Me largimin e Biden mbyllet një qark kohor i historisë së Kosovës - Nga Enver Robelli
Enver Robelli - Zvicër
Joe Biden është presidenti i fundit amerikan biografia politike e të cilit lidhet me Kosovën. Si senator në vitet 90-të dhe në fillim të këtij shekulli, ai u shqua si kritik i rreptë i politikave agresive serbe kundër Bosnjës dhe Kosovës. Fjalimet e tij kundër diktatorit serb Sllobodan Millosheviç tingëllojnë impresive edhe sot. Këto fjalime Biden i mbajti si para Senatit, ashtu edhe para mërgatës shqiptare në SHBA, roli historik i së cilës për çlirimin e Kosovës kurrë nuk mund të vlerësohet sa duhet nga populli i Kosovës. Është një borxh i përjetshëm!
Si nënpresident në administratën e Barack Obama dhe si president, Joe Biden iu përkushtua më shumë temave të tjera nga politika botërore. Kosova ishte një relike e kohërave të shkuara. Deri në ditën e sotme klasa politike e Kosovës nuk e ka kuptuar se viti 1999 është shumë, shumë larg dhe referenca e luftës dhe ndërhyrjes së NATO-s shpesh shkakton vetëm rrudhje supesh në kancelaritë perëndimore.
Me largimin e Biden, mbyllet edhe një qark kohor i historisë së Kosovës. Politikanët e Kosovës bëjnë mirë të qëndrojnë larg tifozllëkut dhe postimeve patetike, ndërkohë që gara mes demokratëve dhe republikanëve në SHBA do të marrë hov në muajt e ardhshëm. Politikanë të dy partive të mëdha amerikane kanë merita historike për Kosovën.
Largimi i Biden nuk është vullnetar, por i diktuar nga rrethanat. Pas paraqitjes katastrofale në debat me Donald Trump në fund të qershorit, ai tentoi të arsyetohet se kishte thjesht një mbrëmje të keqe. Por establishmentin demokrat e kapi paniku. Figurat me influencë filluan t’i bëjnë presion Biden, së pari prapa kulisave, pastaj publikisht. Në fundjavë donatorët thanë se mund të ndërpresin pagesat. Biden hipi në vagonin e fundit të trenit të fundit.
Si do të ishte sot situata nëse Joe Biden para një viti të kishte thënë se nuk do të kandidonte për postin e presidentit dhe t’i krijonte mundësi partisë së tij për të përgatitur një kandidat a kandidate për garën presidenciale? Sigurisht gjendja për demokratët do të ishte më e mirë se sot.
Pozitive është se presidenti Biden nuk e mori peng partinë. Ai e vërejti se nuk mund ta shmangë të pashmangshmen. Nëpër shkallët e historisë tani po zbret një politikan i cili ishte me zemër sinonim i epokës transatlantike.
© Enver Robelli
Fotot: Reuters; NBC News