Më në fund Kuvendi i Shqipërisë gjen ligjin dhe veten - Nga Shaban Murati
- Published in Bota Shqiptare
Më në fund, pas 30 vitesh heshtje turpëruese, Kuvendi i Shqipërisë gjeti në 27 qershor 2024 guximin të respektojë veten, ligjin dhe rezolutat që ka miratuar vetë. Në 27 qershor 2024 Kuvendi i Shqipërisë mbajti një minutë heshtje në nderim të bashkëatdhetarëve çamë të masakruar në gjenocidin e shovinistëve grekë kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë.
Në 27 qershor ishte 80 vjetori i “Ditës së gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”, e shpallur dhe e vendosur zyrtarisht në kalendarin kombëtar. Eshtë jo thjesht një datë historike, por datë e kalendarit kombëtar, e shpallur me ligjin nr. 7839, date 30 qershor 1994.
Në 12.7.1994, me dekretin nr. 885, presidenti i Shqiperise, Sali Berisha, dekretoi këtë ligj, që detyron të gjitha institucionet shtetërore, publike, akademike etj., që ta përkujtojnë dhe ta nderojnë këtë ditë.
Sali Berisha ndenji 5 vjet president dhe 8 vjet kryeministër i Shqipërisë dhe nuk u kujtua asnjëherë për ligjin që kishte dekretuar vetë, nuk e zuri asnjëherë me gojë as “Ditën e genocidit grek kundër shqiptarëve të Çamërisë” dhe nuk i përmendi kurrë fjalët Çamëri ose çështja çame gjatë qeverisjes së tij 13 vjeçare.
Në datën 30 qershor 1994, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për shpalljen e 27 qershorit në kalendarin kombëtar “Dita e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek”. Në Kuvendin e Shqipërisë PD kishte shumicën parlamentare, por kjo shumicë që dominoi 13 vjet në pushtet nuk u kujtua kurrë të respektonte ligjin, që e kishte miratuar vetë dhe të nderonte bashkëatdhetarët çamë të vrarë nga genocidi i shovinistëve grekë.
Në 8 prill 2004, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Rezoluten për çështjen çame, ku kërkohej që “çështja e të drejtave të shtetasve shqiptarë me origjinë çame të rimerret në shqyrtim nga të dy palët”.
Rezoluta e vitit 2004 “ngarkon qeverinë e Republikës së Shqipërisë, që këtë rezolutë t’ua bëjë të njohur qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare, që mund të kontribuojnë në zgjidhjen e problemit”. Kuvendi dominohej nga shumica parlamentare e PS.
PS ndenji në pushtet tetë vjet, por kryeministri i saj Fatos Nano nuk u kujtua kurrë të respektonte ligin dhe kalendarin kombëtar për “Ditën e genocidit të shovinistëve grekë kundër shqiptarëve të Çamërisë”. Fatos Nano nuk i përmendi kurrë gjatë qeverisjes së tij fjalët Çamëri dhe çështja çame dhe jo më të zbatonte rezolutën e Kuvendit për t’ua bërë të njohur qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare atë.
Kryeministri socialist Edi Rama, kryetar i PS, ka 11 vjet në pushtet dhe nuk është kujtuar asnjëherë të respektojë ligjin dhe të nderojë “Ditën e genocidit grek në Çamëri”. Turpi kombëtar dhe zyrtar arriti kulmin tani në 80 vjetorin e “Ditës së genocidit grek në Çamëri” me realitetin tronditës që qeveria, institucionet shtetërore e deri Akademia socialiste e Shkencave të Shqipërisë nuk u kujtuan të përkujtojnë 80 vjetorin e genocidit grek të Çamërisë.
Ndaj vlen të përshëndetet akti i tanishëm i Kuvendit të Shqipërisë, i cili pas 30 vjetësh u kujtua të nderojë me një minutë heshtje të vrarët nga masakrat e gjenocidit grek. Shpresojmë që ky zgjim i vonë i Kuvendit të Shqipërisë të ndikojë sadopak te qeveria e Shqipërisë dhe të përsëritet ky nderim çdo vit, sikurse e kërkon ligji dhe sikurse është detyrë dhe detyrim i Kuvendit të Shqipërisë.
Heshtja e përbindëshme antikombëtare e autoriteteve shqiptare gjatë 30 viteve ka krijuar hapësira për hienat greke apo grekofile të guxojnë të revizionojnë historinë e tragjedisë dhe të çështjes çame, duke u dhënë kohë mediatike dhe televizive spekullatorëve të sponsorizuar nga Athina që ta paraqesin sikur në Çamëri janë vrarë vetëm 10 vetë, në një kohë që numri i të masakruarve nga ushtria greke 80 vjet më pare arrin shifrën 6 mijë vetë.
Një popull, një komb dhe një shtet, që kanë frikë të përkujtojnë dhe të flasin për ngjarjet e dhimbshme të historisë së tyre dhe për të masakruarit shqiptarë nga shtetet fqinjë, nuk meritojnë ekzistencën, sepse kush fshin ose fsheh historinë e vet, nuk meriton të lëshojë hije mbi dhe.
© Shaban Murati - DITA