Kolumnist

Ilir Meta dhe partia me histori vulgare - Nga Ilir Levonja

Ndofta sot, Ilir Meta e ka kuptuar se cilës race politike i përket. Mori një karizëm sociale kur u përplas fort me kokat e mëdha, si Nano, Berisha, atë botë Edi Rama ishte një emigrant, por brenda koridoreve të partisë me histori vulgare, ai u quajt si burrështetas i vërtetë.

Përse është kjo e sotshmja pjesë e vulgaritetit të Partisë Komuniste, Partia e Punës, Partia Socialiste dhe së fundi “Rilindja” Socialiste?

Sado shqiptarët të fërkojnë duart, sidomos ata që hiqen të majtë, apo edhe ata që hanë fara luledielli trotuareve, e dinë mirë se të gjithë pa përjashtim, sipas radhëve të hirearkisë politike, do kenë fund tragjik të tipit Koçi Xoxe, Beqir Balluku, Teme Sejko, Mehmet e Feçor Shehu, Kadri Hazbiu etj.

Ndofta sot kjo rendje vulgare, përpos faktit të internimeve (30 mijë qytetare shqiptarë, apo 7 mijë të pushkatuar) i është kapardisur nëpër qafë edhe Ilir Metës.  Ky i fundit duhet të ketë qeshur hidhur me çastin kur suportoi ekzekutuesin e vet në revanshin politik sorosian e mjaftistët kundër mentorit të tij Fatos Nano.

Mbase ka nënqeshur edhe me devizën vulgare në 83 vjet histori politike po vulgare të racës së vet: “O, do pranosh fajin dhe një farë burgu por pa t’u cënuar pasuria, o, do shkatërrohesh deri në shtatë breza”. Kundër njëshit, kundër të madhit, nuk dilet.

Kur Petro Marko zbriti në Berat më 1944, me udhëzimin e të majtëve europianë, Sejfulla Malëshova, një tjetër i majtë europian, i tha: “ruhu mirë se këta veç komunistë nuk janë!”.

Kur dëgjon nga ana tjetër se edhe bashkëshortja e Ilir Metës është e izoluar, me siguri disa shqiptarëve duhet t'u vijë nëpër mend rrëfimi i nuses së madhe të Enver Hoxhës, kur çifti monarkik me të njëjtin mbiemër, shihnin në video, hetimin brutal të Fiqrete Shehut.

Kësisoj edhe tani, çifti monarkik është duke shikuar si arrestimin e ish-krahut të djathtë të tyre, ish-kryeministrin, ish-presidentin, burrështetasin e fortë, video-pyetësorin, por edhe video-izoliminin e Monikës.

Partia me histori më vulgare në kombin shqiptar dha sot shoun e radhës gjithë e vetëm për të mbuluar dështimin prej dekadash. Por jo vetëm kaq, edhe forcën e sundimit racor, ndaj të cilit janë të paktë socialistë si Petro Marko apo Sejfulla Malëshova për të ndalur revanshin e forcimit të kultit të individit.

Sot nuk u arrestua ish-presidenti i shqiptarëve, por ai i Edi Ramës, pasi Ilir Metën nuk e votuan shqiptarët. Nuk e zgjodhën ata. Madje ata as që indinjohen ndonjëherë për ekzistencën e votës së tyre. Madje e bëjnë me qejf shitjen e saj, me kollajllëkun më klasik. Për inat të iksit, mund të hapin shalët me ypsilonin.

Shqiptarët nuk votojnë, ose nuk zgjedhin shtetarët e tyre, kjo sa për ekuivoket kushtetuese, aq edhe për plogështinë e tyre për të bërë dallimin midis demokracisë dhe rendit diktatorial.

Shqiptarët kujtojnë se sot u vendos ca drejtësi. Në fakt aspak. Është një seri e edicionit të vitit 1981. Konkludimi fatal, unë të bëj hero, por unë edhe të varros.

Nëse drejtësia vërtet do ekzistonte në Tiranë, sot ata që qeverisin shto edhe partinë me historinë vulgare do ishin prej kohësh, të parët në burg dhe e dyta, jashtë ligjit.

Do ishte shërbimi më i madh për vendin edhe për të kuptuar drejt rendin social në Shqipëri, ku e majta ushqehet nga pronarë, latifondistë, oligarkë, mafiozë, ish-të përndjekur apo të internuar dhe gjoja konservatorë, kurse e djathta nga të papunë dhe punëtorë fabrikash, apo sindikalistë të një tregu krejt informal.

© Ilir Levonja - SHBA