Kolumnist

Kryengritje në "Pallatin" Liberal, 20 deputetë kundër Trudeau - Nga Taulant Dedja

Sipas një lajmi të CBC/Radio-Canada, publikuar herët në mëngjesin e sotëm (12.10), kryeministri kanadez Justin Trudeau nuk ka mundur deri tani të zbusë pakënaqësitë gjithnjë në rritje brenda grupit të tij parlamentar, sidomos gjatë vitin të fundit dhe burime që kanë folur për median shtetërore duke kërkuar të ruhet anonimati, kanë deklaruar se aktualisht po qarkullon një letër mes deputetëve liberalë, në të cilën i bëhet thirrje kreut të qeverisë të dorëhiqet.

Njëri prej nënshkruesve të letrës në fjalë, madje ka pohuar se “vetëm një lider i ri mund t’i rikthejë energjinë partisë”. Por rezulton se asnjë media se nuk e disponon dokumentin, që nuk është fotokopjuar, fotografuar apo shpërndarë me email mes anëtarëve të Grupit Parlamentar Liberal. Me sa duket nisma është ruajtur në kulisa, pas dyerve të mbyllura në Parlament, vetëm për deputetët që janë ftuar të nënshkruajnë personalisht letrën. Nga ana tjetër, mësohet se deri tani rreth njëzet deputetë e kanë nënshkruar dokumentin, që shumë prej tyre e përshkruajnë si një iniciativë të përbashkët për të kërkuar largimin e Justin Trudeau. Njëri syresh madje ka pohuar se ka parë nënshkrime në dy faqe.

Megjithatë, të tjerë deputetë të kontaktuar nga media shtetërore janë shprehur se nuk ishin fare në dijeni për ekzistencën e letrës, ndërsa ministrat e qeverisë liberale duket se janë përjashtuar nga kjo nismë, ndoshta si parapritë që informacioni për rebelimin të mos mbërrinte shpejt në kabinetit e kryeministrit Trudeau. Një burim i ka deklaruar gjithashtu CBC se qëllimi fillestar ishte që dokumenti të mbahej i fshehtë për të siguruar mbështetje të mjaftueshme brenda grupit parlamentar para se letra të publikohej.

Pas humbjes në zgjedhjet e pjesshme të qershorit të kaluar në Toronto-St. Paul’s, por edhe atyre në LaSalle-Émard-Verdun (Montréal) para disa javësh më 16 shtator (në zonën e ish-ministrit të Drejtësisë David Lametti), Justin Trudeau dhe rrethi i besnikëve të tij i kanë intensifikuar përpjekjet për të kontrolluar një kryengritje të mundshme brenda grupit parlamentar të preokupuar, jo vetëm për rezultatet zhgënjyese në dy bastione liberale, por edhe për sondazhet e shumta që për muaj të tërë i nxjerrin liberalët shumë prapa konservatorëve të Pierre Poilievre.

Iniciativa e re për të kërkuar largimin e Justin Trudeau ka përkuar me fundin e një vizite disa ditore të tij në Laos, ku ai ka marrë pjesë në Samitin e ASEAN (The Association of Southeast Asian Nations). Për shkak të këtij udhëtimi Trudeau nuk ka qenë i pranishëm as në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të mërkurën e kaluar (09.10) në Ottawa. Në Honolulu gjatë një ndalesë në kthim, ai ka refuzuar të flasë për gazetarët që e shoqëronin duke ia lënë rolin e avokatit ministres së tij të Tregëtisë Ndërkombëtare Mary Ng, e cila ka shprehur besnikërinë e saj ndaj shefit duke u shprehur “e zhgënjyer” nga kolegët dhe njëherazi ka ripërsëritur me nota patetike refrenin bajat të dëgjuar sistematikisht nga goja e Trudeau muajt e fundit se “kanadezët presin që qeveria të fokusohet te punët e saj të përditshme”.

Pritet të provohet nëse këto përpjekje të brendshme për të ndryshuar lidershipin liberal do të kenë efekt të gjerë apo do të shuhen gradualisht. Për më shumë se një vit, disa deputetë liberalë kanë vënë publikisht në dyshim drejtimin e Justin Trudeau, por deri më sot nuk kanë mundur të krijojnë një lëvizje të qëndrueshme opozitare brenda partisë. Vlen të theksohet gjithashtu se rreth 15 deputetë dhe ish-ministra liberalë kanë deklaruar deri tani se nuk do të rikandidojnë në zgjedhjet e ardhshme që teorikisht duhet të zhvillohen pas një viti. Largimi i fundit, madje më i rëndësishmi nga anija liberale që po merr ujë dita ditës, ishte ai i ministrit të Transportit (njëherazi dhe lejtënanti i Partisë Liberale në provincën frankofone) Pablo Rodriguez, i cili u dorëhoq për të kandiduar si kryetar i Partisë Liberale të Québec.

Pas dy mocioneve të konservatorëve së fundi, qeveria Trudeau në minorancë ka mbijetuar falë patericave të ofruara nga NDP dhe Blloku i Québec, por nuk dihet edhe sa do të vazhdojë kjo situatë. Fjalë ka që për të shmangur rënien, Trudeau mund t’i kërkojë Guvernatores së Përgjithshme të shtyjë mbledhjen e Parlamentit për t’i shpëtuar zgjedhjeve të parakohshme. Në Europë një akt i tillë do të ishte baraz me një “grusht shteti” paqësor. Në kontinentin plak nëse një qeveri e humbet një mocion besimi, vendi zakonisht shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme.

Le të shohim nëse Justin Trudeau do aplikojë apo jo formulën “pushtet me çdo kusht”. Në çdo rast gjithsesi do të jetë i humbur. Por më të humburit nga agonia liberale (dhe amoraliteti i NDP dhe Bllokut) si dhe zgjatja e e pushtetit të tyre, që moralisht ka kohë që e ka humbur legjitimitetin, do vazhdojnë të jenë qytetarët kanadezë…

© Flasshqip.ca

Foto e Justin Trudeau: The Canadian Press/Sean Kilpatrick