Zgjedhjet në Kosovë, një rreze e fuqishme shprese - Nga Hajro Çini
- Nga: Hajro Çini - Toronto
Zgjedhjet e fundvitit në Kosovë ishin një model nga i cili duhet të mësojnë të gjitha demokracitë, veçanërisht ajo e Shqipërisë.
Fituesi i zgjedhjeve është kryeministri në detyrë, i cili nuk ka absolutisht asnjë hije korrupsioni personalisht. Ka qënë stoik në bindjet e tij dhe nuk ka çeduar asnjëherë, që nga koha kur ai hyri në politikë.
Edhe pse priti me durim dhe pa u përkulur 20 vjet, partia që ai drejton ka katër herë rradhazi që del partia e parë në zgjedhje, dhe ai bëhet i pari shtetar në Kosovë që ndërton 3 qeveri, dhe i pari kryeministër që do mbyllë me sukses dhe me fitore pas saj, një qeverisje të plotë 4 vjeçare.
Ai i kishte të gjithë kundër, veç ekipit të tij dhe aleates së palëkundur Guxo.
Ai kishte kundër oligarkët, të cilët nuk kanë origjinë të pasur por janë “plebej” të pasuruar shumë shpejt dhe me mënyra jo shumë të ligjshme. Dhe kur plebejtë bëhen të pasur, ata ndryshe nga bejlerët shqiptarë, të fundshekullit XIX dhe fillimshekullit XX, që shkrinë pasuritë e tyre të bënin kombin, nuk kanë ndonjë ndjenjë kombëtare, se edhe kjo e fundit ka nevojë për traditë.
Ai kishte kundër të gjithë shtypin e shkruar dhe të folur në Kosovë, që dyshohet të financohet nga Beogradi.
Ai kishte kundër narko-qeverinë Rama.
Ai kishte kundër dhe pa kompromis të gjithë partitë politike shqiptare.
Ai kishte kundër edhe gjysmën e LDK-së, partisë së Dr. Rugovës, i cili bindi botën të çlirojnë Kosovën. Them gjysmën e LDK-së se gjysma tjetër, ajo më rugovistja dhe më patriotja, është mbledhur tek Lëvizja Guxo e Vjosa Osmanit dhe Donika Gërvallës.
LDK zyrtare duket se po shkon drejt shkatërrimit, sepse atë e uzurpuan titistët dhe hajdutët. Për një kohë të gjatë atë parti e ka kontrolluar Isa Mustafa, ish-ministër i Rrahman Morinës dhe nëpërmejt vjedhjeve dhe korrupsionit të tij, edhe Thaçi.
Deri vonë, Kurti kishte kundër Bashkimin Europjan dhe Administratat Amerikane Trump dhe Biden, sepse ndryshe nga paraardhësit e tij, Thaçi, Mustafa dhe Haradinaj, që i bindeshin çdo telefonate perëndimore, pothuajse të gjitha në dëm të Kosovës, Kurti nuk bëri asnjëherë kompromis me interesat kombëtare shqiptare, dhe në çdo nivel ai nguli këmbë, që në daljen e tij të parë si kryeministër, bile edhe para se të fitonte zgjedhjet, se Kosova nuk është çështje për tu diskutuar në tavolinë, por palë e barabartë që kërkon të drejtat kombëtare, historike dhe njerëzore.
Ai theu çdo tabu, sepse për Perëndimin ishte shumë më e thjeshtë dhe pa asnjë kokëçarje të kishin në Prishtinë ca vasalë të shantazhueshëm, të korruptuar dhe të përkulshëm se sa një sovranist inteligjent, të mënçur dhe të palëkundur.
Por një dorë që nuk nduket dot - thotë populli ynë - puthet.
Fitorja e Kurtit është fitore e Kosovës së lirë, të pavarur, sovrane dhe demokratike.
Ajo është fitore edhe për Shqipërinë, por edhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor, sepse Perëndimi e pa se Ballkani Perëndimor mund të përparojë në sajë të udhëheqësve të ndershëm dhe të pashantazhueshëm. Kjo fitore do të jehojë shumë gjatë dhe do të ndikojë edhe në vëndet fqinje.
Por kjo fitore është meritë edhe e votuesve të mënçur, të matur dhe mjaft patriotë të Kosovës, veçanërisht Diasporës.
Që nga çlirimi, votuesit e Kosovës kanë dëshiruar një qeveri të ndershme koalicionesh. Asnjëherë, deri para 5 vjetësh, votuesit e Kosovës nuk i dhanë asnjë partie mbi 51%, sepse ata duan që politikanët e Kosovës të jenë të matur, të merren vesh midis tyre dhe të zhvillojnë Kosovën.
Kështu vepruan edhe para se të formohej qeveria Kurti 1, ku VV-Guxo ishte partia fituese por me vetëm 27 %, dhe në aleancë me LDK-në bënë një qeveri jetëshkurtër, për shkak të pabesisë së Isa Mustafës dhe Avdulla Hotit.
Votuesit e Kosovës e kuptuan se fajtor për rrëzimin e qeverisë legjitime Kurti 1 nuk ishte VV-Guxo, por LDK-ja dhe për herë të parë në zgjedhet e shkurtit 2021 ia dhanë pushtetin plotësisht VV-Guxo, që qeverisën shumë mirë. U rrit buxhetin, u luftua krimin i organizuar, u luftua korrupsioni, u shtri sovranitet në të gjithë Kosovën, edhe pse me një Gjykatë Kushtetuese të dyshimtë dhe një Prokurori të lidhur me Thaçin, Veselin, të arrestuar prej vitesh dhe akuzuar për krime kundër shqiptarëve.
Besnikë të mënçurisë së tyre, votuesit e rivotuan përsëri në shkurt 2025 VV-Guxo, por jo me shumicë të plotë, që politikanëte opozitës të luanin rolin e tyre luajal dhe konstruktiv.
Opozita e dyzuar e Kosovës nuk arriti dot të ngrihet në lartësinë që e kërkonte elektorati i Kosovës dhe për 10 muaj tentuan një bllokadë institucionale që po e dëmtonte shumë rëndë Kosovën.
Mirëpo Kurti është intelektual i shquar, është jashtëzakonisht i mënçur, i palëkundur dhe është i pashantazhueshëm. Ai jo vetëm që nuk çedon në parimet e tij, por nuk ka frikë të lëshojë as karriken e kryeministrit nëse këtë e kërkon e mira e Kosovës dhe ai i hapi rrugë Glauk Konjufcës për kryeministër.
Veprimi intelektual i Kurtit u ndesh ma intolerancën e Memli Krasniqit, të Hardinajt, të Limajt dhe foshnjërinë politike të Abdixhikut.
Politika nuk është për intolerantë apo fëmijë të përkëdhelur, ndaj dhe votuesit jashtëzakonisht të pjekur, të mënçur, të urtë dhe patriotë të Kosovës, sërish i dhanë mazhorancë qeverisëse Kurtit III.
Falë këmbënguljes së tij shumë parimore Kurti fitoi. Ai arriti ta tejkalojë statusin e dobët të Kosovës, që e trashëgoi nga ata që sot janë të arrestuar për krime, apo nga disa hajdutë që i janë kthyer botës “akademyke”, por njëkohësisht ai ka përgjegjësi shumë të mëdha mbi shpatulla, sepse do veprojë në një situatë shumë të ndezur dhe të pasigurtë politike botërore.
Shpresoj se pas numurimit të votave të Diasporës, AAK e Haradinajt nuk do ta kalojë 5%, kështu që klasa politike e Kosovës do pastrohet edhe më shumë.
© Hajro Çini - Toronto












