"Pasqyra magjike" e shefit të CIA-s dhe sytë e veshët e botës - Nga Dritan Goxhaj

Pasqyrat janë mjeshtre të iluzionit, duke krijuar hapësira të pafundme dhe reflektime magjike. Të shohësh veten në to, është si një udhëtim në botën e të panjohurave. Dikur, ato ishin një luks për pak të privilegjuar, sot janë të pranishme kudo. Ky kalim nga realiteti në zakonshmëri i jep pasqyrave një aurë misteri, duke i bërë elemetë thelbësorë në tregime dhe bestytni.
Në literaturën botërore egzistojnë plot tregime mbi pasqyrat. Ato janë trashëguar që nga mitologjia greke ku Perseu mundi Medusën me një pasqyrë si mburojë, ndërsa Narcisi ra në dashuri me reflektimin e tij në pasqyrë.
Pasqyrat lujanë role të ndryshme nëpër historira duke përcjellë në to mesazhe të ndryshme, por mesazhet më të mëdha e më të bukura i përcjellin historitë me pasqyrat magjike. Por pavarësisht kësaj, pasqyrat qofshin ato “magjike” apo jo, na tregojnë shpesh realitetin që ne nuk arrijmë ta shohim me sytë tanë. Sa shpesh e dëgjojmë të gjithë frazën që dikush “duhet të shihet në pasqyrë” kur sillet si hipokrit?
Në hapësirat tona pasqyrat nuk ekzistojnë, ose thënë më mirë nuk shiten pasqyra që tregojnë realitetin, por vetëm pasqyra të deformuara sipas nevojës së blerësit.
Tashmë pasqyrat që tregojnë realitetin konsiderohen si pasqyra magjike dhe ato lloj pasqyrash janë kthyer në një luks për pak të privilegjuar, por ka nga ata persona që për arsye të punës së tyre udhëtojnë gjithnjë me një "pasqyrë magjike" me vete dhe një nga këta persona është edhe Drejtori i CIA-s William Burns, i cili javës që shkoi bëri një tur në Ballkan.
Në turin e tij në Ballkanin tonë, Burns udhëtoi me një avion të tipit Boeing C-17A Globemaster. Më 20 gusht ai u takua në Sarajevë me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnjes Amir Zhuvo dhe disa anëtarë të tjerë të Presidencës kolektive të Bosnjes. Por çfarë lidhje ka kjo me pasqyrat do thoni ju?
Një nga personat që Burns takoi në Bosnje ishte Zhelka Cvijanoviç, anëtarja serbe e Presidencës së Bosnjes dhe ish-kryeministre e Republikës Serpska, të cilën SHBA e ka vënë nën saksione me arsyen se “Me veprimet e saj ka cënuar stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin e Bosnje-Hercegovinës”. Këtë rradhë Burns sipas deklaratës zyrtare të Presidencës së Bosnjes thuhet se diskutoi çështje të integritetit dhe sovranitetit të Bosnjes, duke theksuar se ai mbetet prioritet i SHBA.
Pra takimi me Zhelkën ka shërbyer për ta vënë Zhelkën para një "pasqyre magjike", që i tregon Zhelkës të vërtetën për veten e saj, të vërteta që ndoshta ajo mund t’i ketë harruar dhe që e ndihmojnë të kthjellet dhe duke parë deklaratën e përbashkët publike të këtij grupi që u takua me Burns, duket që "pasqyra magjike" e Shefit të CIA-s ka funksionuar.
Pas këtij takimi me datë 21 gusht Burns ka udhëtuar me avionin e tij në drejtim të Beogradit, ku është takuar me shefin e Shërbimit sekret BIA, dhe me presidentin e Sërbisë Vuçiç. Edhe në këtë rast Burns ka përdorur "pasqyrën magjike" për Vuçiçin, e cila i ka treguar se protestat e organizuara së fundmi në Beograd kundër shfrytëzimit të minierës së litiumit, nuk janë protesta të organizuara nga CIA dhe aq më pak një tentativë për një revolucion portokalli, siç ka pretenduar publikisht Vuçiçi.
Ato janë protesta të nxitura nga dhe të sponsorizuara nga vetë shërbimet sekrete të Serbisë nën direktivën e vetë Vuçiçit për të ndërprerë më çdo kusht kontratën që ai ka bërë më 2019 me kompaninë e Rothschild-ëve “Rio Tinto”, për shfrytëzimin dhe zgjerimin e minierës së litiumit, në mënyrë që kjo kontratë t’i kalojë “vëllezërve” kinezë, të cilët janë shumë të interesuar ta marrin nën kontroll këtë minierë, pasi janë duke ndërtuar edhe një fabrikë të prodhimit të baterive për makinat elektrike në Hungari. Por më kryesorja, po ta marrin kinezët, gjithë Perëndimi mbetet pastaj i varur për litium nga Kina dhe Rusia. Ndaj edhe Vuçiç nuk pranoi të jepte asnjë detaj mbi bisedimet me Burns dhe si me magji këto protesta tashti kanë ndaluar.
Gjatë kohës që Burns vizitonte Beogradin, veshët dhe sytë e anëtarëve të NATO-s nuk qëndruan mbyllur. Në këtë datë në të njëjtën kohë që Burns ishte në bisedime në Beograd, në mëngjesin e datës 21 gusht një avion i Forcave Ajrore Franceze i tipit Beechcraft B.350 ER ALSR me regjistër F-RACH u ngrit nga aeroporti i Prevezës në Greqi duke fluturuar në drejtim të Kosovës dhe për disa orë, derisa mbaroi takimi i Burns në Beograd, ka fluturuar mbi Kosovë në kufirin me Serbinë.
Ky avion i përket Skuadriljes 1/54 “Dunkerque” e specializuar për luftën elektronike. Dhe duke qenë se është ALSR (Survejim i lehtë dhe rikonnicion) ai ka fluturuar për disa orë në një mision ISR për nevoja të Shërbimit Sekret Ushtarak Francez (Direction du Renseignement Militaire), dhe të agjensisë së shërbimit të jashtëm (Direction Générale de la Sécurité Extérieure).
Ky fluturim ishte në një mision SIGINT (SIGnals&INTelligence), që do të thotë se ka për detyrë të mbledhë të dhëna dhe informacione duke interceptuar dhe analizuar sinjale dhe biseda e komunikime telefonike e radio, qofshin ato edhe të kriptuara. I pajisur me sensorë për të mbledhur inteligjencë elektronike (ROEM) dhe inteligjencën e origjinës së imazhit (ROIM). Misioni ka përfunduar sapo avioni i Burns është ngritur në ajër nga aeroporti i Beogradit.
Burns nuk ka udhëtuar direkt për Kosovë. Çuditërisht avioni i tij fillimisht ka udhëtuar në drejtim të Bullgarisë dhe ka fluturuar për rreth 20 minuta në qendër të saj, duke u sjellë vërdallë mbi malin e Stara Planina. Më pas i është drejtuar Kosovës, ku ka takuar edhe presidenten, edhe kryeministrin.
Këtë radhë Burns e ka vënë Kurtin të shihet në "pasqyrën magjike" që ai kishte me vete, duke e bërë Kurtin të kthjellet dhe të ndryshojë pozicionin e tij nga tentativa për t’iu mësuar amerikanëve si bëhet shteti, në dëshirën për të zgjeruar marëdhëniet e fuqishme bilaterale.
Por "pasqyra" e Burns ishte vetëm "pasqyrë magjike" për çështje të veçanta, e nuk ishte edhe për çështje të hipokrizisë, e cila u shfaq në nivelin e delirit edhe në deklaratën e Kurtit pas takimit, ku thuhej se “qeverisja e mirë është bërë mirëqënie shoqërore”.
Eh, jo të gjitha pasqyrat magjike ta thonë të vërtetën. Ajo e Burns është vetëm për të të sjellë në vete.
© Dritan Goxhaj