Mos e falni Sazanin! - Nga Ilir Levonja
- Nga: Ilir Levonja - SHBA
Brenda disa ditësh iu solla ishujve Mikonos, Santorini, Kaprit në bregdetin e Sorrentos dhe Amalfi Coast. Këta janë ishujt nga me të vizituarit, pavarësisht terrenit të vështirë, ujit të pijshëm apo rrugëve të ngushta. Të japin pamjen se jeta aty ekziston falë talentit dhe përpjekjes njerëzore, mushkave apo transoqeanikëve që sjellin pa pushim turistë nga e gjithë bota.
Biznese familjare, me gjithfarësoj xhinglash, tavolina ngucalaqe me gjiro birrë, pica limonçelo etj., suvenire nga më rastësorët. Kthina buzë greminës ku vetëm i dehur nuk mund të kaloje. Megjithatë vargane me njerëz, turistë nga e gjithë bota. Dhe ta mendosh se ishuj si Mikonos apo Santorini, me popullatë prej 15 deri në 20 mijë banorë, thuajse dyfishohen apo trefishohen brenda ditës.
Kudo ku uleshim gjeje shqiptarë, disa kamarierë, disa pronarë, madje edhe kur merrnim taksitë ata na shfaqeshin. Edhe në minidoganat e tragetit sapo na merrnin kartat e identitetit, pasi na lexonin emrat, na përshëndesnin shqip. Kaq shumë jemi shpërndarë nëpër botë? Kaq shumë jemi në numër? A janë të vërtetë censuset që bëjnë qeveritë tona?
Ne nuk kemi ishuj si Greqia, Turqia apo Italia, por kemi bregdet po aq të bukur sa Amalfi Coast. Kemi vetëm një ishull, por asnjë përpjeke për ta kthyer atë në një thesar turistik me banorë vendas. Pati një tentativë nga diktatura komuniste, ku pjesa dërrmuese ishin ushtarakë dhe aq, pasi menjëherë pas hapjes, pra ardhjes së demokracisë, ishulli u braktis masivisht, por edhe arsenali ushtarak, ai që ishte, baza detare etj., u bastarduan dhe gjithçka sot është në mëshirën e fatit. Madje tash së fundi, verbërisht, budallallisht, me krenari idiotësh të një neo-enveristi, ia kemi bërë dhuratë dhëndrrit të Donald Trumpi.
Ajo që të tmerron është fakti se pa asnjë këshillim me organet ligjore kombëtare, pa asnjë debat po kombëtar, pa asnjë votim apo tenderim publik, kjo proklamohet nga e gjithë propaganda neo-enveriste si një arritje e madhe në drejtim të investimeve të huaja në vendin tonë. Një web idiot reklamonte si sfidë ndaj Greqisë faktin që dhëndrri i Trump po investonte në Shqipëri.
Hiqini këto mendësi idotësh se nuk do me ia ditë as Greqia apo Italia për budallallëqet shqiptare. Pyesni djemtë tuaj që kanë afro 34 vjet duke u djersitur ishujve të Greqisë. Janë sot shenjtët e vitalitetit të emigracionit shqiptar. Kurrë nuk pashë gjëkundi të dilte qoftë edhe një grup ish-oficerësh të marinës, bregdetit, ushtrisë shqiptare, aq sa pyes veten ka më burra ai vend.
Sipas gjoja statistikave sikur kemi pasur një shifër rekord ushtarakësh, deri në 70 mijë, mirëpo sot asgjëkundi se del njëri syresh e të flasë për çfarë krijoi, çfarë humbi dhe çfarë mund të rimëkëmbëj në atë ishull me historinë e tyre. Sikur një grup dhe ta kthenin pronën kombëtare në një debat publik të dobishëm për vendin dhe fëmijët e tyre. Askush nuk e di se çfarë përfitojnë shqiptarët nga një ishull që nesër do jetë privilegj për turistin e thjeshtë, për qytetarin normal, pasi do jetë pronë e masonëve apo hirearkisë së lartë nga oligarkët dhe bosët e perëndimit. Dhe ta mendosh që në hapësirën Karaburun, Sazan, Zvërnec, Vlorë mund të bëje pa diskutim një resort fitimprurës për vlonjatët së pari, mbasandej për shqiptarët dhe të huajt.
Kur në qeverisjen Berisha (2009), u arrit një marrëveshje për kufirin detar, atë të cilën e rrëzoi Gjykata Kushtetuese, atëhere u ngrit të paktën një ushtarak i vetëm. Madje me suportin e opozitës së kohës, apo qeverisë së sotme. Madje, u shpërflak edhe një shtyp i fortë deri sa aludohej për tradhëti kombëtare, për shitje territori etj. Sot çuditërisht nuk sheh më sikur një të vetëm, një patriot i cili del e flet. Askush nuk e ngre zërin dhe të thotë se ka apo nuk ka këtu shitje të territorit apo tradhëti kombëtare.
Duhet të mohojmë atëhere të gjithë fuqinë intelektuale ushtarake të këtyre njëqind e ca vite shtet shqiptar, pasi një neo-enverist thjesht për teka të karrikes dhe imazhit personal e shet badiava një thesar të shqiptarëve. Nuk e kuptoj edhe gjithë shtresën akademike nga 1944 e këtej, të cilët vazhdojnë të na çajnë menderen me faktin se si Ahmet Zogu u shiti sllavëve Shën-Naumin etj., kurse në rastin konkret të gjithë heshtin. Kaq e madhe është frika në Shqipëri? Kaq nështrim social ka aty, kaq vdekje sociale?
Askush nuk është kundër investimeve, por ato kanë ca rregulla elementare, i pari është se çfarë përfiton vlonjati, qytetari i bregut etj. A mund ta kthejnë vetë shqiptarët atë ishull në një minerë ari për veten e tyre? Ashtu si grekët një vullkan të fikur, me mushka e kishin nisur, me ca shtëpi kuvli etj., sa sot është i gjithi një minierë floriri.
© Ilir Levonja











