Përse gjithmonë e vonuar opozita jonë? - Nga Ilir Levonja
Përse gjithmonë e vonuar opozita jonë? Zor ta spjegosh, ndaj të vjen të ulërasësh.
Zonja dhe zotërinj demokratë, data 6 tetor është vonë, dilni në rrugë pa kompromis. Që sot, që nesër menatë, greva, dhe protesta. O ndizeni atë mut fitili, o hiqni dorë!
Nuk e kuptoni, makineria e propagandës po punon fuqishëm, duke filluar me daljet dhe presionet bajate të diktatorit në OKB deri tek ish-berishistët, a ish-demokratët karrikehumbur, që po e kthejnë çështjen Salianji në një konfuzion social? Po e kthejnë në raport personal të një individi me emrin Babale, a në një raport rozë të një dashurie mes atij dhe Grida Dumës.
Diktatori i pari, si dirigjent, fillon e pështyn, bërtet, hakërrohet, duke ngjallur frikë me imponimet e tij tashmë sa vulgare aq edhe të papranueshme në demokraci. Një diktator mizor i cili më tepër se për shqiptarët kujdeset për performancën e vet dhe të zonjës së tij, si grua e fortë, në panelet e revistave europiane. Këto nuk bëhen pa para, duan xhixha të thata. nuk të publikon kush kot kur ti i shkon tek dera. Ato janë paratë e shqiptarëve, nuk janë paratë e Imelda Markosit.
Shqiptarët nuk e dinë akoma, se çfarë po ndodh me drejtësinë shqiptare. Nuk janë të sqaruar, janë konfuzë, pasi propaganda të ha. Ndaj sillen me murmurima karshi shoqi-shoqit, aq sa e banalizojnë opozitarizmin me termin babale dhe dashnori i Gridës. Këta janë frytet e presionit diktatorial. Ka vdekur përfundimisht drejtësia dhe ata nuk e dinë, nuk janë të sqaruar, pasi të çan sytë propaganda.
Njerëzve gjithçka po u serviret si një çështje langaraqësh, opozitarësh që kanë pasuri dhe dashnore, askush nuk e di se pikërisht personi që u denoncua, jo kallëzuar penalisht, është sot në burg. Propaganda merret sa me shkatërrimin e logjikës, aq edhe me çoroditjen, aq edhe presionin social, me imponimin e të fortit, frikën.
Në fakt nuk është aspak çështje babale, por opozitarizmi. Eshtë parim i cili duhet mbrojtur me të gjitha mënyrat e mundshme, nëse e duam demokracinë dhe vendin. Diktatori do ta zhbëjë denoncimin, madje e ka zëvendësuar me termin shpifje. Do ligj për shpifje, nuk e do mendimin ndryshe as brenda shtëpisë së vet.
Këto burgosje me urdhër janë jo vetëm vrasja publike e dy shtyllave bazë të demokracise, opozitarizmit dhe drejtësisë, por edhe pragnisja ''ligjore'' e një lufte të hapur karshi çdo shpirti kundërshtar. Nga sirtari i tij lista e ndëshkimeve sapo është hapur.
© Ilir Levonja - Florida, SHBA