Opinione

Marrëveshja, Patrikana dhe fëmijët e Ibrit - Nga Veton Surroi

1.

Adem Demaçi dhe Peshkopi Artemije ishin me trupgjatësi të ngjashme dhe kur u përshëndetën krijuan një afërsi, sikur të ishin njohur qëmoti. Që të dy, çdonjëri në formën e vet, kishin aftësinë e tejkalimit të fazës fillestare të eksplorimit të fjalëve të njëri-tjetrit dhe në vend të saj kalonin drejt e në ofertë për një kuptim më të thelluar të ndërsjellë.

Kësaj, natyrisht, u ndihmonte natyra e Bacës Adem që nuk kishte paragjykime dhe fakti se ky takim ndodhte në Pashkë ortodokse e në Selanik. Isha me ta në tryezën e darkës dhe për një kohë të gjatë ishte sikur të bëhej fjalë për dy miq që nuk ishin takuar për një kohë të gjatë; në dollitë për njëri-tjetrin nuk kursyen fjalë miradije e shprehje dëshire që ta gjejmë paqen mes nesh. E tërë darka do të mund të kalonte kështu po të mos mbërrinim te djegia e kuzhinës së Patrikanës së Pejës diku në fillim të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar. Patriarku tha se këtë akt do të duhej ta dënonin shqiptarët, baca Adem tha se kuzhina e Patrikanës ishte djegur për shkak të një defekti në furrë. Fjalë pas fjale, ata që e kishin filluar bisedën duke tejkaluar paragjykime u pozicionuan brenda të vërtetave të tyre. Patriarku tha se “dihet botërisht që djegia qe një akt armiqësor” dhe se shqiptarët duhej ta dënonin këtë akt. Demaçi tha se tashmë dihet botërisht se djegia ndodhi prej një qyngu që zuri zjarr dhe se këtë e vërtetoi ekipi hetimor që shkoi për të vërtetuar ngjarjen. Patriarku tha i ekzaltuar, për të vërtetuar qëndrimin e tij se tashmë kishte dokumente se ishte një akt diversioni, ndërsa Demaçi, edhe më i ekzaltuar, tha se me këso dokumente false ai kishte kaluar 26 vjet burg.

Ky është në pak fjalë, e në një kontekst pa dhunë, konflikti i papërfunduar mes Kosovës e Serbisë, pamundësia për të unifikuar rrëfimin për një ngjarje të njëjtë, qoftë edhe për një siç ishte qyngu i Patrikanës.

2.

Atëbotë ekspertiza e Policisë së Kosovës, Serbisë dhe Federatës nxori konkluzion se zjarri ndodhi për shkak të një defekti, por ky rrëfim mbeti diku në sirtarë zyrtare. Në hapësirën publike të Serbisë mbeti në mbamendje se shqiptarët do të jenë përpjekur ta digjnin Patrikanën e Kishës ortodokse serbe, që për popullin serb paraqet njërin prej monumenteve më të rëndësishme kulturore e religjioze. Për dikë me paragjykime brenda hapësirës shqiptare, djegia në Patrikanë mund të kishte qenë inskenim, për t’ua lënë fajin shqiptarëve.

Ashtu mbeti në mbamendje, si një serb i martirizuar edhe Gjorgje Martinoviçi. Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë Gjorgje Martinoviçi shihet në pikturën e piktorit të njohur serb, Mica Popoviç, si një lloj Krishti i kësaj treve e kësaj kohe, i kryqëzuar nga shqiptarët, e i dhunuar me një hu e shishe të futur në anus nga figurat me plis dhe milicët si vëzhgues. Në raportin e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Kosovës, Serbisë dhe Federatës jugosllave, bazuar edhe në atë të Sigurimit Ushtarak të Jugosllavisë, Gjorgje Martinoviçi, një civil i punësuar në APJ, më 1 maj të vitit 1985 me rastin e masturbimit anal me një shishe të ujit mineral vetëlëndon pjesët e fundme të zorrës së trashë nga thyerja e shishes. Ky rrëfim nuk është shtresuar në hapësirën publike të Serbisë, në të ekziston edhe sot e kësaj dite ai i martirizimit të Gjorgje Martinoviçit.

Kështu për disa vjet me radhë u fol edhe për krimin në kafenenë “Panda” në Pejë. Në dhjetor të vitit 1998 dy persona hapën zjarr në kafenenë ku rrinin kryesisht serbët. U vranë gjashtë dhe u plagosën shumë të tjerë dhe kjo masakër menjëherë iu atribuua UÇK-së; Peja hyri në gjendje shtetrrethimi e terrorizimi të theksuar të popullatës shqiptare që atëherë, me rrugët e zbrazura pas orës 3 pasdite. Gati njëzet vjet më vonë, vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, shprehu publikisht, disa herë, se përgjegjësit për masakrën në “Panda” nuk ishin shqiptarët. Ai drejtoi gishtin kah përgjegjësit në Serbi.

3.

Dhe, kjo nuk ekziston vetëm në hapësirën publike të Serbisë. Njëzet vjet më parë tre fëmijë shqiptarë u mbytën në lumin e fryrë Ibër, afër fshatit Çabër. Duke mos pritur asnjë konfirmim kompetent të ekzaminimit të rrethanave nga Televizioni publik i Kosovës u bënë përgjegjës “serbët” (persona të panjohur por dihej, sipas kësaj informate se ishin serbë) dhe në Kosovë shpërtheu dhuna ndëretnike më e rënda që nga fundi i luftës. Dhuna që në fillim mund të ketë qenë spontane, e pastaj gjithnjë e më e organizuar, la 23 të vrarë, prej të cilëve 13 shqiptarë, nëntë serbë dhe një maqedonase. La edhe raportin e institucioneve kredibile si Human Rights Watch në të cilin thuhet qartazi se vdekja tragjike e tre fëmijëve shqiptarë u manipulua për nxitje të urrejtjes dhe për dhunë ndëretnike. Megjithatë, në një pjesë të madhe të hapësirës publike të Kosovës ky nuk është rrëfimi që ka mbetur; ka mbetur ai i “disa serbëve” që janë përgjegjës për vdekjen e shqiptarëve. E në hapësirën publike serbe kjo ngjarje quhet “pogrom kundër serbëve”, ndonëse numri i shqiptarëve të vrarë është më i madh.

Nëse do ndërtuar mësim prej këtyre rasteve, të shtrirë në dyzet vjet, ai do të jetë se nuk është me rëndësi se cila është e vërteta e ndërtuar me ekzaminim faktesh, por e vërteta në të cilën instinktivisht apo me qëllim të sajuar zgjedhim të besojmë në hapësirat tona publike.

4.

Kam besim se këtë shkrim e lexojnë në Shërbimin e Jashtëm të BE-së, sepse mes të tjerash mund t’u hyjë si përkujtim për momentin në të cilin gjenden me Marrëveshjen bazike (franko-gjermane) e cila në interpretimin e tyre është një marrëveshje ligjërisht e obligueshme për Kosovën dhe Serbinë tashmë një vit. Ekziston një kundërthënie e brendshme në përshkrimin e këtillë - për të mos thënë një ofendim logjik - sepse nëse është ligjërisht e obligueshme që një vit, pse po përsëritet që Marrëveshja duhet të bëhet ligjërisht e obligueshme në marrëdhëniet mes BE-së dhe Serbisë e BE-së dhe Kosovës. Pra, nuk është bërë për një vit dhe pra nuk është e obligueshme. Për më tepër, Komisioni i BE-së kishte për obligim që ta bënte të obligueshme deri në fund të janarit të këtij viti dhe ja ku jemi në fund të marsit e nuk është bërë.

Por, siç pamë, më me rëndësi se interpretimet zyrtare, janë rrëfimet brenda hapësirave publike. Në atë të Serbisë, e me interpretim të përditshëm të presidentit të Serbisë, Serbia nuk ka nënshkruar e as pranuar Marrëveshjen bazike. Pra, në interpretimin e Serbisë nuk ekziston pëlqimi i Serbisë për të, lëre më obligimi ligjor i Serbisë ta zbatojë. Rrjedhimisht, kur presidenti i Serbisë mohon të drejtën e Kosovës për të qenë anëtare e Këshillit të Evropës ai konsideron se këtë ia lejon fakti që nuk e ka pranuar as gojarisht e as me shkrim Marrëveshjen e normalizimit në të cilën të dyja palët pajtohen për personalitetet e veçanta juridike të të dy vendeve (madje një gjë e tillë ishte konsideruar e pranuar më 2011, në Bruksel).

Në interpretimin e Kosovës ekziston pëlqim i plotë i saj për Marrëveshjen, por Marrëveshja bëhet e tillë kur të dy palët pajtohen me këtë. Mbase, këtij shpjegimi të Kosovës i do shtuar edhe se Marrëveshja bëhet e atillë kur BE-ja më në fund unifikon rrëfimin për Marrëveshjen e cila duket se ekziston vetëm në rrëfimin e saj.

Ndërsa hyjmë në prill dhe hyjmë në stinën parazgjedhore evropiane, Komisioni i tanishëm evropian mbase duhet të mendojë për rrëfimin të cilin do t’ia lërë në trashëgimi përbërjes së ardhshme të drejtuesve evropianë. Rrëfimi të cilin e ka krijuar në hapësirën e vet publike - mbi Marrëveshjen ligjërisht të obligueshme - nuk pi ujë. Për më tepër, obligimi i BE-së nuk është ta bindë veten për Marrëveshjen, por të bindë palët se po dakordohen për të njëjtat fjalë që kanë të njëjtin interpretim dhe që kanë të njëjtën vlerë juridike.

BE-ja mund të zgjedhë ta fusë rrëfimin e Marrëveshjes në thesin e rrëfimeve të Manastirit, Martinoviçit, Pandës e lumit Ibër - një vazhdë rrëfimesh krejtësisht të ndara. Apo mund të përcaktojë se më 2024 po ua lë drejtuesve të ardhshëm të BE-së një dokument, me investim të madh politik të disa prej vendeve anëtare, mbi të cilin do ndërtuar me tej normalizimi mes dy shteteve evropiane, Kosovës dhe Serbisë.

© Veton Surroi - KOHA