Në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës - Nga Enver Robelli
Liri domethënë të kesh mundësinë të kërkosh fatin pa pengesa - në këtë planet, i cili me 107’000 kilometra në orë sillet në mënyrë eliptike rreth diellit aq të largët. Të jesh me fat, të jesh i lumtur - a është e mundur?
Epikuri, filozofi grek, ishte i bindur se fatlum dhe i lumtur je kur gëzon shëndet e jeton në qetësi shpirtërore, i lirë nga dhimbja dhe i lirë na frika. “Kush s’vuan nga uria, kush s’është i etur, kush s’mërdhin, mund të matet me Zeusin sa i përket lumturisë”.
Mund të tingëllojnë banale këto fjali. Më 10, 11 e 12 qershor 1999 - 25 vjet më parë, një çerek shekulli - tingëllonin ndryshe. Të prekshme. Të afërta. Drithëruese. Sepse u ishte shtuar fjala: liri! Në ato ditë kishte filluar diçka që ishte përfundim i një tmerri të nisur më 1912. Nipat e atyre që kishin pushtuar Kosovën 87 vite më parë (një jetë njeriu!), tani po iknin. Po largoheshin pasi tri pjesë përbërëse të një të tëre arritën rezultatin historik. Ato tri pjesë janë: rezistenca paqësore, kryengritja e armatosur dhe ndërhyrja e botës së civilizuar kundër barbarisë.
Në vitin 2024 mund të pyesim: çka domethënë liri? Për një 24-vjeçar, të lindur në qershor 1999, liri domethënë: me i hyp kerrit e me shku në Itali, në vendin më të bukur në botë. (Gjuha e “standardizuar” nuk e përthekon këtë ndjenjë të shqiptarit të Kosovës, andaj - me i hyp kerrit e me shku në Itali).
“Të lirë duam të jemi si zogjtë në qiell, të shkujdesur e të lumtur të fluturojmë nëpër jetë”. Mund ta ketë thënë këtë një rrobaqepës në Pejë, Gjakovë, Mitrovicë a Gjilan më 12 qershor 1999. E ka thënë rrobaqepësi gjerman Wilhelm Weitling më 1842. Dhe e ka vendosur si moto në librin e tij “Garancitë e harmonisë dhe lirisë”. (Meqë ra fjala: në Wollishofen, një lagje e Zürich-ut, një rrugë bart emrin e Wilhelm Weitlingut).
Frika nga rreziqet nganjëherë është më e madhe se vetë rreziqet. Ata (rreziqet!) qenë pjesë e shqiptarit dhe shqiptares në shekullin e 20-të. Ata që rrezikuan, meritojnë përulësisht nderimin e përjetshëm. Gjeneratë pas gjenerate. Shekull pas shekulli. Frika kurrë s’ka qenë këshilltar i duhur për të fituar lirinë. Liria kurrë s’mund të jetë udhërrëfyese drejt frikës. Kush ka mësuar të mendojë, atij dhe asaj nuk mund t’ia rrëmbesh lirinë! Le të mësojmë edhe më shumë të mendojmë. Ose shkurt e shqip: me mësu me mendu!
Urime të pamatshme për lirinë e përjetshme! Dhe republikën e përhershme!
© Enver Robelli