Opinione

Heshtje varri në Tiranë për Kryqëzatën serbo-spanjolle kundër Kosovës - Nga Genc Mlloja

Genc Mlloja

Jo se tha ndonjë gjë të re, por ashpërsia me të cilën kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez deklaroi në krah të presidentit serb Aleksandër Vuçiç se vendi i tij do të jetë gjithmonë me Serbinë në mbështetje të sovranitetit e tërësisë së saj territoriale dhe se nuk do ta njohë asnjëherë Kosovën përshkohej nga fryma arrogante e një udhëheqësi të një vendi me një të kaluar të zezë kolonialiste, inkuizicioniste e fashiste. 

Edhe njëherë Spanja, një vend që çuditërisht e dallojnë si ndër më të rëndësishmit në Bashkimin Europian, me egërsi i transmetoi popullit shqiptar të Kosovës mesazhin se ai nuk ka të ardhme jashtë Serbisë, se vendi i tij është plotësisht pjesë serbe në të gjithë aspektet.

Më armiqësor bëhet ky kumt i zi nga kryeministri i një vendi i rreshtuar në frontin anti-shqiptar të Kosovës me katër vende të tjerë të BE (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro) kur e rikonfimon këtë shantazh në Beograd, në krah të Vuçiçit, në shtëpinë e këtij të fundit i njollosur si zbatues i gjenocidit serb kundër popullit shqiptar në krah të “kasapit të Ballkanit” Sllobodan Milosheviç. Dhe më tej, për t’i vënë vulën e “vëllazërimit” spanjollo-serb, Sanchez i quajti “fantastike” marrëdhëniet politike midis dy vendeve.

Kjo eshte e drejta e tyre, sikurse nuk ka asgjë për t’u habitur në harenë e Vuçiçit nga ky demonstrim spanjoll i mbështetjes së planit të tij te ripushtimit të Kosovës në kuadër të asaj që deklaroi Sanchez: zbatim i parimit të së drejtës ndërkombëtare dhe sovranitetit dhe integritetit territorial. “Spanja do të jetë gjithmonë me Serbinë në respektimin e këtyre parimeve”.

Gjithmonë Spanjen dhe Serbinë, veç të tjerash, i ka lidhur e kaluara e tyre historike, jo vetëm si vende pushtuese, por edhe si ndër gjenocidistët më mizorë në historinë e njerëzimit. “Shenjtorja” Spanjë i ka duart e lyera me gjak të popujve, që kanë qenë pré e pushtimit të saj dhe “lavdia” mizore e asaj kohe mizore lëvrin në mendjen e klasës politike e segmente të caktuar të popullsisë së kësaj ish- fuqie kolonialiste e fashiste.

Në territor tjetër gjeografik “kasapët serbë” të Ballkanit janë famëkëqij për krimet e njëjta kundër njerëzimit të kryer në periudha të ndryshme ndaj tërë popujve ballkanas dhe etja për gjak nuk i ndal që të shantazhojnë egërsisht shqiptarët e Kosovës, si dhe të krahinës së Preshevës.

“I lidh gjaku”, e thotë mirë një shprehje popullore. E nga çfarë u mësua publikisht, se pazaret e prapaskenës së errët nuk dihen, vizita, bisedimet e deklaratat ishin një fuqizim i kësaj lidhje gjaku prej mizori, dhe e trimërojnë Vuçiçin i cili ka arritur deri në ate cak, saqë të kërcënojë se pa hequr kryeministrin Albin Kurti nga posti nuk ka dialog me Kosovën.

E meqë u përmend dialogu, Sanchez nuk kishte se pse të fliste shumë, se për atë Beogradi është në të drejtën e tij dhe bisedimet me Prishtinën të ndërmjetësuara nga BE janë të kota. Sipas dëshirës së tij, Serbia duhet të ishte me kohë anëtare e BE, edhe pse Vuçiç tallet me Brukselin lidhur me sanksionet kundër Rusisë si ndëshkim për pushtimin e Ukrainës. Kështu kryeministri spanjoll shkon në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor me kapitullin e mbyllur për Kosovën, që nënkupton ripushtim të saj nga Serbia dhe përjashtim nga endrra evropiane.

Sigurisht që për pjesën dërmuese të vendeve të rajonit pak rëndësi kanë bëmat e Sanchez në Beograd lidhur me Kosovën, megjithëse ndonjë është realisht i kërcenuar prej tij. Kështu kanë ardhur punët që fantazma e “Botës Serbe” të bëjë të dridhen tërë vendet e rajonit…  

Por, çuditërisht, edhe Tiranës zyrtare, e as propagandës së kontrolluar nga kryeministri Edi Rama, nuk i ka interesuar aspak shantazhimi i popullit shqiptar të Kosovës ndërkombëtarisht. Rama nuk mund të përzihej në grindjen e “vëllait” Vuçiç me fqinjët kosovarë. Domosdoshmërisht ai ka përgëzuar Vuçiçin që e bëri Spanjën të rikonfirmojë mbështetje për “Ballkanin e Hapur”. E kjo do të jetë velloja e gëzimit në qëndrimin e Sanchez në Tiranë. Sigurisht do të ketë propagandë me tonelata për fillimin e bisedimeve me BE, do të lartësohet roli në këtë hap i Spanjës, e cila, në fakt, është e lumtur që Ballkani Perëndimor është i përçarë deri në atë masë, saqë as e vrasin mendjen që një vend si Kosova është nën kërcënimin serb. 

Mulliri do të xhirojë bosh për bashkëpunimin ekonomik e tregtar midis Shqipërisë e Spanjës, se shifrat tregojnë për një histori fatkeqe në këtë aspekt historikisht, kurse slloganet për “shkelqimin” e marrëdhënieve politike dypalëshe do të derdhen lumë.

Por ka ndodhur një gjë, Rama këtë radhe nuk do të mund t’ia kalojë në shkëlqim Vuçiçit, i cili tregonte në profilin e tij në Instagram një foto nga darka e organizuar për nder të kryeministrit spanjoll, ku këngëtarja serbe Jelena Tomaseviç interpretoi këngën “Oro” në spanjisht. “Jelena Tomasevici jonë i këndoi (Sanchez) këngën “Oro” në spanjisht, e cila dha një ton të veçantë në këtë mbrëmje”, shkruante Vuçiç. 

Megjithatë një dhuratë kryeministri spanjoll e ka marrë që tani nga Tirana zyrtare: ai vazhdon të jetë i mirëpritur nga qeveria shqiptare, edhe pse kreu i qeverisë se Madridit na i “pushkatoi” vëllezërit shqiptarë të Kosovës gjatë vizitës në Beograd, duke mbështetur marrëzisht serbomëdhenjtë vuçiçianë, pasues të Millosheviçit për ripushtimin e Kosovës e duke ua prerë rrugët drejt Evropës sepse, sipas pinjollit spanjoll të kryqëzatave, inkuizicionit e fashizmit, çdo rrugë e Prishtinës duhet të kalojë nga Beogradi.

Heshtje varri në Tiranë për Kryqëzatën serbo-spanjolle kundër Kosovës e popullit shqiptar, sytë e goja e mbyllur e qeveritarëve e diplomacisë shqiptare që duket e mbajnë kot atë vend në Keshillin e Sigurimit të OKB. Sa shumë kanë pritur shqiptarët kosovarë… por më kot!   

Po ata nuk janë ligështuar edhe në kohë më të errta dhe nuk bëjnë habi nga veprimet apo mosveprimet e Tiranës zyrtare kur është në mes “vëllai i madh” Vuçiç. Kosova ka mbështetjen ndërkombëtare dhe shumë politikanë, diplomatë e analistë ndërkombëtarë e rajonalë, nuk ngurojnë, nuk lodhen t’ia rikujtojnë kujtdo se Kosova është vend i pavarur dhe sovran.

“Kosova është shtet sovran. Po ashtu ai ka të drejta ligjore të vendosë vetë nëse do të marrë pjesë në “Ballkanin e Hapur” apo jo. Nuk mendoj se mund të hiqet kryeministri i Kosovës (Albin Kurti); ai është zgjedhur nga populli i Kosovës në zgjedhje dhe ka obligime ndaj Kushtetutës së Kosovës. Është më se e qartë se kryeministri (Edi) Rama dhe presidenti (Aleksandër) Vuçiç kanë një bashkëpunim më të ngushtë, “Ballkani i Hapur”, por kam lexuar diku edhe se ata e quajnë njëri-tjetrin vëllezër,” tha një diplomat i lartë në kushte anonimati.  E me tej diplomati theksoi se askush nuk mund të heë ndonjë zyrtar nga postet në asnjë shtet.

Sanchez do të vijë e do të shkojë, lavde do t’i thuren kryeministrit Rama në Tiranë dhe një i veçantë lavdërim do të jetë nga kryeministri spanjoll, që ai nuk “përzihet” në histerinë pushtuese të Vuçiçit serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës.

©Genc Mlloja