Opinione

Top Channel kundër qeverisë: ku s’del zë, s’është pa gjë - Nga Ҫapajev Gjokutaj

Çapajev Gjokutaj

Çdo ditë e më shumë po duket qartë se Top Channel është në thikë e në pikë me qeverinë, linja e tij editoriale ka ndryshuar kryekëput. Nga dashamirës dhe përkrahës, është kthyer në të kundërtën: top që vërvit pa pushim gjyle në bedenat e pushtetit.

Parë në një këndvështrim parimor, këtu nuk ka gjë të keqe, përkundrazi. Mazhoranca qeveris në mandatin e tretë, ka një shumicë të qëndrueshme në Parlament dhe për arsye që dihen, opozita është e ndarë dhe e përçarë. Si të mos mjaftonin të gjitha këto, pushteti vendor është thuajse i gjithi i PS. Kur gjendet në rrethana të tilla, çdo shoqëri për së mbari, forcon instrumentat e kontrollit dhe të opzitarizmit. Se pushteti i gjatë dhe i shumtë prish. Për më tepër, Top-i di ta bëjë opozitën edhe mirë, edhe frytshëm. Dhe t’i shërbejë interesit publik. E ka dëshmuar vite të shkuara.

Por ka diçka që kërcet në kundërvënien e tanishme ndaj qeverisë. Ndryshimet tak-fak të politikës redaksionale, nuk janë rrufe në qiell të kaltër. Kanë shkaqe që mund të lidhen me parime, por mund të jenë edhe shqeto për interesa biznesi.

Të çdo lloji qofshin, shkaqe të tilla duhen bërë publike. Jo thjesht për kuriozitet, por sepse mungesa e transparencës është terr dhe terri bëhet burim mahisjesh e allishverishesh.

Mund të jetë rasti që as Top-i, as qeveria nuk kanë interes t’i artikulojnë publikisht shkaqet pse erdhën në këtë pikë. Po mediat e tjera ç’bëjnë, përse hiqen mënjanë e heshtin? Omertá do të ishte fjalë e rëndë dhe pas gjasash edhe e ekzagjeruar.

Gjithsesi kur është fjala për ndonjë krim ordiner a për ndonjë pervers province, mediat e kanë bërë zakon t’u kthehen e t’u rikthehen fakteve në kor, ditë pas dite sikur të mos bënin gazetari po seriale turke. Po tjetër fukaraja e tjetër zengjini, e thanë dhe derrat e Orwell-it: Të gjitha kafshët janë të barabarta, por elefantët janë më të barabartë.

Akoma më domethënëse është të shohësh pse po hesht opozita që, kur është fjala për halle e skandale të qeverisë, për mundësi pazaresh e allishverishesh, s’lë rast pa folur dhe, jo rrallë, edhe pa e përfolur.

Sido që ta gjykosh mërinë mes Top-it dhe qeverisë, rezultati mbetet po ai: ne, populli i thjeshtë, s’dimë ç’po ndodh. Vetëm se si popull që jemi e kemi mësuar se ku s’del zë, s’është pa gjë.

Sido që të jetë kjo gjëja që po na e fshehin, diçka duket qartë: nuk është në të mirë të publikut e të publikes. Zgëqeve të errëta e të fshehta rritet myku e kutërbon pocaqia.

©Ҫapajev Gjokutaj