Kolumnist

Shoqja nga Nju Jorku dhe shoqja nga Korça - Nga Ilir Levonja

Shumë njerëz habiten me faktin se si një grua shqiptare që ka 30 vjet emigrante në Nju Jork, akoma e quan veten shoqe, shoqe partie si në kohën Enver Hoxhës. Ashtu sikundër shumë të tjerë shpërndajnë në internet një tjetër grua, kësaj radhe nga Korça e cila po me të njëjtën metode debati nga koha e diktaturës, ngrihet në mbledhje grup-seksioni dhe flet me po të njëjtën terminologji, të shokut e shoqes, bash si në kohën e diktaturës.

E para, nuk ka ardhur në Amerikë për t'u integruar. Ndofta fëmijët e saj po, megjithëse tek-tuk edhe atyre ua ka dëshira të shprehin simpati për elementë të regjimit, si disiplina, vënia në radhë, frika, rregulli. Aq sa koha e bidonave prej teneqeje të vajgurit dhe vajit të lulediellit akoma thyen ambientet bosh të ditëve njëngjyrëshe të luftës së klasave.

Shoqet dhe shokët e Nju Jorkut punojnë me inat ku të mundin, jo për t'u integruar, por me mendjen se si një ditë të kthehen rishtas në pushtet dhe të vazhdojnë po aq egërsisht luftën e klasave. Dhe pavarësisht moshës, realitetit të ri, e konsiderojnë ikjen, emigrimin, si një dëbim nga armiku i klasës.

Shumë syresh e dinë mirë se fabrikat e kohës ishin ca karakatina që nuk plotësonin dot as tregun vendas, megjithatë, të thonë kishim punë. Në fakt nuk kanë mall për kohën, por për atë skuthërinë ku qoftë edhe në poste prej kompensate, të bënin gjëmën në luftën e klasave.

Nga ana tjetër nuk është se e duan Amerikën, por janë në dallgët e mllefit nga dështimi shekullor i ideologjisë së tyre, ku të parët janë pjella po e tyre që shqeu ambasadat, kaloi detin me gomone dhe hapi shtigje të panumërta maleve me Greqinë. Ndaj sot i sheh kudo, krah diktatorit Rama, thjesht se kanë gjetur një kënaqësi perverse të sundimit, të luftës së klasave, kanë rigjetur Enverin.

Kurse shoqja nga Korça, si shumë nëna shqiptare, nuk mbështetet tek fakti real ta zëmë 200 mijë lekë pension. Pa përmendur se sa të tjera pa atë fare. Dhe nëse ti përpiqesh ta sqarosh, në kuptimin se sa paguan drita, sa është karburanti, sa është farmacia etj., shoqet nëna të kujtojnë atë qenin që iku.

Formula është e qartë, nëse janë me qera, qeranë e paguan fëmija emigrant. Nëse kanë shtëpi të madhe, katana, të re e moderne, ua ka paguar goca a djali. Nëse u duhet të shkojnë tek doktori, ua paguan djali, goca. Nëse duhet të operohen, ua paguan fëmija prapë. Rrobat ua blejnë fëmijët, tek-tuk edhe ndonjë makinë. Madje siç e dini, tashmë ekzistojnë edhe furgonët apo autobuzët e pakove, kjo tregti e fortë deri tek trahanaja shqiptare dhe vitaminat e Europës, apo lavastoviljet etj.

Nëse duan të shkojnë në llixha, ua paguan fëmija. Nëse duan të rregullojnë gojën, ua paguan fëmija. Nëse duan të shkojnë e të shohin botën, mund të dalin, madje të marrin edhe pasaportë amerikane e të bredhin metropoleve. Se pasaportat e huaja, sidomos ato amerikane dhe kanadeze, i kanë edhe biletat brenda, i kanë falas nga djersa a gjaku i fëmijëve. Jo nga pensionet e Enverit apo këtij pinjollit të tij. Kurse ato pasaportat e Enverit dhe Edi Ramës, kanë Noc Rrokun po të Enverit dhe të Edi Ramës.

Kishin dikur një pasaportë të Ahmet Zogut, që bridhnin të lirë, por me ardhjen e bolshevizmës, u ra nja 100 vende poshtë aq sa sot gëzohen kur Noc Rroku u thotë se hoqëm vizat me Kubën.

Tani që t’i vëmë kapak punës, demokracia është rotacion. Sundon ligji, jo Noc Rroku.

© Ilir Levonja