Opinione

Mënçuri apo idiotësia e radhës e diplomacisë amerikane në Ballkan? - Nga Hajro Çini

Jakov Milatoviç u zgjodh president i Malit të Zi, duke ndërprerë dominimin 36 vjeçar të Gjukanoviçit. Pa dashur të zgjatem në sundimin e gjatë të Gjukanoviçit, me gjithë dritë hijet e forta të tij, në çdo aspekt, për kombin shqiptar, unë gjykoj se ai ishte faktor pozitiv. Nga sot tani politika e Malit të Zi hyn në një fushë enigmatike, që për momentin askush nuk mund ta parashikojë me saktësi.

Në pamje të parë duket se është një fitore e Beogradit dhe e politikës së tij zyrtare të “Ballkanit të hapur”, që në thelb nuk është gjë tjetër veç se hegjemonia e Serbisë në Ballkan. Por a është në të vërtetë një fitore e Beogradit? Askush nuk mund të deklarojë me siguri.

A do të jetë afatgjatë kjo fitore e Serbisë? Ndoshta po, ndoshta jo, sepse kundër idesë serbomadhe të “Ballkanit të hapur”, qëndron stoike Gjermania, superfuqia, politike dhe ekonomike e Europës (dhe ndoshta shumë shpejt edhe ushtarake e Europës) dhe kur Gjermania ngul këmbë në agjendën e saj, edhe USA dhe Britania e Madhe hapin rrugë.

Kujtoni Jugosllavinë, një shtet artificial që mbijetoi për afro një shekull, ishte një ide franceze për të krijuar një kundërpeshë mbi Gjermaninë kur ajo fillon dhe bymehet. Mirëpo sapo Gjermania mori veten, pas Luftës së Dytë Botërore, kurbani i parë në Europë u bë pikërisht Jugosllavia. Ishte Gjermania ajo që në bashkëpunim të urtë dhe të mënçur me Dr. Rugovën, shkatërruan si fillim Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë dhe pak më pas edhe vetë Jugosllavinë duke njohur diplomatikisht Slloveninë dhe Kroacinë.

Ndërkohë që Gjermania përfitoi shumë nga politika e administratave republikane Reagan-Bush sr. që kërkonin, me shumë këmbëngulje, zbythjen e BRSS nga Ballkani, dhe është bërë progres mahnitës, politika kaotike (dhe e ndikuar nga korrupsioni) i administratave Obama-Trump-Biden, duket se është shumë larg vizionit Reaganian të një Ballkani jashtë influencës ruse.

Ambasadorët amerikanë në Beograd dhe Tiranë, duket sikur më shumë punojnë për Rusinë (dhe Serbinë) se sa për USA. Shto këtu edhe korrupsionin alla-McGonigal, Rossini etj., dhe duket se USA nuk di se çfarë bën.

Unë kam kohë që kam arritur në konkluzionin se diplomacia Amerikane është shtylla më e dobët dhe më e paaftë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me një diplomaci pak më të mënçur, USA nuk do të kishte pasur nevojë të hynte në një pjesë të madhe të luftërave që ajo ka bërë pas 1945.

Fitorja e forcave pro-serbe dhe pro-ruse në Malin e Zi, vërteton, në pamje të parë, dështimin amerikan.

A do të jetë ky rikonfigurim në Ballkanin Perëndimor i dëmshëm për kombin shqiptar? Këtu unë jam para një dileme të madhe. Pse?

Duket se me ndryshimin e kreut të shtetit në Malin e Zi, Serbisë po i hapet rruga të dalë në detin Adriatik, pa të cilën Serbia, sapo Rusia të ndeshet me “Waterloo”në e saj në Ukrainë, do të ngelet totalisht e izoluar dhe e rrethuar nga shtete anëtarë të NATO-s.

Ka që pas 1999, që diplomacia amerikane përpiqet t’i gjejë një rrugëzgjidhje Serbisë që ajo të shkëputet nga Rusia, dhe ky ka qënë shkaku që në politikën shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri, USA ka mbështetur shqipfolës të cilët nuk duan t’ia dinë fare për interesat kombëtare shqiptare.

Hashim Thaçi, Veseli etj., që sot po gjykohen si kriminelë, nuk do ta kishin parë rrugën e pushtetit me sy, nëse Dr. Rugova do të ishte gjallë dhe pa përkrahjen amerikane. Pasi Dr. Rugova kaloi në jetën e vërtetë, USA, gabimisht, u mbështet tek këta kriminelë anti-kombëtarë. Por edhe pse kishte Thaçin e gjithëfuqishëm në Prishtinë, USA i duhej që edhe në Shqipëri të sundonte një regjim antishqiptar. Këtë e arriti me Edvin K. Ramën.

Ekuilibrat e “strategjisë” së dështuar amerikane i prishi Kosova, nën qeverisjen e ekipit Osmani-Kurti, të cilët fituan bindshëm besimin e shqiptarëve.

USA tentoi të eliminonte opozitën në Shqipëri, që çifti Rama dhe krimineli gjakftohtë Lulzim Basha, të mbyteshin me miliarda euro, dhe USA t’i hapte rrugë Serbisë në portet e Shqipërisë. Në fund të fundit, sipas historianit dhe shkollarit të shquar australian, Prof. Christopher Clark, Lufta e Parë Botërore u bë për brigjet e Shqipërisë që sllavët donin t’i gllabëronin dhe forcat gjermanike nuk donin që kjo të ndodhte.

Shpallja non-grata e Dr. Berishës kishte pikërisht këtë qëllim.

Mirëpo një super i korruptuar si Blinken, pjesë e administratës më të korruptuar që USA ka pasur, u ndesh me një boomerang që atij i prish gjumin e natës.

Askush nuk e mendoi se një i moshuar do të ishte aq vital sa të sfidonte një nga njerëzit më të fuqishëm të globit në gjyq, për të vërtetuar akuzat e rreme të Blinkenit.

Ajo që bëri Blinken ishte çnjerëzore, por reagimi i Dr. Berishës ishte mbinjerëzor.

Shqipëria ka sot një opozitë mjaft luftarake, mjaft të pregatitur, mjaft të mënçur dhe me shumë përvojë.

USA e kupton tani, besoj unë, se dalja e Serbisë në detin Adriatik, përmes Kosovës dhe Shqipërisë është mision i pamundur. Ndosha ndryshimi i kursit në Malin e Zi, ishte veprim pragmatist amerikan, për të zgjidhur përfundimisht edhe situatën e ngrirë Kosovë-Serbi.

USA e ka kuptuar, besoj, se nuk e ka më lluksin, siç e ka pasur deri para pak vitesh, kur me arrogancë, ndërmerrte veprime të kushtueshme për të tjerët. Rreziku kinez është bërë shumë shqetësues për USA dhe ai rrezik e detyron USA që të bëhet më pragmatiste.

Takimet e Brukselit dhe Ohrit, në të cilat Kurti, me një prudencë dhe mënçuri legjendare, triumfoi bindshëm mbi Vuçiçin, më japin shumë shpresë që më në fund kombi shqiptar nuk është më para xhepi për t’u përdorur si kusur nga fuqitë e mëdha.

© Hajro Çini - Toronto

Tagged under Flasshqip.ca Hajro Cini