- Terroristë quhet në Serbi ata që protestojnë, jo grupi që sulmoi Kosovën.

Pse i nështrohet Perëndimi Serbisë?

Në radhë të parë, për shkak të interesave ekonomike.

Në njëzet vitet e fundit, SHBA ka investuar në Serbi mbi katër miliardë dollarë, sipas gazetës Danas. Gjermania mbi dy miliardë, pastaj Italia, Franca, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara. Që nga ardhja e Biden, perceptimi për Kosovën ka ndryshuar dukshëm. Pasuan Lajçak dhe Borrell, si dhe Grenell, Escobar, Hill e të tjerë.

Kurti ka faj pse zbaton ligjin pa i marrë parasysh interesat e Perëndimit. Ai nuk ka kuptuar se Europa ka hequr dorë nga kërkesa për një shtet ligjor, gjë që dëshmohet nga mbështetja e autokracisë serbe dhe mosarrestimi i terroristëve.

Sipas raportimeve në televizionet publike gjermane, Trump po shndërron Amerikën në autokraci. Një profesor amerikan, i cili kishte braktisur SHBA dhe tani punon në një universitet në Kanada, tha se Amerika sot ndodhet në një situatë të ngjashme me Gjermaninë në fillimet e fashizmit të vitit 1933.

Në shumë dokumentarë të televizioneve publike janë intervistuar agjentë të ndryshëm, të cilët besonin se Putini ka ndikim mbi Trumpin. Se kanë video etj. Se e ka në dorë. Ndërkohë, Volkswagen ka pësuar një rënie fitimi prej 36%.

Ku qëndron problemi?

Kurti është vetëm pretekst, jo arsye e vërtetë. Në pyetje janë interesat ekonomike. Serbia e ka blerë të drejtën, Kosova nuk ka mundësi ta mbrojë atë.

Trishtimi në Perëndim nuk vjen aq nga Rusia, sa nga Kina. Vjet, Kina ka qenë vendi i parë në botë për nga numri i makinave të shitura. Sipas ekspertëve gjermanë, makinat kineze janë më të mira, më cilësore dhe shumë më të lira. Europa nuk prodhon as një celular.

Trump shpresonte të përdorë Rusinë për të destabilizuar Kinën, por ata iu përgjigjën duke formuar një aleancë edhe më të fuqishme. Europa e konsideron Rusinë armike dhe Kinën konkurrente; SHBA e Trump-it e sheh Rusinë si mike dhe Kinën si kundërshtare të madhe. Përparimi i madh industrial i Kinës mund të shkaktojë miliona të papunë në Perëndim, gjë që shqetëson jo vetëm Trumpin, por edhe Europën.

Megjithatë, pa luftë qytetare në Kinë ose një sulm të jashtëm, ky zhvillim nuk mund të ndalet.

Në një dokumentar u tha: “Kina po prodhon makina fluturuese, ndërsa Gjermania po ndërton autostrada. Në Kinë taksitë dhe autobusët udhëtojnë pa shoferë, ndërsa Gjermania kërkon 20,000 shoferë për autobusë dhe tramvaje.”

Çfarë pret Perëndimi nga Serbia?

Gjermania dhe Italia duan litium të lirë, ndoshta edhe Franca, për t’i bërë ballë konkurrencës kineze. Kosova nuk ka pasuri nëntokësore që i duhet Perëndimit. Kushdo që do të vijë pas Kurtit, duhet të aprovojë atë që iu është premtuar serbëve.

Kurti u kritikua pse foli kundër Gjykatës Kushtetuese. Foli, u kuptua, ishte liri mendimi. Por u trajtua si delikt i pafalshëm verbal. As nuk u shpjegua arsyeja e pezullimit të “dialogut strategjik”. E si të arsyetohet?

Nuk mund publikisht të kritikojnë pse po respektohet ligjet, pse po mbyll administratën ilegale të Serbisë në vendin që ata e kanë njohur vetë. Por mbrohet Gjykata që ka brenda një kriminel që kërkohet nga Interpoli.

Mbyllja e postave serbe, largimi i dinarit, zyrave të punës, gjendjes civile e të tjera, të cilat ishin administratë serbe në Kosovë, u kritikua nga Perëndimi. Sepse sipas tyre, ato duhej të zhbëheshin me dialog. E si?

Vuçiçi heq një postë, Kosova i dhuron diçka. Ai largon një zyrë, Kosova i jep diçka tjetër. Ai lejon hapjen e urës, Kosova i jep autonominë serbe me një ekstraterritorialitet politik si edhe kishës. (Autonomia nuk do të jetë e lidhur apo e varur me vertikalen e shtetit të Kosovës.)

Tani kanë mbetur pa argumente për pazare dhe, sipas tyre, Kurti meriton të sulmohet para zgjedhjeve lokale në mënyrë që të dëmtohet, siç ndodhi në zgjedhjet e kaluara, kur Vetëvendosja kishte 65%, por nga pesha e madhe, u prish serveri dhe për një muaj numëruan njerëzit më mirë se kompjuteri dhe i dhanë Kurtit aq sa deshën.

Perëndimi është kundër shtetit ligjor në Kosovë, por jo kundër autokracisë absolute në Serbi. Interesat. Atje askush nuk njeh ministrat, por vetëm Vuçiçin. Populli nuk e do atë, por Perëndimi e përkrah. Kurti, nga ana tjetër, ka mbështetje në popull sepse është i vetmi lider që nuk e ka vjedhur Kosovën.

Por Perëndimi do ndonjë hajn, i cili firmos dhe mburret. Kohë për pendim do të ketë më vonë, madje edhe për të protestuar kundër vendimeve të veta.

Kurti është pengues, jo shkaktar i pasojave. Është i vonuar. Vendimet e gabueshme janë bërë obligime. Ka ndryshuar perceptimi i demokracisë perëndimore, kanë ndryshuar protagonistët dhe tani luftohet për interesa, jo për drejtësi. Ka ndryshuar gjeopolitika.

Dhe këtu gjendet problemi. Këtë e shohim edhe me Ukrainën, që po e flijon Perëndimi, duke mos e lejuar për vite të sulmojë Rusinë, por të mbrohet në oborrin e vet. Ukraina nuk po ndihmohet ta çlirojë veten, por të mbrohet, gjersa gradualisht i zvogëlohet territori. Trumpi, nga ana tjetër, e synon dobësimin e Kinës. Me heshtje, edhe pushtimin e Ukrainës.

Pse shumica e mediave në Kosovë janë kundër Kurtit?

Shumë prej tyre kanë lobuar përmes Grenell-it kundër tij, duke e quajtur komunist, stalinist dhe kundërshtar të pronës private, për ta bërë më të urryer për Trump-in. Kur Kurti deklaron se do të konfiskojë pasuritë e vjedhura, ai krijon armiq mes oligarkëve dhe kriminelëve që kontrollojnë mediat. Serbia ka investuar dhe vazhdon të investojë, ndaj është krijuar një Kosovë e përshtatshme për interesat e saj.

Sipas Koha Ditore, një islamist paguhej 700 euro dhe pastaj kishte shkuar në Siri. Udbashët e tjerë, të cilët thuhet se janë rreth 10,000 aktivë, nuk u varrosën nga pandemia, por janë ende në Kosovë, madje edhe në Gjykatën Kushtetuese. Një shqiptar pat vrarë dy amerikanë në Gjermani dhe plagosur dy të tjerë. Ndërkohë, mediat në Zvicër, Gjermani dhe Austri raportojnë për krime të shqiptarëve në baza fetare.

Sa më shumë identitet fetar, aq më mirë për Serbinë dhe aq më shumë Perëndimi kundër nesh.

Në përgjithësi, Serbia nuk na ka dëmtuar aq nga jashtë, sa na ka dëmtuar nga brenda. Përmes agjentëve që veprojnë në Kosovë dhe punojnë për interesa serbe dhe ata nuk janë në bujqësi e pylltari, por në vendet ku krijohet opinioni publik, ku merren vendime dhe ku sabotohet shteti i Kosovës dhe ku shpërfytyrohet identiteti shqiptar.

Investimet në Serbi shkurtimisht marrë nga gazeta Danas:

Franca ka 1.2 miliardë euro investime në Serbi, me 120 kompani dhe 13,000 punëtorë. Michelin zotëron Tigar Tyres. Schneider Electric është aktive në energji. Vinci Airports menaxhon Aeroportin e Beogradit me kontratë 501 milionë euro dhe investime prej 732 milionë e, por ka humbje 809 milionë dinarë në 2023 dhe 2.1 miliardë në 2022. Në 2017, Suez SAS dhe Itochu morën me PPP deponinë Vinça për 300 milionë euro (25 vjet, me fabrikë energjie). Egis Rail ndërton metronë e Beogradit, ndërsa Alstom furnizon pajisjet. Serbia bleu 12 avionë Rafale nga Franca në 2023.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë investuar në projektin “Beogradi mbi ujë”, ku janë përfshirë 3 nga 10 kompanitë më të mëdha të tyre në Serbi. Al Dahra dhe Al Rawafed privatizuan PKB dhe zotërojnë toka në Vojvodinë. Agrimatco, e bazuar në Novi Sad, pati fitim 43 milionë dinarë në 2023.

Gjermania ka investuar 2 miliardë euro që nga viti 2000. Lidl, me mbi 70 dyqane që nga 2018, pati fitim 1.79 miliardë dinarë në 2023. Kompanitë gjermane në Serbi janë ZF, Robert Bosch, Hemofarm, Siemens, BMTS, Brose, Leoni, Continental Automotive dhe Boysen Abgassysteme. ZF prodhon elektronikë dhe sensorë për makina, Continental zhvillon softuer, Boysen dhe Leoni prodhojnë pjesë dhe kabllo. Gjermania mbështet hapjen e minierës së litiumit Jadar.

Kina ishte investitori më i madh në 2023 me një të tretën e investimeve totale. Zijin Mining, Zijin Copper dhe HBIS Group dominojnë minierat dhe metalurgjinë. Kina ndërton hekurudhën Beograd-Budapest dhe disa autostrada. Marrëveshja e tregtisë së lirë Serbi-Kinë hyri në fuqi në 2024.

SHBA kanë investuar mbi 4 miliardë dollarë që nga 2001. Coca-Cola udhëheq në të ardhura, e ndjekur nga Sojaprotein, Marbo Product dhe Bambi. Oracle hapi qendrën cloud në Kragujevc. Microsoft dhe NCR kanë operuar për dekada. Bechtel ndërton korridorin Morava.

Italia është e pranishme me Banka Intesa dhe Generali Insurance. Stellantis në Kragujevc prodhon makina dhe modele elektrike, të lidhura me projektin e litiumit Rio Tinto.

Turqia operon kryesisht në ndërtim dhe tekstile. Kompanitë kryesore janë Beko, LC Waikiki dhe Teklas. Sektori tekstil përballet me vështirësi nga rritja e pagës minimale.

Rusia ndikon përmes Gazprom, që zotëron NIS (Naftna Industrija Srbije). Në IT operojnë Yandex dhe Luxoft.

Si mund të fitojë e drejta kundrejt atyre miliardave?

Perëndimi gjatë pesë viteve të fundit është sjellë me Serbinë në mënyrë përkëdhelëse dhe nënshtruese. Nuk ka arritur ta detyrojë Vuçiçin të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe as ta largojë nga ndikimi i Kinës. Në Japoni panairi më i madh se në Serbi, ka kushtuar një miliardë dollarë, kurse në Serbi më i vogël, 16 miliardë. Studentë në Serbi e kanë kuptuar se ai e ka blerë mbështetjen në Perëndim. Vuçiçi vazhdimisht përgatitet për ripushtim. Aleanca mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë dëshmon për rrezikun në rritje.

Çfarë mund të bëjë Kosova?

Për fat të keq, pothuajse asgjë. Vendet e vogla, pa pasuri të veçanta, nuk fitojnë kurrë drejtësi të plotë. Pasuritë si litiumi i japin apriori të drejtë Serbisë. Kina mbetet në ngritje, ndërsa Europa dhe Perëndimi në përgjithësi janë në rënie.

Opozita, megjithëse pa një lider të fortë me integritet moral dhe kontribut, ka tri figura të gatshme të bëjnë gjithçka për pushtet. Opozita do të formojë qeverinë.

Perëndimi ka mundësi për të disiplinuar Serbinë, por nuk e bën. Ka toleruar që Kosova të vidhet, dhe atë vjedhje e ka përdorur për të detyruar ata të burgosin edhe vetveten. Ata që nënshkruan marrëveshje para dhjetë vitesh, nesër do të shkojnë për të protestuar kundër vendimeve të veta.

Lista Serbe e hapi fushatën zgjedhore me himnin e Serbisë dhe me thirrje për t’u “çliruar” nga qeveria e Kurtit. Ajo e konsideron Kosovën Serbi. Perëndimi e ka njohur Kosovën shtet. Ambasadorët nuk reaguan, edhe pse në çdo vend tjetër ajo Listë do të konsiderohej organizatë terroriste.

Ky procedim mund të shpjegohet vetëm nga interesat e mëdha politike. Trump do të marrë në Beograd një hotel të madh. Sa i përket kësaj, në një dokumentar gjerman u tha se krejt familja e Trump-it janë pasuruar shumë, nga kriptomonedhat e tij ku disa arabë kanë investuar dy miliardë dollarë. Gjersa masakrohen palestinezët.

Reflektim përfundimtar

Çfarë është e drejtë dhe çfarë nuk është e drejtë? Nëse fjala “liri” ka edhe një emër të huaj, si mund të presim që vendimet tona të mos kenë gjithashtu një dëshirë të huaj?

Nëse nuk kanë interesa ekonomike, ti nuk ke të drejtë edhe kur ke. Koha e vlerave universale dhe e përpjekjeve për humanizëm, është në përfundim e sipër, edhe demokracia liberale. Nëse në Amerikë ngadhnjen autokracia, është çështje vitesh kur të fitojë edhe në Europë.

Tani Kosova duhet të përpiqet të humbasë sa më pak, sepse drejtimin e fitores e përcaktojnë miliardat, jo e drejta…

© Lis Bukuroca