Opinione

Fatura që Sali Berisha po paguan në këtë moshë - Nga Enver Bytyçi

Enver Bytyçi

Dhëndrri i ish-kryeministrit Sali Berisha është arrestuar dhe vetë ish-presidentit dhe ish-kryeministrit i është ndaluar udhëtimi jashtë shtetit. Edhe 100 pasaporta të kishte ai nuk arratiset. Ka edhe një vendim për “detyrim paraqitjeje”.

Arsyeja: Privatizimi i “paligjshëm” i kompleksit sportiv “Partizani”. Dëshmitarë janë enveristët e Rilindjes. Prokurorët dhe hetuesit e Sigurimit të shtetit. Urdhëdhënës djali i Kristaqit dhe nipi i Spiro Kolekës. Gjyqtare një qyqare. Avokatë mbrojtës llapaqenët e përhershëm që ushqehen nga “Rilindja”. Juria e gjykimit publik janë të gjithë enveristët dhe ata që humbën privilegjet nga përmbysja e sistemit komunist.

Ndihmës e përkrahës: Liberalët pa atdhe e pa fe të të gjithë kontinenteve. Të gëzuarit më të mëdhenj: Aleksandër Vuçiç dhe të gjithë ata që duan t’ia ngulin thikën Kosovës prapa shpine e në zemër të saj.

Nëse e analizojmë në këtë kontekst ajo që ndodhi të premten e kësaj jave është një akt thellësisht politik e madje antikombëtar. Por më duhet të them se arsyeja e kësaj dhunë të shtuar kundër Sali Berishës është vetë Sali Berisha. Pse mendoj kështu?

1. Çfarë iu desh doktorit me bluzë të bardhë të heqë bluzën e të merret me politikë? A nuk e dinte ai se ishte “malok”? Kujt i duhen “malokët” në këtë vend? Kur u janë dashur ata qeveritarëve “të lindur” për qeverisje në Shqipëri e të gatshëm ta shesin atdheun? Pse doktori u bë doktor në fund të fundit? Ç’iu desh atij të marrë valixhen e drurit e të vijë nga Tropoja në Tiranë për studime? Keq ishte me fshatin, me arat, me livadhet, me delet e me dhitë e malësisë?!

2. Për më tepër çfarë iu desh Berishës të studionte aq shumë? Pse ai duhej të lexonte si i marrë e papushim? Pse duhej të përftonte aq shumë njohuri, aq shumë sa po t’i marrësh të gjithë kundërshtarët e tij së bashku, nuk e arrijnë dot? Pse? A nuk e dinte ai se do shkaktonte xhelozi, hakmarrje, helm, urrejtje? Më mirë do ishte injorant, i pashkollë, i padijshëm.

3. Por kryesore është se Doktor Berisha, duke mos dashur të rrijë me bluzën e bardhë, rrënoi dhe shkatërroi sistemin politik që garantonte pushtetin e Zonës së Parë Operative. Nga një studim i profesor Hysamedin Feraj me titull “Skicë e mendimit politik shqiptar”, rezulton se 70 përqind e Byrosë Politike të kupolës komuniste gjatë 45 viteve diktaturë ishte nga ajo zonë. Dhe dëshmia tjetër e atij studimi na ve në dukje se po kaq përqind e kësaj kupole të diktaturës ishin jo shqiptarë, pra, grekë, vllehë, malazezë, minoritarë sllavë etj. Vërtet mendonte Sali Berisha se do të përballej me gjithë këtë kontigjent kriminal të konsoliduar në dekada? Kjo është sikur t’i biesh murit me kokë.

4. Gjatë qeverisjes së tij Sali Berisha bëri më shumë se sa kanë bërë të gjitha qeveritë e tjera së bashku, përfshirë dhe këtë më jetëgjatën e pluralizmit me Edi Ramën. Bëri më shumë se çdo qeveri tjetër në historinë e shtetit shqiptar. Po si ia mori mendja atij se njerëzit e indoktrinuar dhe të privilegjuar të komunizmit dhe të postkomunizmit do ta pranonin këtë sfidë? Kurrë jo! Duhet burgosur Sali Berisha që ata të ngrenë lart emrin e tyre mbi rrënojat që ia kanë shkaktuar Shqipërisë. Kjo është filozofia e “Rilindjes”.

5. Po mire, si mund të pajtohen ata që në vitin 1945 ua morën pronat pronarëve të vërtetë e të ligjshëm me kthimin e pronave po këtyre pronarëve? Eshtë vërtet naivitet ta mendosh e ta besosh këtë. A e shihni se çfarë lufte po bëhet në bregdet? Konflikti Shqipëri-Greqi vetëm se shërben si mbulesë e grabitjes së pronave, asgjë më shumë. A mund të lejojnë ish-bllokmenët të bëhen hyzmeqarë të ish të shpronësuarve prej tyre? Harrojeni! A mund të lejojë nipi i Spiro Kolekës i Zonës së Parë Operative të një lufte vëllavrasëse, që një “maloku” t’i shndritë ylli më shumë se atij? Edhe këtë harrojeni!

6. Por Sali Berisha po paguan edhe lëshimet e tij. I ka bërë lëshimë Fatosit dhe Fatosi ia ka kthyer me urrejtje e mallkime. I ka bërë lëshime Gramoz Ruçit dhe Gramozi e ka groposur sa herë i ka ardhur rasti. I ka bërë lëshime edhe Edi Ramës dhe ky i ka përdorur lëshimet e Berishës si armë kundër tij. Në një farë mënyre kjo është faturë që ia ka lëshuar vetes së tij. Ndoshta pa e ditur. Ndoshta nisur nga humanizmi dhe parimi se opozita duhet të respektohet. Por si mund të jesh kaq human me mizorët dhe vampirët e pashpirtë?

Ah, Doktor, Doktor! Mirë e ka thënë Jozefina Topalli: Plumbin kokës e donin këta banditë që po na e shesin edhe Shqipërinë në emër të luftës kundër jush! Edhe në atë jetë nuk do i ndahen këta Berishës, siç nuk iu ndanë Mbretit Zog!

© Enver Bytyçi

Opinionet e shprehura në rubrikat e ndryshme nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht mendimin e botuesit të Flasshqip.ca.