Pse fitoi përsëri Erdogan? - Nga Hajro Çini

Hajro Çini - Toronto
Që të kuptojmë se pse Erdogan fiton me zgjedhje të lira dhe të ndershme, duhet të hedhim sytë tek Historia. Historia duhet lexuar pa paragjykime fetare, kombëtare apo gjeopolitike. Turqia u krijua pasi Perandoria Osmane 600 vjeçare u shkri. Pushtetin e morën disa ushtarakë osmanë, që kishin punuar me zell për shkatërrimin e Osmanizmit dhe krijimin, sipas shëmbullit jakobin në Francë, të nacionalizmit turk.
Më vonë ky grup ushtarak (Xhonturqit ose Turqit e rinj) “mësoi” edhe politikën dhe u lidh me Perëndimin, veçanërisht Britaninë e Madhe dhe Francën. Bënë marrëveshje të fshehta me to dhe krijuan Republikën e Turqisë, e cila në pamje të parë dukej si demokraci, por në fakt ishte një diktaturë e kamufluar ushtarake fashisto-qemaliste.
Mustafa Qemali, si Enver Hoxha më vonë, i shpalli luftë besimit. Ai i shpalli luftë vetëm Islamit.
Kushtetuta e Republikës së Turqisë lejonte ushtrinë, që nëse një qeveri e zgjedhur me votat e popullit dilte nga diktati qemalist, ushtria bënte grushte shtetit dhe ka bërë disa.
Erdogan erdhi si politikan i ndershëm, patriot dhe i sinqertë. Ai fitoi zemrat e turqve, të cilët janë një popull trim, patriot, besimtar dhe krenar. Vota e lirë e atij populli i dha gradualisht pushtet të madh Erdoganit dhe ai arriti të ndryshojë Kushtetutën, duke e çliruar Turqinë nga kasta e gjeneralëve qemalistë. Duhet thënë se vetë ushtria është një nga shtyllat e shtetit turk dhe është një institucion shumë i respektuar. Mendohet se focat tokësore turke janë më të përgatiturat dhe më të pathyeshmet në luftën tokësore. Erdogani e ktheu Republikën e Turqisë nga parlamentare në presidenciale, siç janë USA dhe Franca.
Gjatë 10 viteve të para të pushtetit të Erdoganit, Turqia njohu arritje të jashtëzakonshme ekonomike, dhe nga një vënd që merrtë borxhe nga FMN, në vitin 2010, Turqia, pasi shleu borxhin e fundit, i dha borxh FMN disa miliardë dollarë, pra nga vend debitor, pas 80 vjetësh u kthye në vend kreditor. Në vitin 2012, Times Magazine e shpalli Erdoganin Njeriu i Vitit.
Erdogani e rriti ndjeshëm lirinë dhe sovranitetin e Turqisë. Turqia nuk veprone më ushtarakisht, si mercenare e Perëndimit, por filloi të diktonte edhe politikisht dhe me shumë peshë në arenën ndërkombëtare.
Pak kohë pas këtyre sukseseve, Erdogan vendosi të thyejë embargon kriminale izraelite në Rripin e Gazës dhe dërgoi atje ushqime, ilaçe dhe ndihma të tjera humanitare. U përplas me Izraelin dhe prishi të gjitha marrëveshjet ushtarake që kishte me të.
Kur Izraeli u krijua, SHBA u kujdes që t’i krijonte atje edhe aleancën që të mbijetone. Për këtë shërbente trekëndëshi Turqi-Iran-Egjypt. Sot në mbështetje të Izraelit nga të tre këto shtete ka ngelur vetëm diktatura kriminale egjyptiane e Al-Sisit. Është ky shkaku që sot Erdogan anatemohet në USA, siç është bërë me Iranin që nga 1979, kur iranianët rrëzuan me revolucion popullor regjimin e urryer dhe kriminal të Shahut. (Lexoni librin e David Talbot “The Devil’s Chessboard - Allen Dulles, CIA, and the Rise of America’s Secret Government” - dhe e kuptoni pse mbahet gjëndje e nderë midis Britanisë së Madhe, SHBA dhe Iranit, si dhe shikoni edhe paralelen me Erdoganin).
Erdogan nuk është diktator, por çliruesi i vërtetë i Turqisë. Në fillim e çliroi nga diktatura e kamufluar ushtarake fashisto-qemaliste, pastaj nga zgjedha financiare ndërkombëtare.
Sot Turqia gëzon shkallët më të larta të lirisë ndërkombëtarisht dhe sovranitetin më të plotë që nga koha e Kalifatit Osman. Ju kujtohet pak muaj më parë, kur Ambasadori i SHBA dhe disa ambasadorë të tjerë perëndimorë tentuan të fusin hundët në punët e brendshme të Turqisë? Erdogan i kërkoi Ministrit të Jashtëm turk që t’i shpallte brenda 48 orësh non-grata të gjithë. Ata u tërhoqën, kërkuan ndjesë dhe premtuan se nuk do të shkelnin më Konventën e Vjenës.
Erdogan sot është një nga shtyllat më të pathyeshme që kundërshton Rendin e Ri skllavërues perëndimor. Është kjo arsyeja kryesore sepse një popull aq patriot dhe krenar sa ai i Turqisë e votoi sërish bindshëm.
© Hajro Çini










