Ujku, qeni dhe torishta - Nga Dritan Goxhaj

Dritan Goxhaj
Në Kosovë ekziston një shprehje: Qeni i keq ta bjen ujkun në torishtë (vathë). E tashti që ujku na erdhi në torishtë, të gjithë po thonë që fajin e ka ujku. Por ujku mor njerëz atë punë ka, e ne ndaj e kemi vënë qenin, që mos të na vijë ujku. Normal, tani që erdhi, puna më e ngutshme është të mbrojmë torishtën (vathën/stanin), por ama nuk mund ta bëjmë atë pa analizuar si erdhëm deri në këtë derexhe.
Edhe kjo situate që duket kritike në Kosovë, e që thjesht është një përsëritje e të njëjtave situata të vitit 2008 e deri në 2013, ka nxitur tashmë shqiptarët, sidomos nëpër rrjetet sociale, të shprehin “patriotizmin” e tyre, të nxitur edhe nga deklaratat e kryeministrit të Kosovës, të cilin e zgjodhën edhe se kishte premtuar të ruante torishtën.
Nga e gjithë kjo situatë dalin dy pyetje thelbësore:
1. Si erdhëm deri në këtë gjendje?
Në këtë pikë erdhëm pas tentativës të qeverisë së Kosovës për të implementuar të plotë marëveshjen për targat e cila hyn te marëveshjet e njohura si Liria e lëvizjes. Marëveshje që janë nënshkruar nga të dyja palët si fillim në 2011, pastaj sërish në 2016 dhe e fundit në 2017.
Kryeministri i Kosovës deklaroi se e ndërmori këtë hap për të shtrirë sovranitetin e qeverisë së tij në të gjithë territorin e republikës. Dhe kjo lloj nisme për sovranitet është fisnike në parim, por si e shtrin sovranitatin qeveria nëpërmjet një marëveshje e cila e cënon sovranitetin e Kosovës dhe diskriminon qytetarët e saj?
Po ta shohim këtë marëveshje me aq sa ajo është bërë publike, ka dy pika të cilat vërtetojnë cënimin e sovranitetit dhe diskriminimin. Një nga pikat e kësaj marëveshje që diskriminon gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës thotë se ata serbë të Kosovës që duan të vendosin targa dhe mbajnë dokumenta të Kosovës nuk do të paguajnë asnjë detyrim për to. Ndërkohë që gjithë qytetarëve të tjerë të Kosovës iu duhet të paguajnë për dokumentat dhe targat e makinës përse serbët duhet të trajtohen ndryshe nga banorët e tjerë të Kosovës?
Ndërsa pika e dytë e kësaj marrëveshje që cënon sovranitetin e Kosovës thotë se atyre serbëve që e kanë paguar doganën e makinës së tyre në Serbi nuk do t’iu kërkohet ta paguajnë doganën në Kosovë por do iu njihet. Kjo do të thotë që të njihet sovranitetit i Serbisë mbi Kosovën dhe kjo përbën shkelje të sovranitetit të Kosovës. Dhe si rrjedhojë pyesim sërsih përse duhet qeveria e Kosovës të kërkojë të implementojë një marrëveshje e cila cënon sovranitetitn e Kosovës?
Në vend që qeveria të kërkonte të rinegocionte këtë marrëveshje kaq diskriminuese për qytetarët e saj dhe cënuese për sovranitetit e republikës, ajo tenton ta implementojë atë duke sjellë një reagim të pritshëm nga ana e Serbisë dhe strukturave të saj paralele të cilat prej marrëveshjes së vitit 2013 bënin pjesë në sistemin qeverisës të Kosovës, lokal, qëndror, juridik dhe të sigurisë.
2. A do të ketë luftë?
Edhe më parë në një reagim publik kam shkruar se për mendimin tim nuk do të ketë asnjë luftë. Kësaj radhe e bazoj edhe mbi deklaratën e vetë Vuçiçit i cili në një dalje televizive para disa ditësh deklaroi: “Do t’i kërkojmë KFOR-it që të koordinojë kthimin në Kosovë të personelit të sigurisë të Sërbisë sipas Rezolutës 1244”.
Nga kjo deklaratë duket qartësisht që Serbia nuk ka ndërmend ta sulmojë Kosovën, pasi ajo e njeh autoritetin e NATO-s nëpërmjet KFOR-it. Dhe këtë pasi në 3 Qershor të vitit 1999 Parlamenti serb ka miratuar atë që të gjithë e njohim si Marrëveshja e Kumanovës. Dhe pasi e ka miratuar ka autorizuar në atë kohë Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave dhe Serbe si dhe Ministrin e Brendshëm të saj që të firmosin këtë marrëveshje në emër të qeverisë së Serbisë dhe asaj Federale në Kumanovë me NATO-n, në datë 9 Qershor.
Dhe në Nenin 1 pika 4/a e kësaj marëveshje shkruhet se “asnjë forcë e Republikës Federale të Jugosllavisë dhe as e Republikës së Serbisë nuk do të hyjë e as do të rihyjë ose të qëndrojë në territorin e Kosovës pa miratim të mëparshëm nga ana e komandantit të KFOR-it”. Pra thënë shkurt Vuçiçi tregoi se nuk ia mban të bëjë luftë me NATO-n.
Por Kurti thotë se “Do t’i përgjigjemi agresionit me gjithë fuqinë”. Nje deklaratë e tillë i shkon për shtat atyre si puna jonë që shkruajmë në Facebook, por jo një kryeministri, pasi me një deklaratë të tillë ai po shumëzon me zero KFOR-in dhe NATO-n. Pasi ato janë primare për sigurinë në dhe të Kosovës. Dhe derisa NATO dhe as KFOR-i nuk kanë hequr dorë nga ushtrimi i këtij obligimi, ku që ditën e parë të përshkallëzimit të situatës Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s i telefonoi Vuçiçit, është e pa-arsyeshme që kryeministri të flasë sikur ne kemi mbetur vetëm dhe tani na duhet të mobilizojmë gjithçka.
Dhe ajo që është edhe më kryesorja, kurrë Serbia nuk do i hynte një lufte të re me NATO-n, pasi ajo jo vetëm që do humbiste ushtarakisht, por do të humbiste edhe dominimin e saj mbi këtë pjesë të Ballkanit.
Si mendoni ju se Serbia do të hiqte dorë nga kontrolli që ka mbi Shqipërinë prej vitit 1981, ku të gjitha qeveritë pas këtij viti nuk janë ndërtuar pa bekimin e porosinë e saj?
Mendoni se vërtet Sërbia do dëshironte të humbte këtë “Ballkanin e Hapur” për të cilin po punon pa u lodhur Ed Rama?
Mendoni se vërtet Serbia do hiqte dorë nga ky hegjemonizën ekonomik që ka mbi Kosovën, Maqedoninë e Shqipërinë, të cilat i ka mbushur me produktet e saj?
Jo kurrë nuk do bëntë një vetvrasje të tillë!
Ndaj edhe kryeministri i Kosovës,të cilit i kemi besuar torishtën, duhet të veprojë në lartësinë e detyrës dhe të premtimeve elektorale të tij dhe forcës politike që drejton, e jo të sillet si militant partie me deklarata patriotike. Pasi e gjithë kjo ngjan me një dramë me regji europiane e aktorë ballkanas, ose si e themi ne ndryshe, një punë me propozim nga poshtë e miratim nga lart.
©Dritan Goxhaj












