J. D. Vance, djali i klasës punëtore, kandidati që Trump zgjodhi për zv.president - Nga Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu - New York
Nata e tretë e Konventave Kombëtare parazgjedhore në SHBA ka tradicionalisht në qendër të vëmendjes kandidatin për zëvendëspresident. Konventa e Republikanëve mbrëmë pati si kulm fjalimin e senatorit Amerikan nga Ohio, James David Vance.
Vlera e “Numrit 2”
Posti i zëvendëspresidentit të SHBA ka qenë historikisht një post shpesh i tallur dhe i përvuajtshëm, për shkak se ai që e mban është shumë afër një pushteti të jashtëzakonshëm dhe nuk ka praktikisht asgjë në dorë. Nga ana tjetër, nëse i ndodh gjë presidentit, ai merr fuqinë e tij. Është stoli i rezervave për rolin e njeriut më të fuqishëm të botës. Në kohën moderne, zëvendëspresidenti është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm, por gjithmonë varet nga dëshira e presidentit. Ai mund t’ia kufizojë ose zgjerojë rolin në çdo moment.
Është akoma më e vështirë të jesh numri 2 i një njeriu si Donald Trump, që preferon të ketë të gjithë vëmendjen dhe meritën të drejtuar nga ai vetë. Në këtë kuptim, natyra modeste e senatorit J. D. Vance e bën atë po aq të përshtatshëm sa edhe pararendësin e tij në 2016, ish-zëvendëspresidentin Mike Pence. (Madje edhe mbiemrat u ngjajnë. Një karikaturë simpatike politike e momentit në Amerikë, tregon një punëtor duke zëvendësuar shkronjat “Pe” me “Va”, në një tabelë të ruajtur që nga 2016 ku shkruhet Trump/Pence.)

Vance (jo) si Pence
Një kritikë që po përsëritet për këtë zgjedhje është se Vance, ashtu si dikur Pence, nuk sjell ndonjë zgjerim të koalicionit për ish-presidentin Trump. Shpesh kandidati për zëvendëspresident zgjidhet dikush që vjen nga një grup demografik që e plotëson figurën e kandidatit për president. Dmth, nëse ai është nga Jugu, zëvendësi zgjidhet nga Veriu dhe anasjelltas. Si zëvendëse për Joe Biden në 2020, që ishte i vjetër, i bardhë dhe nga pjesa lindore e vendit, Demokratët zgjodhën Kamala Harris, me prind xhamajkan, të re në moshë, nga California, pra pjesa perëndimore e vendit.
Të paktën në 2016, senatori Pence ishte dikush që i kuptonte interesat e politikës së Jashtme dhe fjalimet e tij për Rusinë dhe Kinën, vizita e tij në Konferencën e Mynihut, etj., qetësuan e siguruan aleatët e NATO-s dhe vëzhguesit e marrëdhënieve të sigurisë nëpër botë se SHBA do t’u përmbahej premtimeve të saj edhe nën presidentin Trump.
Vance nuk është si ai. Gjatë qendrimit të tij në Konferencën e përvitshme të Mynihut që mbahet jo më kot në vendin ku demokracitë u përpoqën të marrin Hitlerin me të mirë, ai deklaroi se nuk e shihte Putinin si një kërcënim ekzistencial për Europën dhe se SHBA do të zhvendoste vëmendjen e saj në Azinë e Largët së shpejti, kështu që Europa duhej të mësonte si të mbronte veten.
Këto lloj deklaratash por rilexohen tani me alarm, sepse në atë kohë ai ishte ende një senator i Amerikës. Tani mund të jetë njeriu që do të ndodhet vetëm një hap nga kolltuku i fuqishëm i Zyrës Ovale.

Shqiptarët kanë arsye të shqetësohen gjithashtu. Historikisht fuqitë europiane kanë qenë më të prirura për të marrë vendime në kurriz të shqiptarëve, përpara se SHBA të futej në teatrin europian të politikës. Këto raporte tani kanë ndryshuar, por pa udhëheqjen amerikane në Ballkan diplomacitë europiane mund të mos jenë në gjendje të kundërpeshojnë ato ruse dhe kineze.
Një zgjidhje e mundshme si kandidat për zëvendëspresident ishte Marco Rubio, që ka një botëkuptim shumë më të mirë të konflikteve ndërkombëtare dhe rolit të Amerikës në botë. Si djalë emigrantësh hispanikë, ai shihej si një gjetje e shkëlqyer për të plotësuar “biletën republikane” të nëntorit. Vota hispanike po bëhet vendimtare në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Një mini-Trump kalimtar apo trashëgimtari i Lëvizjes Trumpiste
Megjithatë, pavarësisht prej kritikave, J. D. Vance e pasuron në fakt përfaqësimin në krye të frontit republikan.
Së pari është 39 vjeç. Amerikanët u thanë për disa fytyra të reja e gjak të ri në krye të politikës së vendit. Kushdo që të fitojë mes Biden dhe Trump, presidenti i ardhshëm do të jetë më i moshuari në historinë e Amerikës.
J. D. Vance u ngjan shumë më tepër votuesve të Partisë Republikane. Ai është një “hillbilly”, siç e ka përshkruar vetë veten në memuarin e tij të suksesshëm “Hillbilly Elegy”. Fjala “hillbilly”, njëfarësoj “Billy nga kodra”, është thjesht një shprehje historikisht denigruese për punëtorë të varfër, shpesh nga zonat rurale. Si thonë shqiptarët nganjëherë “katundar”, apo “katnar” për fjalën fshatar, por me konotacione përbuzëse. Me kalimin e kohës, këto komunitete e kanë përvetësuar atë term dhe e përdorin vetë me krenari.
Këta lloj njerëzish, të përqëndruar sidomos në zonën industriale, apo ish-industriale amerikane, përpara se fabrikat dhe uzinat të shkonin në Azi, në kërkim të krahut të lirë të punës, janë disa nga votuesit më të rinj të Partisë Republikane. Por ata ndryshojnë si nata me ditën me kandidatin e tyre të adhuruar Donald Trump, çuni i një pronari tokash të patundshme në New York, që e ka kaluar jetën mes luksit, spektakleve televizive, vajzave modele, restoranteve të shtrenjta dhe jetës mondane e sociale të klasës së lartë në Manhattan.
Marrja e një zëvendësi si J. D. e lidh kandidatin Donald Trump me bazën e kësaj partie, e shtresa njerëzish që deri dhjetë vjet më parë i ka përqeshur nga qiellgërvishtësit e tij njujorkezë, e mes të cilëve nuk do të gjendej kurrë, nëse nuk do të hynte në politikë. Tani fati i tij është në duart e tyre dhe ata pavarësisht nga dallimet e adhurojnë dhe e shohin si shpëtimtar.

J. D. Vance është nga ana tjetër një figurë komplekse gjithsesi. Pavarësisht nga prejardhja e varfër, ai është diplomuar në Shkollën e Lartë të Drejtësisë në Yale, nga më elitaret në SHBA dhe në botë. Është martuar me vajzën e dy emigrantëve nga India. Ka braktisur besimin protestant, duke u kthyer në katolik pesë vjet më parë.
Vance gjithashtu ngjan me ish-presidentin Donald Trump në një pikë kurioze. Këta përfaqësojnë një kthesë në Partinë Republikane, e cila ka qenë gjithmonë në kohët moderne në favor të biznesit, kundër ndërhyrjes së shtetit në ekonomi.
Vance, nëse nuk do ta dije se është republikan, do të mendoje nganjëherë se i përket të majtës etatiste. Një arsye e fortë janë pikëpamjet e tij konservatore dhe të krishtera për shenjtërinë e familjes. Ai sheh në këtë drejtim një dështim të shoqërisë që udhëhiqet vetëm nga parimet e kapitalizmit. Ai do që shteti të ndërhyjë për t’u dhënë mundësi familjeve që të kenë një jetë më të mirë, që të kenë mundësi të bëjnë më shumë fëmijë, që të nxiten t’u rikthehen marrëdhënieve tradicionale, ku nënat kanë mundësi të shkëputen nga puna për të lindur e rritur fëmijë. Këto aspirata e bëjnë shtetin një aktor shumë aktiv në ekonomi.
Trump, megjithëse vjen nga bota e biznesit ka pikëpamje të ngjashme për ndërhyrjen e shtetit, pavarësisht se nuk është shumë i artikuluar në pikëpamjet e krishtera, se nuk ka qenë ndonjëherë vërtet besimtar e frekuentues i kishave.
Nga ana tjetër, si Vance ashtu edhe Trump janë mjaft dorëlëshuar kur vjen te rregullat kufizuese të botës së biznesit nga shteti. Kjo i lë ende në vijën e vjetër republikane, sidomos në sektorin e teknologjisë dhe të Inteligjencës Artificiale. Si një investor me përvojë në këtë sektor, caktimi i senatorit Vance si kandidat për zëvendëspresident i ka siguruar disa miqësi të reja Trumpit në botën e Luginës së Silikonit, ku zhvillohet revolucioni teknologjik i epokës sonë.
Pikëpamjet e senatorit Vance mund të jenë ende në zhvillim, por vëmendja e kurioziteti për to po vjen duke urritur me shpejtësi. Djali që erdhi nga klasa punëtore, por që ka miq mes kapitalistëve të mëdhenj të botës së teknologjisë, mund të jetë ai që do të marrë stafetën në lëvizjen populiste amerikane.
Për shkak të moshës së re, shumë komentatorë politikë po përsërisin të njëjtën pyetje: “A është J. D. Vance, trashëgimtari i Trumpizmit në politikën amerikane?”

Në librin e tij “Hillbilly Elegy”, ai përshkruan se u rrit nga gjyshërit, sepse kishte një baba që nuk e kishte njohur kurrë dhe një nënë të cilën do të ishte më mirë të mos e kishte njohur. Ka një ngjashmëri në këtë pikë me historinë e ish-presidentit Barack Obama, por me veçoritë e tij.
Në fakt, ajo nënë ishte mbrëmë në sallën e Konventës. Ai e prezantoi me shumë dashuri; e prezantoi veten edhe si një fëmijë të rritur me një nënë të vetme, pa baba. Një element biografik që rezonon me votuesit e sotëm amerikanë. Nëna e tij, me sa duket po mbush dhjetë vjet që kur ka hequr dorë nga droga dhe alkooli. Një tjetër, plagë e shoqërisë amerikane, sidomos në zonat ish-industriale, ku papunësia dhe mungesa e një të ardhmeje po shkatërron familje brez pas brezi. Prezantimi i mamasë ishte momenti më emocional i mbrëmjes. Por ai ofroi edhe humor, kur kujtoi pjesë nga libri duke thënë se gjyshja besonte vetëm te Zoti dhe te sharjet me fjalë të pisëta.
Mbi të gjitha tregoi edhe një herë se ishte orator dhe i lindur për skenën. A do të jetë vërtet trashëgimtari i ish-presidentit Donald Trump, kjo nuk parashikohet dot. 40 nga 44 ish-sekretarët e Kabinetit dhe shefat e Stafit nuk janë në Konventë dhe nuk e mbështesin ish-shefin e tyre. Edhe ish-zëvendëspresidenti Mike Pence pothuajse ka dalë nga politika. Herët a vonë, ose prishesh me Donaldin e Parë për punë politike, ose mërzitet ai me ty dhe ngre në pozitë adhuruesin e radhës.
Për momentin muaji i mjaltit sa ka filluar dhe J. D. Vance është vërtet një risi interesante i adhuruar nga e djathta amerikane. Për kritikët e ish-presidentit Trump ai ishte mbase zgjedhja më negative që mund të bënte. Për ta, nevoja për ta mundur kandidatin republikan në nëntor sapo është dyfishuar.
© Ruben Avxhiu - New York











