Kolumnist

Për integrimet shqiptare - Nga Ndue Ukaj

Unë besoj në integrimet shqiptare, sepse, integrimet, në kuptimin më sublim të fjalës, janë vlera të demokracisë perëndimore, besoj se ky proces është në dobi të rajonit e të rendit demokratik euroatlantik, për faktin se integrimet janë në funksion të paqes, të përmirësimit të cilësisë së jetës e të krijimit të mundësive më të mira për të gjithë njerëzit.

Të mësojmë pak prej popujve europianë, të cilët, pas Luftës së Dytë Botërore, e filluan mëkëmbjen e ripërtëritjen, duke u fokusuar, që pikat e ndarjes, t’i bënin pika të përbashkimit, kufijtë t’i shndërronin në porta të komunikimit, pra të këmbimeve kulturore, ekonomike e njerëzore. Dhe kjo ëndërr, u bë realitet, sepse, kishte njerëz që besonin e punonin në këtë drejtim, me mend, dashuri, dhe jo me retorika shterpe e me gjoks.

A mund të integrohen sot shqiptarët?

Po, pa asnjë dyshim dhe në këtë proces askush nuk i pengon, pos bërllokut mendor e mureve të urrejtjes politike, që janë vendosë mes tyre, nga vetë shqiptarët.

Është fakt, deri me sot, nuk ka pasë asnjë debat përmbajtësor, e për rrjedhojë, asnjë përpjekje të vërtetë në këtë drejtim.

Ka pasë e ka debate periferike, më saktësisht, pseudodebate e më së shumti gulçima, por jo debate të shëndosha e krijuese, që duan të krijojnë hapësira unike, në përkim me vlerat e demokracisë.

Nuk besoj se ka faktorë të jashtëm, që i pengojnë shqiptarët sot të integrohen, por ka mungesë dije dhe vullneti politik, në të dy anët. Mbase, faktorët më pengues janë ato rriqrat e brendshme, që i qortonte ashpër Fishta e Konica.

Besoj fort se ky proces mund të ndodhë, përkundër vonesave, që më së shumti i injekton politika e brendshme, herë kur e kap zjarrmia patriotike e herë kur bie në kurthin e parullave elektorale, të tallavasë politike, siç ka ngjarë me një pjesë të skenës politike të Kosovës përgjatë viteve të fundit, duke e banalizuar këtë interes madhor.

Integrimet shqiptare janë të dobishme dhe nuk ka ndonjë argument që mund ta kundërshtojë këtë proces, sidomos atë ndërmjet Kosovës e Shqipërisë, sepse, është në përkim të plotë me frymën e integrimeve europiane dhe duhet menduar në përkim me këto standarde.

Por, që të ndodhë kjo, politika në Prishtinë e Tiranë, pikësëpari duhet të shërohet e pastaj të kurohet nga komplekset e shumta, logjika të mëhallave dhe të angazhohet në projekte reale, të fushave të interesit të përbashkët, për të cilat asnjë zyrtar ndërkombëtar nuk mund të kundërshtoj.

Për shembull: kush i pengon shqiptarët, që t’i unifikojnë politikat kulturore, ato të fushës së librit, të gjuhës, të komunikimit të lirshëm të librit dhe jo të trajtimit të tij si të ishte patate apo hekur?

Që të jem ma i qartë, ja një shembull konkret: një shkrimtar shqiptar, le të themi nga Kosova a Maqedonia, e ka të vështirë, për shkak të rregulloreve ligjore, të fitojë një çmim letrar në Tiranë ose e kundërta, një nga Tirana a Maqedonia, të fitojë një çmim në Ministrinë e Kulturës së Kosovës.

E këso lloj përçudnish ka së të duash e në të gjitha fushat.

Pra, thjesht, askush nuk na pengon të integrohemi, pos institucioneve tona dhe mendësisë provinciale, që në çdo mundësi sheh nga një vështirësi.

Shqiptarët tani e kanë një mundësi ideale dhe një rast historike, që të mendojnë seriozisht integrimin e tyre, siç thoshte e siç kërkonte Ibrahim Rugova, pra në kuadër të proceseve integruese euroatlantike.

Vetë Rugova, në ceremoninë e shpalljes së tij Doktor Nderi i Universitetit të Tiranës, më 9 shtator 2004, mbajti një ligjëratë të bukur me titull, “Shqiptarët- popull antik” dhe foli për vlerat e përbashkëta dhe në fund tha:

“Duke pranuar këtë titull të lartë, Ju premtoj se do të punoj me të gjitha fuqitë e mia për vendin tim Kosovën, për integrimet shqiptare dhe për mirëkuptim ndërshqiptar e ndërnjerëzor.”

Ky është një lloj testamenti politik, detyrë për brezninë tonë, që ta çojmë përpara, pa u ankuar e pa kërkuar t'i shohim veç barrierat.

Gjuha është mjet i vetëm që i ndihmon proceset pozitive, dhe po ashtu, gjuha është mjeti i vetëm që ndihmon të largohen barrierat, për të krijuar pastaj ura, rrjedhimisht mundësi të reja, prandaj, ta përdorim atë e të flasim me dashuri për integimet shqiptare, që të mos bëhemi tregtarë flamujsh, por ndërtues e krijues, t’i largojmë barrierat, sidomos ato që lidhen me tema të idealitetit kulturor, e të bëhemi pjesë e familjes euoropiane, si komb me identitet europian, për çka festohet kjo datë (28 nëntori) e për çka ka shkruar me mprehtësi intelektuale e krijuese, shkrimtari ynë më i madh, Ismail Kadare, duke lënë kështu një si testament shpirtëror, për jetë e mote.

© Ndue Ukaj - 28 nëntor 2025