Pacifizmi shqiptar - Nga Xhevdet Nasufi
Pacifizmi shqiptar në rafshin e politikës dhe opinionistëve, referues të tyre, si asnjëherë më parë po e dëmton Kosovën (me apo pa dashje) në dialog me Serbinë. Heshtja e tyre, mosdeklarimi, apo edhe projektet politike kontraverse, siç ishte shkëmbimi i teritoreve me Serbinë apo ndarja e Kosovës, pastaj mosdefinimi i konceptit për Asociacionin e Komunave serbe, apo edhe Ballkani i Hapur së fundi para njohjes së Kosovës nga Serbia, vetvetiu konceptin pacifist të të menduarit dhe vepruarit të politikbërësve shqiptarë (kryesisht në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, pa e përjashtuar edhe Kosovën) e konverton në dëmbërje.
Ndërsa SHBA dhe BE janë në pragun e mbarimit të durimit ndaj Serbisë (me sjelljen ndaj Kosovës dhe agresionin rus në Ukrainë), apo ndërkohë që serbët ekstremë nga të gjitha trojet e tyre ku jetojnë vijnë në Veriun e Kosovës për të mbrojtur serbizmin ekstrem, pacifistëtt shqiptarë (gjithsesi askush nuk preferon shqiptarizëm ekstrem) jo që nuk preferojnë reagimin sado pak kombëtar, bëjnë bile edhe të kundërtën. Preferojnë të ndjekin në heshtje ngjarjet në Veriun e Kosovës, radhisin deklarimet e tyre eventuale pas deklarimeve të SHBA dhe BE (është e pritshme që deklarimet vendore t’u prijnë atyre ndërkombëtare). Kjo vetvetiu sikur i ngjan, të themi, paragjykimit se gjithçka që po ndodh në Kosovë, është larg Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut.
Këtë lloj gjykimi politik e kemi provuar mirë në kohën e njëmendësisë poltiko-ideologjike, në kohën e komunizmit të egër, kur dukuria e paternalizmit si koncept politik i ndau dhe i largoj shqiptarët nga njëri-tjetri,u mundua t’i tjetërsojë prej vetvetes, e që ishte projekti më madhor edhe i Internacionales Komuniste, por edhe i vetë komunizmit në Shqipëri dhe Jugollavi.
Megjithëse pacifizmi si koncept politik nuk mund të gjykohet dhe anatemohet a priori, as si dekadent e as si antikombëtar, reflektimi pragmatik ndjeshën promovon injorimin e kombit, promovon kozmopolitizëm ekstrem, në kushte të funksionimit mbisundues të kombëtares mbi ndërkombëtaren. Kjo edhe për më shumë, që ky pacifizëm shqiptar sot lidhet me një koncept politik nacional-shovinist, ekspansionist dhe hegjemonist në Serbi, i manifestuar tani më ekstremisht ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.
Pra, Serbia dhe politika e saj e manifestuar si millosheviçiane edhe pa Millosheviçin, është e sprovuar ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. Pikërisht këtu edhe konsiston papërputhshmëria e politikes pacifiste në Tiranë, Shkup, aty këtu edhe në Prishtinë, me zhvillimet agresive të Serbisë, e që duam apo nuk duam, e inkurajon Serbinë për konsistencë antikosovare, veçmas tani para epilogut të dialogut.
Serbia që po militarizohet tani e kaq vite më parë, jo se edhe mundet të përballojë një luftë globale në Kosovë, por gjithsesi mundet të krijojë incidente. Blerja e paralajmëruar e dronëve nga Kosova (duhen llogaritur edhe ata të blerë në Shqipëri), dukshëm i relakson apo duhet t’i relaksojë marëdhëniet Kosovë-Serbi. Reagimi i Vuçiçit ishte i qartë për këtë. Shembull tipik për këtë efekt shumë më herët e kemi provuar mes NATO-s dhe Paktit të Varshavës. Ky i fundit falimentoi bashkë me detantën. Shembull i mirë për veprim.
Filozofia politike për kombin edhe sot pas tri shekujve e njeh si prioritet ndjesinë kombëtare në raport me ndërkombëtaren. Globaliteti politik që suksesshëm shtrohet në përmasa botërore sot, në asnjë moment dhe në asnjë rrafsh nuk e ka ndryshuar këtë raport mes kombëtares dhe ndërkombëtarës. E kundërta nga kjo po bëhet me lehtësi jo pak nga shqiptarët, gjë e cila i shkon për shtat Serbisë.
Sidoqoftë, edhe Bashkimi Evropian ku dëshirojnë të aderojnë edhe shqiptarët, është ngritur mbi këtë parim. Të gjithë shtetet anëtarë të BE nuk shkuan atje me identitet të tjetërsuar, të humbur, apo të ndryshuar kombëtar. Bile edhe më shumë se kaq, të gjithë shtetet e Bashkimit Evropian duke ruajtur identitetin kombëtar, interesat kombëtare, jo pak shprehin dhe manifestojnë burokratizëm, segmentarizëm, joefikasitet, që edhe e bën BE të ngathët në misionin e tij, por jo edhe rastësisht.
Paqedashjen mes kombeve nuk e sigurojnë vetëm deklarimet e mira, por shumë më shumë se aq vullneti i pakompromis për të. Proporcionaliteti dhe reciprociteti për të ndërtuar dhe ruajtur paqen me Serbinë, është më se i domosdoshëm. Shqiptarët duhet mirë ta kuptojnë këtë. Njëanshmëria pacifiste, dukshëm po keqkuptohet dhe po abuzohet nga Serbia.
©Xhevdet Nasufi











