Kolumnist

Ditë tërmetesh

Nga: ARTAN FUGA

Më ka dhemb deri në palcë teatri. Arti i arteve, filozofia e filozofisë, politika e politikave. Jo më kot e vranë.

Por Zoti gjithçka e bën për të mirë! Mjerë budallenjtë që kujtojnë ndryshe.

E deshi kështu.

Që demokracia shqiptare të lindte te studentet dhe të vdiste te teatri. Vdekje më të bukur nuk kish.

Te teatri, aty ku u bashkua tragjedia me komedinë.

Aty ku e vërteta shfaqet si lojë. Ku aktori social dhe aktori në skenë turbull përzjehen në një botë rolesh të paqartë.

E vdiq në një ditënatë tërmetesh me lëkundje paralajmëruese. Qyteti pa demokraci do ju përthithi në një gropë të madhe krater vullkani shkaktuar nga tërmeti.

Qyteti vetëvrasës. Lëkundja sizmike është imja o mëkatarë, tërmetin e prodhoni vetë, për mëkatet tuaja. Qyteti pa teatër me kulla do tu zërë brenda.

E deshi ta vriste ëndrrën duke rrëzuar teatër e ngritur kulla bina. Betoni kundër shpirtit. Simbol i qartë i degradimit që edhe fëmijët të qajnë nga qartësia që Zoti na dërgoi. Rrofsh o Zot.

Zoti e deshi që tre ish kryeministra të shprehen kundër. Më qartë nuk duhej. Pandeli Majko je në zemrën time. Më qartë Zoti nuk mund të na e jepte shenjën se kemi arritur fundin, pra do të ringrihemi. E shoh qartë teknologjinë e ringritjes. Me Markun e thamë te Panorama dje.

E tha qartë.

Me një ministre hipur në ekskavatorin e pushtetit që nuk i takon, po kthen në qereste art, kulturë, trashëgimi.

E fshirë nga ndërgjegja.

As hunët nuk na kanë sjellë këtë rrënojë që po i sjellim vetes.

Prisja të paktën abstenim, se më shumë as shpresoja, nuk mund të ngrejë dorën e shkatërrimit nëpunësi që i kanë besuar krijimin.

Çfarë thua!!!

Ik, ik, ik,

Bërtas në ëndërr me tërmet. Një hije lëviz në makth.

Shporru fantazëm e antikulturës nga bota shqiptare!

Ik të mos mbetesh pa falje. Futu në manastir kallogre, e lutu pa fund, shekuj të përbuzin.

Vetë Zoti na e ka sjellë si mallkim, por dhe e si dritë transcedente për të parë qartë ferrin ku jemi futur.

O Zot si na dole borxhit? Si na e solle vdekjen e vlerave në agoni prej dekadash një ditë tërmeti!

Si atë ditë kur Ai mbi kryq Zoti nxiu qiellin.

Dhe e dha shenjën e ringritjes

 

Tagged under Artan Fuga