Një verë për t’u harruar - Nga Vangjush Saro
Kisha uruar (në shkrimet e botuara, por edhe privatisht miqve) një verë sa më të mirë, në çdo këndvështrim. Dhe mbase ka ende vend e kohë për ta zhbërë panoramën e deritanishme që, për fat të keq, erdhi me ngjyra aspak premtuese. Dëshirat e sinqerta dhe pritshmëritë nuk na pengojnë të shohim në sy realitetin. Deri më tash, ka qenë një verë e keqe, përvëluese dhe e mundimshme; jo thjesht për nga temperaturat e larta, por edhe për nga problemet e shumta dhe hallet e panumërta; për qytetarët dhe për shtetin e tyre copë-copë.
Më së pari, Turizmi, i propaganduar me aq bujë përgjatë gjithë vitit - gjer edhe në pikë të dimrit - pjesërisht i zhgënjeu vendasit dhe të huajt. Sigurisht, ka gjithmonë një dendësi lëvizjeje; diaspora dhe Kosova do ta vizitojnë vendin, patjetër edhe të huajt. Por kushtet e papërshtatshme dhe pështjellimi me shembje ndërtimesh, aksidente e zjarre, etj., e denatyruan këtë biznes. (“Hidhu përtej hendekut, pastaj thuaj hopa!” Popullore) Përveç atyre që u thanë më lart, ka edhe të tjera arsye, gjithaq të rënda: Papastërtitë, çmimet e larta, zënia e hapësirave publike, konfliktet mes bizneseve për rërën dhe detin, mungesa e qetësisë; (e thashë butë, por rrahjet dhe sherret ishin pothuaj të përditshme). Sidoqoftë, vera ishte larg pritshmërive. (Dhe kjo nuk mund të kalohet me një analizë justifikuese apo me ndonjë shkrim përkëdhelës nga ndonjë portal i huaj.)
Mundi dhe vuajtja më e padëshiruar e kësaj vere, ishin zjarret; si kurrë ndonjëherë, vendi u kërcënua rëndë prej tyre. S’ishin parë ndonjëherë kaq shumë; mbajnë “autorësinë” e motit e të ndryshimeve të klimës, por edhe papërgjegjshmërinë e individëve që mendojnë vetëm për çastin ose thjesht për ngastrën e tyre. Nuk mund të thuhet se entet qendrore dhe ato lokale nuk treguan kujdes dhe s’iu përgjigjën kësaj situate të rëndë; por mund të ishte bërë më shumë, më parë… Më parë e më shumë mund të ishte marrë shteti edhe me shembjet e ndërtimeve pa leje, me lavazhet, me tryezat e trotuareve, etj.
Ndërkaq, po gjatë kësaj vere, nuk morëm qoftë edhe një lajm të mirë nga politika. Ajo vazhdon të shkatërrojë ëndrrat e shqiptarëve për demokraci. (“Lumi i thellë, mendje e kthjellë.” Popullore) Ç’të themi më parë… Gjer edhe aleatët perëndimorë ngritën zërin për burgosje politikanësh pa prova dhe bindje. Vijuan aktet komike dhe debatet shterpë për zgjedhjet e kontestuara të 11 majit, si dhe shakatë me deputete - teze e halla (!) Pushimet nga puna dhe dëbimi i nëpunësve dhe drejtuesve të bashkive, ishte gjithashtu për të vënë duart në kokë dhe krijoi kakofoni. Në Kosovë, politika luajti për muaj të tërë një farsë që s’ishte parë askund, asnjëherë; jo më tek ne, por as në vendet më problematike të botës.
Vërtet. Ishte e turpshme të shikoje se si në zhegun e vapës, njerëzit kthenin sytë nga të zgjedhurit e pamerituar teksa këta hairsëzë hanin kokat e njëri-tjetrit, ndërkohë që formacionet politike mbeten aq të brishta dhe, për më tepër, zhgënjyese; që të mos themi të dyshimta (!) Kjo është një histori vërtet e trishtuar, nëse mendojmë (seriozisht) që rendi ku kanë hyrë Shqipëria e Kosova e konsideron politikën si një institucion shumë të rëndësishëm. Mbase nuk po shihet ashtu; fundja, duhet ta meritojë…
Përmbledhtazi, do të rithosha atë që është shkruar disa herë - edhe nga autori i këtyre radhëve - që lipset të ndryshojmë e përmirësojmë gjithë vështrimin tonë mbi veten, mbi jetën, të kërkojmë realisht mundësi për edukimin tonë, të përmirësojmë mediat, të vëmë në shina politikën, t’i ikim prapambetjes. Nuk ka vend për t’u mërzitur pse jemi këtu; keq është kur s’e di apo bën sikur s’e di ku gjendesh. Prapambetja (sado që shumëkush mund të rrudhë buzët kur e themi) kjo është: Ta përdorësh pushtetin për të kënaqur etje të dyshimta; ta ulësh kokën ndaj çdo presioni e kërcënimi, nga individi apo nga shteti; t’i bësh karshillëk qeverisë dhe qytetarisë duke ndërtuar sipas mendjes; të bësh plehra e të mos i heqësh, madje t’i flakësh si mundesh; të grindesh me tjetrin për asgjë e të tregosh sakaq grushtin, thikën apo koburen; t’ia mbështjellësh makinës me 200 në orë e të vrasësh njerëz pa u menduar dy herë. Etj.
Janë këto sjellje asfare qytetare dhe është kjo kuotë e ulët në mentalitet, pa ndodh ajo që shohim përditë; në verë e në dimër. Tabloja mund të komentohet në mënyra të ndryshme. (“Ti thua mendimin tënd, unë tund kokën time.” Popullore) Në atë çfarë kam ndjekur e parë, deri tani, ka qenë vërtet një verë për t’u harruar. Edhe pse, e ritheksoj me shpresë, mbase ka ende vend e kohë për ta zhbërë panoramën e deritanishme me ngjyra aspak premtuese… Çështja është me gjet një “epilog” (më) të mirë për këtë sezon të keq, por edhe për më tej. Sidomos për më tej.
© Vangjush Saro - Vancouver











