Kosova mes demagogjisë dhe narcizizmit - Nga Dritan Goxhaj
Kosova kurrë nuk ka qënë e lirë, ajo gjithnjë ka qënë e pushtuar ose nga të huajt që për më të shumtën kanë qënë edhe fqinjë, ose nga vetë shqiptarët. Nëse të huajt e kanë pushtuar atë me dhunën e armëve, shqiptarët e kanë pushtuar atë më armët e pushtetit të tyre demagogjik dhe narcizist.
Që pas çlirimit të Kosovës nga fqinjët pushtues, ajo ka hyrë në një fazë të pushtetit demagogjik ku gjithkush që ka ardhur në fuqi me anë të zgjedhjeve ka bërë vetëm atë që i ka shërbyer intereseva të ngushta të klanit të tij, që ka udhëhequr dhe udhëheq, dhe jo në shërbim të interesave të gjithë qytetarëve të saj.
Në frymën e narcizizmit u grabitën pasuritë publike të saj duke ia shitur atyre bizenesmenëve me të cilët ata që kishin pushtetin kishin marëdhënie.
Në frymën e narcizizmit u grabitën tokat publike të Kosovës për t’iu shitur atyre që kishin pushtetin dhe atyre që ishin të lidhur me pushtetin.
Në frymën e narcizismit u miratua dhe u anatemua çdokush që ishte kundër themelimit të një gjykate dhe prokurorie speciale për gjoja krimet e UÇK në Kosovë, me idenë se kjo nuk do i prekë ata që do e themelonin, por vetëm ata të tjerët që dje i kishim bashkëluftëtarë, por sot kundërshtarë politikë.
Dhe kjo frymë së bashku me atë të demagogjisë vazhdon edhe sot.
Ka prej disa kohësh që kryeministri aktual i Kosovës Albin Kurti iu bën thirrje forcave të caktuara, në veçanti atyre britanike për të shtuar prezencën e tyre në Kosovë në kuadër të KFOR-it. Por në mënyrë të pashpjeguar nuk e bën këtë kërkesë edhe ndaj SHBA.
Kjo si duket për të treguar karshillëk politik ndaj SHBA të cilat kanë kohë që e kritikojnë për veprimet dhe sjelljet e tij. Dhe e gjitha kjo të jep përshtypjen e një sjelljeje fëminore, ku unë kam më shumë shok atë që nuk më kritikon sesa atë që më kritikon.
Por kjo nuk ndalet me kaq, ndërkohë që ka disa ditë që Kurti po deklaron në rrjetet e tij sociale se Sërbia do e sulmojë dhe po bëhet gati ta sulmojë Kosovën, ai nga ana tjetër autorizon ministrin e Mbrojtjes të qeverisë së tija, Ejup Maqedoncin që në takimin e datës 19 mars të këtij viti, të mbajtur në bazën amerikane të Ramshtajnit në Gjermani, në mbledhjen e mbajtur atje nga Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës të deklarojë se “Kosova po bën gati paketën e dytë të ndihmës ushtarake për Ukrainën”.
Dhe çuditërisht marrim vesh se Kurti në emër të Kosovës paskish dhënë edhe një paketë të mëparshme ndihmash ushtarake për Ukrainën.
Paketa e parë ka përfshirë mjete të blindura ushtarake dhe mjete të tjera transporti ushtarak. Ndërsa paketa e dytë do të përfshijë një sasi prej disa mijërash predha mortajash.
Vetëm kjo lloj deklarate dhe ndihme e dhënë ndaj Ukrainës nga ana e Kosovës është jo vetëm demagogji dhe narcizizëm por edhe një fyerje e madhe për gjithë Kosovën dhe në veçanti për UÇK dhe dëshmorët e viktimat e luftës së fundit në Kosovë.
Mbështetja politike që Kosova i jep Ukrainës prej fillimit të luftës atje besoj se është mëse e mjaftueshme për të treguar se ne qëndrojmë në krah të aleatëve tanë në këtë konflikt. Por dhënia e ndihmës ushtarake një shteti i cili pavarësisht qëndrimit politik të Kosovës në këto dy vjet, as nuk e merr mundimin më të vogël që të paktën ta njohë Kosovën, është vërtet absurd.
Pastaj absurditeti shtohet kur dihet që në luftën e vitit 1998-1999 ukrainasit kanë luftuar përkrah forcave serbe në Kosovë.
Do thoni ju që kanë qënë vendime individuale, ndërsa unë po ju them që jo, pasi ukrainasit ishin i vetmi grup që erdhën së bashku dhe qëndruan kompaktë pa u shpërndarë si kokrrat e rrushit nëpër njësi të tjera serbe, por vepruan si një njësi e vetme në mbështetje të genocidit serb në Kosovë.
Dhe ajo çka e bën edhe më absurde këtë çështje është se kontigjenti ukrainas në mbështetje të forcave serbe ka marrë pjesë në luftimet e dhjetorit 1998 në Podujevë në Zonën Operative të Llapit, në atë që njihet si beteja e Tabeve të Llapashticës, dhe ministri aktual i Mbrojtjes i Kosovës ka qënë ushtar i UÇK dhe pikërisht në zonën e Llapit, dhe nuk ka si të mos ketë njohuri direkte mbi këto luftime.
Deri më tani ishim te absurditeti i këtij vendimi të qeverisë Kurti, ndërsa tani do kalojmë tek demagogjia e tij.
Një logjikë e thjeshtë njerëzore do mendonte se kur je në rrezik që dikush të të sulmojë atëherë të duhet që ti të forcohesh nga ana ushtarake.
Kjo do të thotë që të mbledhësh sa më shumë mjete ushtarake të ose pablinduara, si dhe sa më shumë armatime dhe municione. Por kur gjatë gjithë kohës deklaron se ndihesh në rrezik dhe pastaj gjatë po kësaj kohe boshatis depot e tua të mjeteve ushtarake dhe të muncioneve, të krijon përshtypjen se, ose po bën lojën e armikut në mënyrë që ai kur të sulmojë ta gjejë Kosovën të pa-armatosur dhe të papajisur ushtarakisht, ose ky sulm të cilin po e deklaron se do ndodhë ke dijeni të plotë se nuk do ndodhë, por thjesht të duhet për kapital politik.
Ndërsa narcizismi qëndron në faktin që bazuar mbi të gjitha sa shkruhen më lart, Kurti dhe qeveria e tij në injorim të plotë të historisë dhe të sakrificës së shqiptarëve më 1998-1999 merr vendime të tilla pa i konsultuar aspak, as me Parlamentin (jo se kam ndonjë ide se ata në Parlament do e ndalin Kurtin në këtë veprim, pasi servilizmi në radhët e deputeteve të Parlamentit të Kosovës për çdo veprim të Perëndimit i kalon limitet e servilizmit dhe kthehet në idiotësi), por as edhe me qytetarët e saj. Duke na treguar se ai dhe qeveria e tijë i dinë të gjitha dhe çdo vendim i tyre është gjithnjë i mirë.
Pasi nuk ka narcizisëm më të madh se kjo që mjete dhe municione të blera me paratë jo vetëm të taksapaguesve të Kosovës, por edhe të atyre qytetarëve që kanë dhuruar para atëherë kur qeveria bëri thirrje për dhurime për të blerë paisje, mjete, municione dhe armatime për nevoja të FSK për t’u mbrojtur nga një sulm i mundshëm i Sërbisë ndaj Kosovës, të përdoren për një shtet i cili as nuk denjon ta njohë Kosovë, dhe pa iu marrë leje atyre që kanë dhuruar paratë.
Do kisha dashur ta konsideroja një turp të madh këtë veprim të qeverisë Kurti dhe veçanërisht të ish-pjestarit të UÇK Ejup Maqedoncit, por duket që turpi nuk di se ku bje Kosova.
© Dritan Goxhaj