Shqiptarët dhe serbët, secili në shtëpinë e vet - Nga Klodi Stralla
Sipas njoftimeve mediatike duket se janari do të jetë një muaj i ngjeshur bisedimesh, ku SHBA dhe BE do të ndërmjetësojnë për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare problemit shqiptaro-serb për Kosovën. Fatkeqësisht gjasat janë që ata do t’ia imponojnë asaj (Kosovës) “Zajednicën”- krijimin e Asociacionit të tre komunave me shumicë serbe në Veri të Kosovës, pra një hap drejt mundësisë për shkëputje të tyre në të ardhmen dhe bashkimin me Serbinë. Barrikadat serbe të fundmuajit dhjetor ishin pararendëset e këtyre ngjarjeve të pritshme.
Historikisht, që nga Mesjeta e herëshme dhe deri në ditët tona, shqiptarët (arbërit) dhe serbet (shqau) kurrë nuk kanë bashkëjetuar si të barabartë nën një shtet të përbashkët. Në mbretërinë mesjetare të Stefan Dushanit (shek.14-të) ishin serbët sundimtarë dhe shqiptarët të sunduar; me ardhjen e osmanëve në Ballkan (shek.15-të) raportet u përmbysën: sundimtarë ishin kryesisht shqiptarët, të konvertuar në islam dhe raja serbët ortodoksë. Ky raport zgjati për afër katër shekuj.
Me krijimin e Jugosllavisë të parë, kur, pas Luftrave ballkanike (1912) shqiptarët e Kosovës u gjendën nën qeverimin serb, raportet përsëri u përmbysën dhe shqiptarët, që konsideroheshin nga serbët si mbetje osmane në Ballkan (njerëz me bisht), të rrezikuar të shfaroseshin edhe fizikisht (elaboratet e ideologut Vasa Çubriloviç), emigruan në masë në Turqi dhe pjesërisht edhe në Shqipëri.
Situata u buzëqeshi përsëri shqiptarëve, ndonse për pak kohë, gjatë pushtimit italo-gjerman (1941-1944), kohë gjatë së cilës shqiptarët u bashkuan në një shtet të përbashkët dhe u lanë edhe shumë hesape të vjetra mes tyre. Por fill pas lufte, me krijimin nga Tito të Jugosllavisë së dytë federative, shqiptarët u gjenden përsëri nën diktatin serb, gjendje që vazhdoi mbi gjysmë shekulli, me ulje-ngritje, sipas konjukturave (koha e Rankoviçit).
U desh të vinte shpërbërja e kontrolluar e ish-Jugosllavisë, që Kosova të bëhej protektorat i OKB-së, me strukturë shtetformimi që ende nuk është konsoliduar përfundimisht. Mesa duket lufta në Ukrainë po i përshpejton edhe proceset ridimensionuese në Ballkan, pra konfigurimin e shteteve sipas përkatësive etnike.
Kjo e kaluar armiqësore, kjo mospërputhje kulturash që ka zgjatur me shekuj, e ushqyer edhe nga dallimet fetare mes të dy popujve (serbët ortodoksë, shqiptarët muslimanë), me rite dhe zakone të ndryshme, e bën thuajse të pamundur bashkëjetesën e tyre, si të barabartë, nën një shtet të përbashkët. Këtë ka treguar Historia shumëshekullore dhe çdo eksperiment ndryshe (shtet multietnik) do të jetë i dështuar. Ka ardhur koha të pranohet një zgjidhje radikale: secili në shtëpi të vet!
Kjo mund të bëhet në dy mënyra: ose këmbehen territore ku banojnë me shumicë njëra apo tjetra etni, ose shkëmbehen popullatat respektive, e shoqëruar kjo me bashkimin me shtetet amë (Serbinë dhe Shqipërinë). Kjo nuk nënkupton që zgjidhja të jetë e dhunshme, por kontrolluar nga të Mëdhenjtë, ndonse mund të jetë e dhimbshme.
Për mua, jo vetëm rasti shqiptaro-serb, por edhe ai i disa rajoneve të tjera në Ballkan e më gjerë, kërkojnë “prerje cezariane”, ashtu sikundër hekuri nuk mund të saldohet me drurin, por vetëm mund të bashkohen me bullona (bashkim i përkohshëm dhe i paqendrueshëm).
Realisht në Ballkan jetojnë katër popullata, me gjuhë letrare dhe kultura të konsoliduara: grekët, shqiparët, serbët dhe bullgarët, me popullsi dhe territore të përafërta. Komunitetet rome, egjiptiane, vllahe, turke etj., janë vetëm bashkësi kulturore, që kanë jetuar me vite ne gjirin e katër të mëdhenjve dhe pa shumë konflikte mes tyre.
Le të jetojnë grekët, shqiptarët, serbët dhe bullgarët, secili në shtëpinë e vet, me sa më pak pakica të njëri-tjetrit. Janë më shumë burime sherri sesa ura lidhëse. Mbase do të mirëkuptohen më mirë me njëri-tjetrin duke bashkëpunuar si të barabartë mes tyre. Ekuilibrat e qëndrueshëm (stabiliteti) sigurohen nga ballancimet e forcave (fuqia e gjithësecilit) dhe jo nga shpërpjestimet e tyre. Këtë ka treguar jetë e mot Historia.
©Klodi Stralla











