Opinione

“Rilindja” e Piktorit, shkollë për trajnimin e hajdutëve - Nga Kim Mehmeti

Në Shqipëri thuajse nuk kalon java e ndonjë funksionar i saj të mos akuzohet për hajdutëri. Kështu që ke përshtypjen se "Rilindja" e Piktorit është shkollë për trajnim të hajdutëve.

Së fundmi, mediat lajmëruan për arrestimin dhe ngritjen e akuzave për hajni kundër disa drejtorëve të Bashkisë së Tiranës. Me çka të duket se Lali Eri ka vendosur t’i largojë nga kursi i hajdutërisë të gjithë të paaftët dhe ata t’i zëvendësoj me hajna më të shkathët.

Sidoqoftë Shqipëria vazhdon të mbetet shembull shkollaresk se asnjë popull dhe asnjë shtet nuk është aq i varfër sa burrështetasit e tij hajdutë të mos kenë çka të vjedhin e nga çka të pasurohen.

Pastaj Shqipëria vazhdon të jetë pasqyrë ku shpërfaqet e vërteta se një shet e një popull nuk e dëmtojnë gjithaq burrështetasin e tij hajdut, sa mediat dhe elitat e tjera që ushqehen nga hajdutëria e mbulojnë hajninë.

Shqipëria është shtet ku hajdutëria është biznesi më fitimprurës, andaj shumëkush e vlerëson se më mirë të bie të shkosh disa vjet në burg si hajdut i pasur i “Rilindjes”, sesa në kurbet ku do kalbesh duke punuar e do të djegë malli për të afërmit.

Po pra, në Shqipëri nuk kalon java pa u përhapur lajmi për zbulimin e ndonjë funksionari hajdut të “Rilindjes”. Me çka s’ke si mos mendosh se mëmëdheun e kanë në duar ata që i përmbahen mendësisë komuniste se kapitalizmi qëndron mbi shtyllat e zhvatjes së popullit dhe vendit që drejton.

Dhe mbase andaj, tani për tani, Shqipëria ka vetëm një elitë të konsoliduar e të fuqishme, atë të hajdutëve, elitë që i mirëmban, i ushqen dhe i kontrollon të gjitha të tjerat, të cilat janë po aq mëkatare dhe të dëmshme për popullin sa edhe ajo hajdutokrate.

© Kim Mehmeti