Opinione

Pykat e qeverisë së sotme njëlloj si pykat për të cilat fliste Noli

Nga: REDAKSIA

Një nga komplekset që mund t’i krijohet njeriut vjen prej paaftësisë, ose pamjaftueshmërisë së edukimit, në raport me të tjerët. Komplekset e inferioritetit zakonisht e bëjnë një person malinj dhe nëse i jepet rasti ai njeri do ngrejë kokë të shtypë ose të lërë në pozita më të ulëta se veten ata që janë më të kualifikuar. Sa herë t’u jepet rasti do ta luftojnë tinëz atë që është më i mirë ose më i zoti se ai. Tipike është të luftojnë ata që ua dinë dobësitë ose paaftësitë prej kohësh. Njëlloj si diktatorët më të egër kur spastruan terrenin nga të njohurit e tyre dhe më të shkolluarit. Të paaftit i nevojitet të rrethohet me njerëz që t’i bëjnë fresk. Por ç’ndodh kur këta janë drejtues shteti apo institucionesh? Këta do të jenë drejtuesit më të egër ose më mediokër, më hileqarët apo më servilët.

Në qeverinë shqiptare është e lehtë të evidentohen cilët mund të jenë. Mjafton t’u shohësh vetëm arsimimin në cv e publikuar. Duke filluar nga kryeministri, i cili është mjaftuar të ulet në bankat e një shkolle për herë të fundit në vitin 86. Dhe për më tepër me degën që ai ka studiuar shumë pak i është dashur të ulet.

Tjetër anëtar qeverie i mjaftuar me arsimin që i ka caktuar të kryejë komiteti i partisë është Blendi Klosi, ministri i turizmit dhe mjedisit. Duket se ministri Klosi ka mbetur në nivelin mediokër të arsimimit të viteve të tranzicionit në Shqipëri. Që pas ‘93 nuk ka studiuar asgjë përveç inxhinierisë që nuk e ka vënë ndonjëherë në punë.

Vazhdojmë më tej me ministren e arsimit, e cila ka studiuar aq sa të jepte mësim në një shkollë 9-vjeçare. Pastaj ndoqi një master në universitet privat të paakredituar, ku vetëm i lexohej emri gjatë apelit, por nuk përgjigjej askush të tregonte prezencë. Mediokre në arsimim, Lindita Nikolla drejton po në mënyrë mediokre arsimin shqiptar.

Një tjetër ministër që është mjaftuar vetëm me diplomën e vitit ‘82 është ministri i brendshëm Fatmir Xhafaj, ndoshta sepse puna si hetues gjatë kohës së diktaturës i ka shërbyer më shumë se të gjitha shkollat së bashku. 

Qeveria ka edhe Niko Peleshin, ministrin e Bujqësisë, i cili ka kryer studimet vetëm për të marrë titullin në diplomë inxhinier dhe me aq është mjaftuar.

Por e rëndësishme është që këta ministra e kryeministra që drejtojnë vendin të mos ndihen inferiorë për këtë fakt se inferioriteti u shton paudhësitë. Më mirë të pranojnë mediokritetin e tyre e t’u hapin rrugën të aftëve, duke filluar nga zëvendësministrat e tyre. Vihet re që zëvendësministrat në qeverinë shqiptare  janë ekspertë të spikatur, si për shembull Mira Rakacolli zëvendësministrja e shëndetësisë, apo Roland Kristo i bujqësisë.

Por le të mos u hamë hakun atyre ministrave që vlejnë në qeverinë shqiptare, ndoshta jo dhe aq për ministrinë që drejtojnë sesa për backgroundin e tyre arsimor. Për shembull Olta Xhaçka ka mbaruar shkëlqyeshëm në USA bachelor dhe Master në shkenca politike. Për kuriozitet Flasshqip kërkoi në Universitetin ku ajo është diplomuar dhe gjeti temën e masterit që Xhaçka ka mbrojtur shkëlqyeshëm. Dhe sigurisht që Olta Xhaçka nuk mund të krahasohet me doktoraturat e blera në Maqedoni e Rumani nga kolegët e saj. Të gjithë kemi dëgjuar për tregëtinë e këtyre diplomave. Një shembull tjetër shkollimi prej vërteti është diploma ekselente e Ministrit të Jashtëm Bushati, i cili duhet pranuar që në Hollandë nuk ka patur shanse ti ketë marrë me mik notat e mira.

Por me dy apo tri të mirëshkolluar kabineti i pykave nuk bëhet dot kabinet i zotësive.

 

©Flasshqip.ca