Opinione

Mbi largimin prej Metropolitan Opera të sopranos me famë botërore Anna Netrebko - Nga Atena Bishka

Atena Bishka - Toronto

Anna Netrebko tërhiqet (ose e tërhoqën) nga angazhimet artistike në Metropolitan Opera. Arsyeja: Nuk ka pranuar të prononcohet drejtpërdrejt kundër Putinit.

Në 2008-ën Putini i ka akorduar Netrebko-s çmimin Artist i Popullit të Rusisë bashkë me një tufë lulesh. Nuk i di e s’më interesojnë simpatitë politike të sopranos Anna Netrebko, as nderimet që i janë bërë në Rusi nga regjimi i përjetshëm i Putinit diktator. Këtë punë kanë regjimet dhe presidentët. Presidentëve tanë a nuk u bie bretku duke shpërndarë dekorata e çmime? A nuk i lajkatojnë e u jargaviten sopranove tona, madje duke u rrekur t’i politizojnë medoemos - Inva Mulën në të djathtë dhe Ermonela Jahon në të majtë?

Për ata që mund të më thonë, si guxon të bësh krahasime me Putinin, do të them shpejt e shpejt: Verejtje e drejtë! Ç'është e vërteta deri në agresione kundër vendeve të tjera këta tanët s'kanë shkuar (thuaj shyqyr që kemi pasur NATO-n që na ka mbrojtur kur kemi patur nevojë në Kosovë). E shumta kanë shembur teatro, kanë përvetësuar artin e korruptimit, ndonjeri është non-grata, kanë shtuar shtepi e katandi dhe kanë vjedhur shqiptarët. Epo, tani edhe ndonjë krim, burgim a atentat ndonjërit aty-këtu, edhe e kanë bërë...

Te Netrebko serish: Ajo çka duhet vënë në dukje është se lidhur me agresionin rus në Ukrainë, artistja është shprehur: “Jam kundër kësaj lufte agresore dhe i bëj thirrje Rusisë t’i japë fund luftës, menjëherë, që të na shpëtojë të gjithëve.”

S'e di se kur tamam i ka thënë këto fjalë Netrebko (përpara apo pas tërheqjes). Mirëpo çfarë ka thënë s’qenka e mjaftueshme dhe jo ekzaktësisht fjalë-për-fjalë ajo që pritet.

Kryetitujt venë në dukje si shkak të largimit të saj nga Metropolitan Opera "mbeshtetjen ndaj Putinit". Drejtori i Përgjithshëm i MET-it, Peter Gelb, thotë “Anna është një nga këngëtaret më të shquara në historinë e MET-it, por për shkak të masakrimit të viktimave të pafajshme në Ukrainë prej Putinit, s’kishte rrugë tjetër për të bërë përpara.”

Putini dhe regjimi i tij njihen për shkelje e kufizime të rënda të lirisë së fjalës dhe lirisë së individit. Në një kohë që ukrainasit mbyten në gjak nga predhat e bombat, s'është çasti dhe vendi i duhur të numërohen këtu fajet e Putinit ndaj lirisë së shprehjes (edhe pse këto kanë kushtuar jetë njerëzish dhe kanë qenë këmbana alarmi gjithmonë).

Por, nëse Perëndimi ngulmon t’u vërë njerëzve në gojë fjalë me zor, nëse kërkon t’ua imponojë fjalën, nëse praktikon të njejtat metoda, atëherë s’mund ta dallojë dot veten prej regjimeve që kritikon.

©Atena Bishka