Pse Veriu i Shqipërisë është rajoni më i varfër i Europës? - Nga Enver Bytyçi
Sipas Eurostat, Veriu i Shqipërisë, së bashku me rajonin e Vanit në Turqi, janë dy zonat më të varfëra të Europës. Nuk ka varfëri më të madhe sesa në Veri të Shqipërisë. Nuk gjendet asnjë rajon i tillë në Kosovë, në Moldavi, në Bjellorusi, e as në Rusi dhe Ukrainë të përfshira në luftë. Kjo ndodh vetëm me Veriun e Shqipërisë, i cili i jep vendit, pra rajoneve më të pasura të tij, 90 përqind të energjisë elektrike dhe minerale të shumta për eksport.
Nëse Vani i Turqisë është një rajon i varfër, kjo ndodh për shkak të mungesës së resurseve të atij rajoni. Por nuk ndodh në asnjë vend të Europës që një zonë t’i japë shtetit e vendit të tij gjithë ato resurse e pasuri dhe vetë të katandiset në rajonin më të varfër në kontinent. Ndodh vetëm në një vend si Shqipëria, ku zhvillimi i pabarabartë është strategji shpopullimi dhe spastrimi etnik. E gjitha për shkak të politikave të “Rilindjes” dhe agjendës së saj për shkretimin e zonave veriore të vendit.
Rilindja merr nga Veriu i Shqipërisë të ardhura të jashtëzakonshme. Madje i grabit ato përmes aferave korruptive, deri te shitblerja me çmime më të ulëta se tregu e energjisë elektrike. Ndërkaq investimet e saj në Veri janë zero. Banorët e Veriut vuajnë edhe për investime elementare. Për një rrugë ose rrugicë për të lehtësuar transportin. Për ujin e pijshëm, megjithëse ujë ka me shumicë. Për rrjet energjitik të sigurt. Për donacione në bujqësi e madje edhe për hapjen e një kanali vaditës të domosdoshëm për rritjen e prodhimit. Për pasojë vështirësohet jeta e banorëve, vështirësohet kujdesi arsimor e shëndetësor, shtohet papunësia dhe ulën të ardhurat.
Qeveria e “Rilindjes” në 12 vite në pushtet ka investuar katër-pesë herë më pak për një banor në Veri sesa në Jug të vendit. Dhe kush beson se kjo ka ndodhur për pakujdesi, ai është naiv i lindur. Ka ndodhur për shkak të agjendës së “Rilindjes” për shpopullimin e Veriut. Në konceptin e “rilindasve” veriorët (malokët) janë njerëz të “pagdhendur”, “të pabindur” ndaj pushtetit e për pasojë ata duhen asgjësuar fizikisht nëpërmjet spastrimit krahinor. Asgjësimi realizohet përmes metodës së njohur serbe të elaboruar nga akademiku Vasa Çubrilloviç, pra varfërimit të popullsisë. Skemat serbe të shpërnguljes së shqiptarëve në Kosovë tashmë prej 12 vitesh zbatohen në Veriun e Shqipërisë.
Eurostat e konfirmon plotësisht këtë të vërtetë të pamohueshme, prandaj dhe duhet reagim. Jo thjesht protesta e mosbindje civile. Por presion për politika të zhvillimit të barabartë të Shqipërisë e për luftë kundër diskriminimit krahinor. E nëse ky presion nuk bën punë, atëherë duhet një lëvizje për një autonomi ekonomike e financiare të Veriut të vendit. Modele për këtë ka shumë në Europë. Me rëndësi është që rajoni më i varfër i Europës të përpiqet vetë e të gjejë modelin më të mirë për zhvillim e progres.
© Enver Bytyçi