Përmes frikësimit ata blejnë heshtjen
- Nga: Jeta Dedja
Kush merret me protesta e di mirë se si po shkon prirja e pjesëmarrjes së njerëzve në to. Dhe sigurisht që edhe një përgjigje e ka për pyetjen pse. Nuk vjen prej indiferencës, jo, shqiptarët nuk janë popull indiferent, përkundrazi janë kaq të interesuar për gjithçka ndodh në vend e botë, sa që nuk krahasohen me popuj të tjerë. Por unë mendoj se shqiptarët çdo ditë e më tepër janë të frikësuar e të pashpresë. Prandaj ata, (ndërkohë që mendojnë ikjen) çdo ditë e në vazhdim po zgjedhin të heshtin publikisht dhe të mos guxojnë, dhe heshtja e tyre vjen prej frikës.
Kjo nuk tregon se jemi një popull burracak, por ama jemi të frikësuar deri në palcë për të ardhmen që nuk ofron asnjë siguri. Përfytyroni sikur ndodheni në një ambient të panjohur, në errësirë, me zhurma që vijnë nga çdo anë. Kështu janë shqiptarët sot. Ata nuk e dinë nga cila anë mund t’ju vijë e keqja dhe as momentin se kur do t’iu vijë ajo. Shqipëria është një vend i vogël, ku banorët e saj kanë njohje mes tyre që prej Konispolit në Vermosh. Është shumë e thjeshtë ti gjesh fijet e lidhjeve e për rrjedhojë të intimidosh dikë kur të ka shkelur në interesa. Aq më tepër nëse je njeri me pushtet ti e ke të garantuar suksesin për t’ia dalë t’ua mbyllësh gojën atyre që i ke punësuar në strukturat që po ti i udhëheq, dhe në mos atyre, ua mbyll të afërmëve të tyre. Dhe nëse dikush hap gojën e flet, thotë mendimin e tij, gjindja e sheh si mbinjeri. Uauu…ai guxoi t’ia kthejë njëshit..bravo..
Por edhe nëse këta nuk punojnë në administratë shtetërore, ai sërish ua gjen anën edhe në privat. Sigurisht që edhe privatin e ka në dorë. Të gjithë tek ai falen. Ai quhet pushtet, dhe ai peshon më tepër në një vend të vogël. Në këtë vend të vogël është kaq e lehtë të kontrollosh gjithçka. Edhe kur ua mbyll gojën përmes marrëveshjeve klienteliste sërish pushteti ka bërë marifetin e frikësimit. E ka mësuar se ashtu, duke shtirë frikën i zgjidh më shpejt. Frika ruan vreshtin thotë populli dhe pushteti mençurinë e këtij populli e shfrytëzon herë pas here, me ata që ka nën hyqm, ashtu siç shfrytëzon edhe injorancën e popullit për të zhbërë me rradhë gjithçka të vlerë.
Frika ka blerë heshtjen e politikës e të popullit, frika ka blerë besimin njëlloj si dhe shpresën. Kjo qenka tragjedia e popullit shqiptar, të jetojë nën diktatura të instaluara nga kultura e frikës. Burgosja e psikikës së një kombi është arritja më e madhe e një sistemi qeverisës, sigurisht atij më të keqit.
I mjeri popull, të mjerët edhe ata ministra, deputetë a politikanë të pazë, fatkeqësisht besojnë se heshtja i mbron, familjen, fëmijët, veten, punën, sigurinë, mirëqënien. A është kjo ajo që duan?
Por a e dini se nuk janë politikanët ata që vendosin për një popull se çfarë është e mira dhe e keqja? Nuk janë 75 njerëz me kartona në duar që përfaqësojnë miliona të tjerë. Këtë fuqi për të ngritur kartona këta njerëz nuk e kanë të tyren. Ua kemi dhënë ne. Pra është e vërteta jonë, zëri ynë ai që duhet të ngrihet mbi nivelin e ca karrigeve në një parlament. Nëse do kemi frikë, Shqipëria, bashkë me kullat e saj, do t’u mbetet trashëgim bosëve të dollarit. E ne do t’i kthehemi rutinës me kafe e llafe, lloto e ndeshje botërori.











