Opinione

Një memorandum për…memorandumet

Nga: Zef Preçi

Nënshkrimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit midis institucioneve shtetërore në vartësi të ekzekutivit dhe jashtë tij (institucionet kushtetuese apo ato të krijuara me ligj të veçantë), eshte një modë që u soll në Shqiperi kryesisht nga projektet e asistencës teknike të USAID-it, me sa duket nisur nga përvoja e vendeve të Afrikës e Azisë, në të cilat konfliktet civile e bënin të domosdoshme ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, të enteve fetare, etj., që përtej ligjit (të pazbatueshëm, kuptohet) të ndërmerreshin edhe nisma të tilla publike. Synimi ishte dhe mbetet i qartë: përcjellja në publik e mesazhit se institucionet e shtetit, pavarësisht mënyrës së krijimit të tyre, pavarësisht faktit se cili lob politik i ka emeruar drejtuesit e tyre, angazhohen publikisht për njohje të ndërsjelltë institucionale, që në veprimtarinë e tyre të përditshme të zbatojnë “ligjin dhe vetëm ligjin”. Dmth synohet që të ç’vendoset pesha e ushtrimit të pushtetit nga individët dhe për llogari të individëve politikisht të fuqishëm, drejt institucioneve, rregullave të shkruara që mbrojnë dhe përfaqësojnë interesin publik në një moment të dhënë, pak a shumë siç ndodh kudo në vendet demokratike të botës së sotme.  

Po në Shqipërinë tonë “tmerrësisht demokratike” (sipas një eufemizmi të Edmond Tupes) ç’po ndodh? As më shumë dhe as më pak, ka rënë një “epidemi” memorandumesh (marrëveshjesh), në të cilën janë përfshirë jo vetëm vendasit e etur për të dalë përpara kamerave televizive, por edhe disa të huaj (që asistojnë tranzicionin tonë drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut), një proces që nuk po merr fund kurrë (“mbetem mbi urë”, do të thoshte Edmond Tupja përsëri).  

Nëse shohim evoluimin e kësaj forme të bashkepunimit sopra-institucional në vendin tonë, nuk mund të mos vërejmë disa konstatime që zhvleresojnë vetë përdorimin e këtij instrumenti thjesht ndihmës e mediatik, i cili kurrsesi nuk mund të zëvendësojë legjislacionin primar dhe sekondar që rregullon veprimtarinë e institucioneve të shtetit, apo me keq akoma edhe marrëveshjet ndërkombëtare në të cilat ky shtet është palë (në rastin e Memorandumeve me agjenci dhe institucione të huaja).

Së pari, në Shqipërinë e sotme zhvillohet vetëm një luftë: lufta për para dhe për pushtet ndërmjet klaneve të elites politike dhe biznesit (oligarkisë) të lidhur me të, pra nuk ka luftë civile si në Afrike. Fatmirësisht, siç dihet, shkalla e aksesit mbi të mirat materiale për disa grupe jashtë pushtetit dhe opozitës dhe mundësia për të lënë vendin në mënyrë të rregullt dhe të parregullt për shumë qytetarë të tjerë (që ndjehen të pashpresë apo të përjashtuar), kanë minimizuar rrezikun që kjo të ndodhe, edhe pse kufizimi në aksesin në të mirat publike si rezultat i keq-qevesjes, përbën një sfidë jo të vogël për shumicën e qytetarëve të vendit.  

Së dyti, as për memorandumet e nënshkruara vite më parë (psh Memorandumi mbi parandalimin e pastrimit të parave, i nënshkruar më 2002 midis Ministrisë së Financave, Ministrisë së Rendit Pubik, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Bankës së Shqipërisë) dhe as ato më të fundit, nuk kanë sjellë ndonjë dobi publike, dmth nuk janë respektuar nga institucionet përkatëse. Meqë përmenda një Memorandum të vitit 2002, është koha që të kujtojmë se kanabizimi i vendit ndodhi edhe pse institucionet kishin nënshkruar një dokument të tillë zyrtar, dhe askush nuk u kujtua të kërkonte llogari mbi bazën e tij. Madje nuk ka asnjë raportim monitorimi të zbatimit të memorandumeve të shumta të nënshkruara herë pas here, se sa për fuqi detyruese për zbatim nuk ka se si të flitet. Natyrisht, këtu nuk e kam fjalen për shndërrimin e ceremonive boshe të nënshkrimit të memorandumeve në tribuna propagandistike që i shërbejnë vetëm ndërtimit të imazhit të “Shqipërisë virtuale”, e cila ekziston vetëm në megastudiot e pushtetit qendror e vendor, si refleksion i sub-koshiencës së “udhëheqësve”, e për të cilën ata bëjnë çmos që ta ngulitin me çdo mjet në mind-set-in (trurin) e “qytetarit mesatar” të vendit.

Në përfundim, ndoshta me e mira do të ishte rritja e transparencës në përmbushjen e detyrave të veta funksionale nga institucionet e shtetit dhe sidomos nga agjencitë ligj-zbatuese. Këtij qëllimi do t’i shërbente raportimi i rregullt në Kuvendin e Shqipërisë dhe debati përmbajtësor i deputetëve mbi raportet që paraqiten si dhe monitorimi periodik nga shoqëria civile i ecurisë së zbatimit të planeve vjetore të punës të këtyre institucioneve (shumica e tyre nuk kanë ende një dokument të tille zyrtar të publikuar), etj. Në këtë mënyrë do të rritet jo vetëm kultura institucionale dhe ligjore e qytetarëve, por edhe aktivizmi civil do të njohe dimensione të reja pozitive, duke dalë nga llogorja partiake, apo më keq akoma, nga interesi i ngushtë i “bukës së gojës”, për të cilin shumica e qytetarëve detyrohen të mbyllin gojën dhe veshët njëkohësisht…

Tagged under Zef Preçi