Ambasadorja e Shqipërisë në SHBA bën fushatë për kandidatin e PS në Shkodër
Editorial
Në një postim të datës 29 Prill 2023, në profilin e saj në Facebook, Ambasadorja e Shqipërisë në SHBA znj. Floreta Luli-Faber shkruan: "Për gjithë ato që nuk e besojnë se sa shumë bëjnë shkodranët për njëri-tjetrin! Je njish Benet Beci!"
Poshtë këtij statusi, ajo shpërndan një video të Top Channel ku një nga personazhet e programit Big Brother, shpreh publikisht suportin e tij për kandidatin e Partisë Socialiste për Kryetar Bashkie në Shkodër, z. Benet Beci.
Në këtë mënyrë ambasadorja përfshihet politikisht në një fushatë për kandidatin e partisë në pushtet. A është ky qëndrim i saj etik dhe ligjor?

Ligji për Shërbimin Diplomatik neni 51, pika ç, sigurisht që ia ndalon kreut të misionit diplomatik të jetë anëtar dhe veprimtar i një partie.
Zonja Luli-Faber nuk është anëtare e drejtëpërdrejtë e asnjë partie, por ama statusi i saj për Benet Becin perceptohet si një mbështetje ndaj një kandidati partie, gjë që është në shkelje të Kodit të Etikës së Ambasadorit, pavarësisht se ajo mund të thotë se është mbështetje prej shkodraneje dhe jo prej ambasadoreje. Për më tepër edhe tifozllëku i saj për atë lloj mbështetje mes shkodranësh që përmend personazhi i BB në video bie ndesh me parimet moralo-etike të një përfaqësuesi të lartë të shërbimit diplomatik.
Flasshqip.ca gjykon se ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në SHBA duhet të distancohet nga qëndrime të tilla emocionale personale të shprehura në një faqe rrjeti social që qartësisht identifikohet me pozicionin e saj zyrtar publik.
© Flasshqip.ca












