Opinione

Realpolitikë amerikane

Nga: Zef Preçi

Edhe pse personalisht asnjëherë nuk e kam kuptuar qartë heshtjen e diplomacisë Amerikane dhe Europiane në Tiranë në periudhën e kanabizimit të vendit dhe përfshirjen e gjerë të policisë, një numri deputetësh dhe të mjaft funksionarëve të tjerë të lartë publikë në mbrojtjen dhe përfitimet marramendëse nga kjo veprimtari kriminale, ende e pazbardhur plotesisht (perjashto ndryshimet ne drejtuesit e policisë në qendër dhe në qarqe nga Ministri Xhafaj), besoj se për cilindo që ndjek zhvillimet politike, ekonomike, sociale, etj. në vendin tonë, nuk është vështirë për të kuptuar çfarë kanë të përbashkët në mënyrë thelbësore këto qëndrime.

E përbashkëta e diplomacisë Amerikane dhe Europiane në Tiranë, është serioziteti në angazhimin e tyre në reformën në drejtësi, bashkërendimi i përpjekjeve për të krijuar një kulture ligjore dhe institucionale të bazuar në barazinë përpara ligjit të cilitdo qytetar a pushtetar, në pushtet apo në opozitë, i pasur apo i varfer... Eshte pikërisht "barazia përpara ligjit" premisa fillestare për çrrënjosjen e "kulturës së pandëshkueshmërisë" e ngulitur aq thellë nga elita post-komuniste politike e diskredituar dhe e korruptuar e vendit tonë.

Të jemi të qartë, reforma në drejtësi e nisur me veting-un, megjithë ngadalësinë e pajustifikueshme dhe "gurët nën rrota" që mund të vënë ndaj këtij procesi segmente të caktuara anti-reformë, më shumë në radhët e maxhorancës se të opozitës, apo më keq Akoma, përpjekja për "pronësimin" politik apo politizimin e institucioneve të reja nga maxhoranca që rrezikon t'i ktheje këto institucione në koracën mbrojtëse të abuzuesve të djeshëm apo të sotëm me pushtetin dhe besimin publik, do të ecë përpara dhe është e pakthyeshme.

Amendimet e paradyvjetëve në më shumë se 1/3 e Kushtetutës, kanë sjellë një realitet të ri politik dhe institucional në Shqipëri, ndërsa dhe SHBA dhe BE kanë nxjerë jo pak mësime të vlefshme nga problemet e shfaqura e një reforme të ngjashme të ndërmarrë më herët në Rumani, Kroaci dhe së fundi në Maqedoni. Dmth "qeverisja" e drejtësisë në Shqipëri edhe disa dekada do të jetë tripolare, pra përveç maxhorancës dhe opozitës, duhet marrë seriozisht edhe prezenca e huaj e SHBA dhe BE, dhe kjo do të jetë edhe më e dukshme sapo institucionet e reja të drejtësisë të fillojnë funksionimin e tyre sipas ligjit.

Me këtë rast, duke vleresuar pozitivisht mitingun e djeshëm të protestës të opozitës, mendoj se roli i kesaj të fundit vjen duke u rritur, sidomos në kontrollin institucional përmes Kuvendit të procesit ligjëvënës në fushën e drejtësisë për të garantuar balancat e nevojshme, si premisa të rëndësishme për legjitimitetin e veprimtarisë së institucioneve të reja të drejtësisë në të ardhmen.

Gjithashtu, të jemi të qartë edhe për diçka tjetër. Hapi i radhës në procesin e integrimit në Bashkimin Europian - vendimarrja e liderve të BE për marrjen e ftesës për çeljen e negociatave është afër dhe ka akoma shanse të ndodhë. Por ajo nuk është dhe nuk mund të jëtë kurrsesi një hipotekë politike e maxhorancës së majtë me pushtet dhe as që mund të arrihet me propapagandë mediatike apo reforma deklarative gjysmake që vetem se rritin peshën e kësaj maxhorance në kontrollin e institucioneve të drejtësisë e atyre kushtetuese në përgjithësi.

Ndeshkimi sipas ligjit i zyrtarëve të lartë, larg populizmit abuziv dhe spekulimeve mediatike apo mbi bazën e teorive konspirative, pavarësisht emrave të perveçëm apo peshës që kanë patur apo që kanë aktualisht në skakierën politike të vendit, pavarësisht dhimbjeve në formacionet politike përkatëse, është parakusht për rikthimin e besimit të qytetarëve ndaj shtetit të së drejtës, është premisë për të krijuar një kulturë tjetër në ushtrimin e këtyre funksioneve dhe mbi të gjitha, një sjellje tjetër, larg arrogancës së sotme të zyrtarëve të zgjedhur apo të emëruar politikë të vendit tonë.

Deklarata e ambasadorit Amerikan D. Lu dhe thirrja e tij e sinqertë për një proces të rregullt ligjor ndaj një zyrtari të lartë të dyshuar për perfshirje në krimin e organizuar, por edhe paralajmerimi serioz për legjitimitet të vendim-marrjes përkatëse, janë një dëshmi tjetër jo thjesht e faktit se ai ka përfaqësuar dhe përfaqeson në çdo çast interesat e vendit të tij mik dhe partneri strategjik më i rëndësishëm i Shqipërisë në të gjithë historinë e vet si shtet sovran.

Largimi i Ambasadorit Lu nga Shqipëria pas disa javësh me rastin e mbarimit të mandatit si përfaqësues zyrtar i Ëashingtonit në Tiranë, nuk ka përsë të gëzojë në fshehtësi politikanë të korruptuar, "peshq" të të gjitha madhësive e peshave, sepse ashtu si politika miqësore amerikane në mbështetje të progresit demokratik të Shqipërisë dhe mirëqënies së shqiptarëve si dhe mbështetja e proceseve të nisura duke filluar me reformën në drejtesi, do të vazhdojnë me të njëjtin intensitet. Kjo është aq e vërtetë sa reformën në drejtësi dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri nuk e pengon dot më askush, as vetë Donald Lu...