Nuk na duhen njerëz të rinj, por njerëz me ide të reja - Nga Rob Kore
Në politikën shqiptare shpesh është promovuar kriteri i moshës së re, sikur rinia të ishte garanci për ndryshim. Por vitet e fundit e kanë dëshmuar qartë se ky është një iluzion i rrezikshëm. Eksperienca me figura të reja politike, nga Basha deri te emrat më të fundit që qarkullojnë, tregon se rinia pa ide nuk sjell ndryshim. Përkundrazi, shpesh këta janë bërë më autoritarë se të vjetrit dhe thjesht riprodhojnë të njëjtat modele të konsumuara.
Shqipërisë i nevojitet sot një vizion i djathtë i qartë, i bazuar në ide dhe politika, jo në eksperimente me “parafabrikate ambasadash”. Një vizion i tillë duhet të zgjojë “gjigandin e fjetur”, shumicën e votuesve të zhgënjyer e të heshtur.
Si mund të arrihet kjo?
1. Të ndalohet hemorragjia e emigracionit. Rinia largohet për shkak të mungesës së shpresës. Zgjidhja qëndron te politikat e djathta: ulje taksash, mbështetje për biznesin e vogël dhe të mesëm, krijim vendesh pune dhe ulje varfërie.
2. Parimi “Shqipëria e para”. Çdo vendim politik duhet të marrë parasysh interesin kombëtar. Marrëdhëniet me ndërkombëtarët janë të domosdoshme, por ato nuk mund të kthehen në diktim politikash vetëm për hir të stabilitetit.
3. Mbrojtja e familjes dhe vlerave tradicionale. Familja është themeli i shoqërisë shqiptare. Në këtë drejtim, bashkëpunimi me partnerë ndërkombëtarë që ndajnë të njëjtat parime është thelbësor.
4. Lufta kundër korrupsionit. Duhet një mekanizëm i ri, me përfshirjen e studentëve të ekselencës dhe teknologjisë moderne, për të inspektuar institucionet dhe bashkitë, duke minimizuar kontaktet e drejtpërdrejta mes qytetarit dhe administratës. Shërbimet online dhe reduktimi i burokracisë do të ulin korrupsionin dhe do të bëjnë qeverinë më efikase.
5. Pavarësia energjetike. Në kushtet e krizave globale, sigurimi i burimeve të brendshme të energjisë është një prioritet kombëtar.
6. Politikë e jashtme e matur. Shqipëria duhet të ruajë profilin e ulët dhe sovranitetin e saj, duke mos u futur në aventura të tipit “lider global”. Ajo që u duhet kërkuar me vendosmëri Amerikës dhe Europës është bashkimi kombëtar dhe korrigjimi i gabimeve historike të vitit 1913.
Si konkluzion, Shqipërisë nuk i mungojnë të rinjtë në politikë, por vizioni i qartë i së djathtës. Një qeveri e vogël, efikase, e fokusuar te interesi kombëtar, mbështetja e biznesit, mbrojtja e familjes dhe lufta kundër korrupsionit janë rruga e vetme për të zgjuar gjigandin e fjetur shqiptar, shumicën e heshtur.
© Rob Kore - Toronto












