Kolumnist

Bolshevikët e diplomacisë “rilindase” në Kanada nuk e harrojnë “Nënën Parti” - Nga Taulant Dedja

Pas ndërrimit të titullarit, duket se selia diplomatike e Republikës së Shqipërisë në Ottawa ka rënë përfundimisht nën kontrollin e bolshevikëve të rinj “rilindas”, besnikë të kryeministrit më të korruptuar në Europë, për shkak të politikave të të cilit, jo vetëm vazhdon shpopullimi i vendit, por edhe marrëdhëniet Shqipëri-Kanada janë në nivelin më të ulët historik të tyre që nga vendosja para 35 viteve. Arsyet se pse jemi në këtë nivel i kam përmendur në disa shkrime që lehtësisht gjenden në internet, por sigurisht ato i di mirë dhe diplomacia “rilindase”.

Megjithatë, për të besuar këtë pohim (sigurisht për ata që kanë sy e veshë të çliruar nga enverizmi dhe bolshevizmi) mjafton të shikosh se si u soll diplomacia kanadeze para pak ditësh, gjatë një konference ndërministrore kushtuar Ukrainës në Montreal, e cila i rezervoi një vëmendje të veçantë prezencës së ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, duke e injoruar totalisht ministrin e Jashtëm “rilindas” Igli H. që mezi mblodhi nja 15 nostalgjikë, konformistë apo naivë shqiptarë, diku në një rrugicë të metropolit frankofon.

Për të besuar këtë pohim, po ashtu mjafton të bësh një kërkim në faqen e Parlamentit Kanadez dhe aty do shohësh se ekziston një grup parlamentar miqësie Kanada-Kosovë, por jo një një grup miqësie me Shqipërinë, siç është trumpetuar për vite me radhë se ekziston. “Fantazma” e grupit inekzistent, një deputete Liberale e Torontos, është takuar dje në mos gaboj me kryepatronazhisten e selisë diplomatike në Ottawa dhe na paskan diskutuar se si mund të bashkëpunojnë për të mbështetur komunitetin “hallexhi selenicas” në Kanada.   

Sigurisht, titullarët e sotëm të selisë diplomatike, si i mëparshmi, përpiqen ta mbulojnë dështimin total duke rendur pas “komunitetit” apo duke qarë hallet e “komuniteti të Selenicës”, a thua se shqiptarët e Kanadasë kanë ardhur nga oqeani më anije të rrëmbyera apo duke kapërcyer male, e kërcënohen nga ndonjë “fshesë”.

Por ndërsa titullari i mëparshëm i cili vegjetoi 8 vjet (duke nënshkruar vetëm një marrëveshje të cilën e kishin negociuar e përfunduar dy titullarët e mëparshëm) si diplomat karriere dinte ta ruante ekuilibrin për çështje delikate që lidhen me historinë e afërt të dhimbshme të shqiptarëve, kryepatronazhistja e sotme vepron me direktiva bolshevike duke i shërbyer haptas “idealit bolshevik” të pasardhësve të ish-Bllokut famëkeq që sot e kanë kapur Shqipërinë prej fyti.

Besoj se njoftimi i publikuar para dy ditësh (shikoni foton më poshtë që mu duk e denjë të bashkëshoqërohet me simbolin e Sigurimit të Shtetit) në faqen e rrjetit social Facebook të Ambasadës shqiptare në Ottawa (që mbahet me taksat e gjithë shqiptarëve) nuk ka nevojë për shumë koment. Aty permendet muaji Nëntor, “festa e çlirimit të komunistëve” (absolutisht jo edhe festa e Pavarësisë) dhe aktiviteti më këtë rast organizohet pikërisht nesër, më 8 nëntor 2024.

Kush e ka provuar në lëkurë diktaturën enveriste sigurisht e di mirë se çfarë simbolizon 8 nëntori famëkeq. Sigurisht, të lindurit pas 1990-ës, që shpesh ngazëllehen në foto më ambasadorë e ministra, nuk kanë si të na kuptojnë, e mbase u dukemi jashtë realiteti me këto që kujtojmë.

A mendoni se zgjedhja e një dite të premte 8 nëntor ora 18:00 (pse jo e shtuna 9 nëntor?) për të shfaqur filmin e parë të kinematografisë komuniste shqiptare është një rastësi?

Absolutisht jo sipas meje. Ndaj dhe mendoj se ky është një veprim skandaloz dhe një provokim i paskrupullt që duhet denoncuar publikisht, sepse jam i bindur që fyen të gjithë ata që në një mënyrë apo në një tjetër e vuajtën diktaturën e partisë bandite që u krijua më 8 nëntor 1941, nën kujdesin e veçantë të jugosllavëve për të zezën e shqiptarëve, të cilët ende sot vazhdojnë të vuajnë pasojat e regjimit gjakatar që ajo solli në fuqi pas luftës “antifashiste nacional-shkatërrimtare”.

© Taulant Dedja