Blog

Himara, peng i politikës arkaike antishqiptare - Nga Dritan Goxhaj

Kur flasim për Himarën, flasim për një histori protagoniste në gjithë historinë e Shqipërisë.

Sot, sërish Himara është bërë qendra e Shqipërisë dhe e shqiptarisë, por nuk mund ta kuptojmë këtë protagonizëm në shekuj të saj në historinë tonë, pa i parë më parë faktet kokëfortë që historia na paraqet.

-Himara pjësëmarrëse në Kuvendin e Lezhës më 1444, e përfaqësuar nga himarioti Anton Linjerosa, që sipas Barletit u vra në betejën e Torviollit me 40 trima të tij.

-Më 31 gusht 1531, i biri i Gjergj Kastrioti Skëndërbeut, Gjoni, zbret nga Italia në Himarë dhe çliron tërë zonën dhe kështjellën e Borshit. 

-Dy letra i kanë dërguar himariotët Papës së Romës, një në 12 korrik të vitit 1577 me anë të Gjik Kolës dhe Gjergj Katasit dhe të dytën më 1851. Në të dyja letrat ata i thonë Papës “se janë arbër, se krenohen me Skenderbeun dhe se kërkojnë që Europa t’u japë armë për të luftuar kundër pushtuesve”. Ndër të tjera, gjithashtu, se “janë gati 50.000 luftëtarë shqiptarë të ngrihen në kryengritje”.

-Në shekullin e 18-të sërish himariotët i dërgojnë një letër kësaj radhe Caresësh së Rusisë ku ajo që spikat në letër është fjalia: “Flasim shqip, atë gjuhë që flitet në tërë Shqipërinë deri në Bosnje”.

-Më 1818, Regjimenti Shqiptar në Korfuz luftoi për mbrojten e Psarës. Anglezi Millingen ka shkruar: “Himariotët kishin pamjen më luftarake në tërë ushtrinë. Nuk kanë dallim nga shqiptarët e tjerë. Veshja dhe gjuha krejt e njëjtë”.

-Himara mori pjesë edhe në Lidhjen e Prizrenit e përfaqësuar nga Odise Kasneci e Sokrat Leka.

-Mbi Viktor Emanuelin e II gjatë pushtimit fashist në Shqipëri qëlloi Vasil Laçi nga Piqerasi i Himarës.

E bëra këtë hyrje për të treguar se Himara ka qënë dhe është deklaruar në jetë të jetëve shqiptare dhe se historia është treguesi më i mirë i përkatësisë së një zone apo kumuniteti. Dhe një histori si kjo e Himarës, e cila i ka dhënë kombit shqiptar kaq shumë vlera të shquara dhe kaq shumë luftëtarë e kapedanë, ka edhe ajo dramat e saj të gjeneruara nga shovinizmi i të tjerëve. Drama të cilat vazhdojnë ta përndjekin edhe sot.

Shovinistët grekë e kanë synuar pambarimisht, madje e kanë deklaruar Himarën edhe “krahinë autonome”.

Ka pasur shumë beteja arkaike në Himarë dhe për Himarën, por edhe sot që pretendojmë se jetojmë në kohë moderne, politika në Shqipëri që duket qartas që ka kohë që i ka humbur udha në oborr të shtëpisë, e po na risjell sërish një betejë arkaike në Himarë për Himarën. Një betejë ku për Himarën shqiptare është hedhur në luftë sërish shovinizmi grek. Shovinizëm ky, që "ka kapur për koqesh" partitë politike parlamentare të Shqipërisë, ku njëra kandidon në Himarë një minoritar, edhe pse në Himarë nuk ka pasur kurrë minoritet. Ndërsa tjetra ka zgjedhur të kandidojë në Himarë një gjakprishur e gjakshitur që i thotë vetes grek.

Asnjëherë Himara nuk ka qënë greke. Edhe sot që shkruaj, Himara është e ndarë në 85% shqiptarë që flasin shqip e deklarohen shqiptarë dhe 15% shqiptarë që flasin greqisht e deklarohen grekë. Dhe politika shoviniste greke duke shfrytëzuar pa-aftësinë dhe mungesën e ndjenjës kombëtare në tërë spektrin politik shqiptar, spektër ky i cili me këto kandidime e vërtetoi katërcipërisht se ai jo vetëm që nuk punon për interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, por vetëm për interesat antishqiptare, herë të shovinizmit serb e herë të shovinizmit grek, po mundohet të krijojë idenë se Himara është minoritet, përderisa në të konkurojnë vetëm grekët e pseudo grekët.

Por besoj se shqiptarët në Himarë duhet të tregojnë ashtu si kanë ditur të tregojnë përgjatë gjithë historisë së Shqipërisë, të cilën edhe e citova pjesërisht më lart, se Himara mbetet shqiptare. Ndaj i ftoj të gjithë himariotët të dalin masivisht në votime dhe të bëjnë të pavlefshme fletën e votimit.

E di që ka ndër ju që do thonë, se sërish ai që kanë projektuar për të fituar do të fitojë edhe me dy vota, pasi ashtu e ka sistemi. Por ama nëse numri i fletëve të votimit të pavlefshme është më i madh se numri i atyre të vlefshme, do arrijmë t’i tregojmë jo vetëm politikës së papërgjegjshme antishqiptare të tre argatëve të antishqiptarizmës, Rama, Berisha e Meta, por edhe vetë shovinzmit grek e politikës antishqiptare të qarqeve të ndryshme greke, se Himara do mbetet shqiptare edhe pse përkohësisht, me anë të kuajve të Trojës - Rama, Meta, Berisha - ata arritën ta marrin peng. Por vetëm përkohësisht ama.

Këngëtari dhe folkloristi himariot Neço Muka, i cili në vitin 1924 arriti të regjistronte në një pllakë gramafoni në Paris këngën e famshme himariote “Vajzë e valëve”, ka arritur të mbledhë shumë këngë popullore të vjetra himariote, por ajo që mua më pëlqeu dhe e zgjodha edhe për këtë rast, është një këngë kushtuar kapedanit nga Qeparoi, Qirjako Kaposhi.

Këtë këngë populli i Himarës e këndonte kur një gjakprishur e gjakshitur tjetër nga fisi i Zhupajve të Progonatit, të cilit Dhërmiu i këndoi - Spiro Milua në Himarë/ me Zhupaj kushëri i parë/ u bashkua me junanë/ kërkon të shesë vatanë/ Spiro Milo Progonati/ shih ku të çoi inati - sulmoi Himarën në emër të shoviznizmit grek.

Ndaj mendoj se kënga e kapedan Qirjakos është lajtmotivi i sotëm në Himarë, ku shovinizmi grek është maskuar në politikën e partive politke shqiptare dhe ka marrë peng Himarën.

Qirjako s’të ngjanë djemtë / Bjeri varrit dhe dil vetë / Të març malin përpjetë / Të luftosh siç e di vetë.

© Dritan Goxhaj