Eurodeputeti grek nga Shqipëria dhe vrasja publike që po i bëjmë vendit - Nga Ilir Levonja

Fredi Belerin, për shkak edhe të propagandës shtetërore në Shqipërinë e Edi Ramës, shqiptarët kudo ku janë e njohin ndofta më mirë se babën e tyre. Nga mëngjesi në darkë, nuk mbeti megafon pa folur për një ''kriminel'', ''grek të fëlliqur'', ''derr'', ''tradhtar'' etj. Madje nuk mbeti as këmbë idioti a doktori shkencash pa pyetur, ore çfarë janë himarjotët, e di ti? Janë grekë apo shqiptarë? Sa kur i thashë dikujt se jo, as njëra e as tjetra, janë kinezë, e hëngri komplet mavria.
Rrezik sot edhe një motak shqiptar mund ta ketë në kokën e tij Fredi Belerin, si gogolin e një bote ku lufta e klasave është parësore. Megjithëse e gjitha kjo mund të ishte shmangur fare mirë, që nga komisonet përkatëse të pastërtisë së figurave kur kandidon për deputet. Por partia shtet nuk e bëri, madje me qëllim e lejoi si e si që shqiptarët të hanë kokën me gërr-vërre me njëri-tjetrin.
Nuk u bë dot kryetar i një nga bashkive më të varfra të jugut, Himarës, por u bë eurodeputet grek që sot flet për hallet e Shqipërisë. Bash sot, deklaroi se Shqipëria po i largohet Europës. Në fakt, para se t'i afrohet Europës, nuk e e di nëse do të ketë kohë apo jo, Shqipëria po vdes. Nuk e di a e kanë kuptuar këtë shqiptarët në përgjithësi, kudo ku janë.
Nuk bëhet më fjalë për Europë, pasi faktikisht Shqipëria është kudo, në të gjithë metropolet e Europës, Azisë, Afrikës, Amerikës apo Australisë. Bëhet fjalë tashmë për ekzistencën e saj. Se mund të ndodhë që të gjëndesh deri në zemër të shkretëtirave, qoftë ato të Lindjes së afërt apo Perëndimit, në kanionet e Amerikës, por do ta gjesh një i cili të të përshëndesë shqip ose të thotë të dhjefsha racën tonë, po në shqip. Pra, kemi ikur vëlla, kemi fluturuar, prandaj po vdes Shqipëria jonë.
Nuk ka se çfarë na duhet Europa. Nuk ka se kujt i duhet. Kujt, pleqve të vetmuar? Ne kemi boshatisur gjithçka tonën aq sa mund të radhisësh qindra emra fshatrash të zbrazur krejt. Shqipëria po vdes bash prej kësaj, por Europa i duhet atyre që e zbrazën, që duan të vjedhin akoma e t'i rrjepin Europës ca fonde më shumë. Kaq.
Shqiptarët vetë, ua kanë trefishuar pensionet prindërve, i kanë bërë me nga dy pasaporta. Hasani dhe Tofiku i kanë edhe pasaportën amerikane edhe shqiptare. Kanë edhe të tjerë si ata. Nuk e dëgjove? Tkurrja e shkollave për këtë vit kapi shifrën 22%, në vend. Kushedi se sa vitin tjetër. Po vdes Shqipëria jonë, pasi ne rrojmë fare mirë kudo, me të gjitha llojet e racave, por nuk durojmë dot një minoritar tonin të bëhet kryetar. Ne rrojmë pa problem me mongolin, me marokenin, me ata nga Bangladeshi etj., por jo me djalin e barba Janit.
Shqipëria po vdes, pasi gazetarët në shumicë i kërkojnë llogari opozitës, merren me opozitën, merren me taktikat, muskujt, planet stërvitore të opozitës, nuk merren me kolerën që qeveris. Dhe kurrë sikur njëri prej tyre të thotë, ore po unë vetë a po e luftoj padrejtësinë, apo këtë vdekjen e pashmangshme të Shqipërisë? Hiç aspak, pasi për vete i kanë marrë pronat, i kanë rregulluar letrat, i kanë terezitur paratë. As që u plas se ka apo jo demokraci në Shqipëri, se u vodhën votat apo jo. Se u burgose padrejtësisht ti, apo dikush tjetër në periferi.
Shqipëria po vdes se ja shikoje, sapo arrestuan kryetarin e një bashkie periferike, atë të Tropojës. Se me këto merret regjimi, me Tropojën, Himarën, Lushnjen, Kuçovën. Tiranën dhe Durrësin jo, jo, se janë toka të Xanuna. Të tredh nga topet kupola. Pra ka ardhur koha të flasim jo më, për Europën, por për vrasjen publike që po i bëjmë Shqipërisë.
© Ilir Levonja