Sazani, flirt apo frikë? - Nga Vangjush Saro
Në javët e fundit, duket se mori përpjetë më shumë se kurrë vektori i vëmendjes dhe i përuljes ndaj presidentit të SHBA-ve dhe vetë Amerikës; (po themi, nga mbarë politika dhe mediat në botë). Në këtë dashuri të pamatë, në këtë përulje me dhe pa shkak, si përherë, shqiptarët dallojnë. Përfshirja në flirt e ishullit të Sazanit, e bën edhe më të qartë tablonë. (Nuk paragjykoj projektin dhe as zhvillimin e ishullit, por mënyrën jargavitëse se si ai ofrohet; anipse këto ditë u bë e ditur që shteti do të ketë pjesë në atë biznes, duke “ndrequr” pak ekuilibrat sa i takon pronësisë dhe shfrytëzimit të ishullit.)
Po e zë edhe njëherë nga fillimi. Nuk e vë askush në diskutim, besoj, kahjen perëndimore të vendit dhe aleancën me Evropën dhe SHBA-të. Por përtej politikave dhe disa detyrimeve (edhe) ndaj qytetarëve të vet - sepse vullneti i tyre ka qenë dhe mbetet pro Perëndimit - qeveritë shqiptare, ca më shumë kjo e sotmja, mediat e tyre po se po, e kanë mbushur jetën dhe shpresat e tyre vetëm me Amerikë; në një mënyrë servilosëse dhe varësie të pashërueshme. Një në dy lajme, është për Sazanin dhe Trump-ët (!)
Siç u pa më lart, nuk mund të rrija pa e nënvizuar njëlloj përuljeje edhe të politikanëve dhe mediave evropiane e të Ballkanit ndaj Amerikës dhe, posaçërisht, ndaj Presidentit Trump. S’është e re të themi që Amerika gjithnjë e ka “sunduar” Botën sipas mënyrës së vet. Në njërën dorë, ajo mban medaljonin e demokracisë dhe të mirëqenies, që do të thotë: zgjedhje të lira, institucione të pavaruara - që sikur po lëkunden - standard i kënaqshëm jetese, etj. Në dorën tjetër, mban “kërbaçin”, që nënkupton diversion për interesat e saj dhe, shqip fare, diktat e imponim atje ku haset rezistencë; (bie fjala, Kanadaja, Spanja).
Folëm për Evropë dhe Ballkan dhe se si ato (në përgjithësi) po i rrinë “sus” Amerikës dhe presidentit të saj megalloman. Duhet të shtoj këtu se ata i shohin vetë punët e tyre, për më tepër, që dinë edhe t’i modelojnë nga pak qëndrimet. Për ne, më së pari, është me interes të vlerësojmë siç duhet posaçërisht raportin tonë me shtetin e stërmadh. Kemi disa përvoja me Amerikën. Më e vlerta ishte ajo e qëndrimit dashamirës të presidentit Uillson, ndërsa lukunitë e Evropës dhe të Ballkanit po përpiqeshin ta ndanin copërash Shqipërinë e mjerë në vitet e saj më të errëta. Në Amerikë, në kohëra, gjetën mbështetje një numër i madh emigrantësh shqiptarë dhe ushtruan veprimtarinë e tyre në dobi të Shqipërisë figura të shquara, si F. Noli, F. Konica, etj. Ajo, Amerika, na u gjend prapë përmes z. Fullc dhe shkollës së tij teksa përgatiste një sërë kuadro e specialistë, pavarësisht fatit të tyre, ndonjëherë tragjik.
Më pas, në vitet e Socializmit, u krijua përshtypja se Amerika dhe Perëndimi po përpiqeshin të përmbysnin Pushtetin Popullor, siç cilësohej rëndom asokohe. Në fakt, kjo temë ha diskutim; sidoqoftë, njëra nga përpjekjet, ajo e dërgimit të diversantëve (nga një e nga dy, si për t’u tallur) nuk u ftillua asnjëherë çfarë ishte: një lloj testimi se ç’mund të sajohej me vendet socialiste apo çalltisje e vërtetë për ta rrëzuar regjimin (!)
Në fillimet e demokracisë, ra në sy vizita e sekretarit të Shtetit, z. Xh. Bejker dhe mitingu i madh i Tiranës për nder të tij e të Amerikës. Krahas përshëndetjeve e ngashërimeve të nxehta, u dëgjua edhe fjalimi i ftohtë i z. sekretar që, me pak fjalë e në mënyrë alegorike, tha se ata (amerikanët) nuk kishin ndërmend të na jepnin peshk, por do të na mësonin se si kapej peshku… Siç e kam shkruar edhe njëherë tjetër, në atë tribunë u gjend edhe dikush që bërtiti me të madhe “Të biem në gjunjë për z. sekretar dhe për Amerikën!” Dhe shumica e shqiptarëve të pranishëm ashtu bënë. (Vazhdojnë të bëjnë ashtu.)
Ani. Kështu shkoi ajo punë: herë përgjunjësh e herë duke hedhur vickla me tepri. (Mund të kujtojmë që një nga drejtuesit kryesorë të vendit në dekada, S. Berisha, nuk ka shkuar mirë pothuaj me të gjithë ambasadorët e SHBA-ve. Punë e tij dhe e formacionit politik që drejtonte dhe drejton.) Por ja tek mbërritëm në ditët e sotme, kur në këtë Botë të nënshtruar, së paku në pjesën më të madhe të saj dhe, posaçërisht, në oborrin tonë të vockël, Amerika sërish është fjala e parë dhe e fundit. Dhe këtu, politikanët shqiptarë e shumë media shqiptare, që përherë kanë qenë patetikë - s’më vjen mirë, por ja që duhet përsëritur - dallojnë nga të tjerët, në rajon dhe më gjerë. Të bëhet sikur ata, sapo ngrihen në mëngjes, shqyejnë sytë andej-këtej se mos ka ndonjë gjë të re nga Amerika dhe a mund të qasen nga pak në qëndrimet e saj, përkatësisht në të gjitha shfaqjet dhe replikat e z.Trump; ranë përmbys që të bien sadopak në sy të tyre…
Që ta mbyllim, “legjendarizimi” i ishullit të Sazanit - u ktheva prapë tek ai, ashtu i bie disi në mënyrë simbolike - nuk se do ta shpëtojë Shqipërinë (nga problemet e saj ekonomike e politike) dhe as turizmin (nga ato infrastrukturore). Megjithatë, kjo botë e vogël - lidhur interesash është. (Nuk do bëjë Shqipëria e vogël veç të tjerëve.) Por… që ta zhvendosësh krejt botën tënde dhe veten tënde tek ai shtet epror dhe tek ai politikan epror, t’u bësh atyre pareshtur lajka e publicitet, të rrish me kokën kthyer andejza orë e çast, të këndosh duha që të t’i hedhin pak sytë… kjo e gjitha (në vështrimin tim) është një lloj prapambetjeje, përveçse varësi totale e frikë. (Pasi ke përqafuar (me gjasë) lirinë dhe demokracinë. Oops!)
© Vangjush Saro - Vancouver











