Të shkosh, a të mos shkosh në Shqipëri?
- Nga: Redaksia
Mëmëdhe quhetë toka
ku më ka rënurë koka,
ku kam dashur mëm'e atë,
ku më njeh dhe gur' i thatë
Kur vjen vera, na kap një mall i pafund për t’u kthyer në atdhe. Në këtë periudhë na kujtohet edhe më shpesh Çajupi dhe sigurisht i japim edhe më tepër vlerë mallit tonë dhe të tij.
E duam vendin e lindjes, vendin e origjinës të të parëve, vendin ku u rritëm, edukuam, ku hodhëm hapat e parë, ku folëm shqipen e vjetër e të çmuar. Ka shumë arsye që duam të kthehemi në atdhe, po aq arsye ka edhe që na mbajnë larg tij. Kur shkojmë për pushime e dimë që në fund të sezonit do jemi bërë pishman e sërish ne kthehemi e kthehemi aty ku na ka rënur koka.
Kur shohim e lexojmë lajmet nga atdheu, shtangemi dhe mendohemi dy herë. Të shkojmë a të mos shkojmë?
A ia vlen të harxhojmë kohën dhe paratë në Shqipërinë tonë të dashur? A nuk do të ishte më mirë që ata pak njerëz të afërt që na kanë mbetur t’i takonim diku në Evropë. Apo ende balta është më e ëmbël se mjalta në Shqipëri??
Shohim që në bregdet ka mungesë uji të pijshëm, kufizime të energjisë elektrike.
Lexojmë në portale vrasje në lokalet e natës, aksidente në qytete turistike, pastaj për çmimet e shërbimet nuk po flasim fare.
A është e sigurt Shqipëria sot, apo duhet të kemi frikë ku të drekojmë apo të pimë një kafe?
A janë të sigurt fëmijët në plazhe, apo duhet të mbajmë frymën e të shërbejmë si roje bregdetare?
A ka pastërti, apo duhet të marrim ilaçe me vete, e pse jo “të prenotojmë” edhe ndonjë mjek e infermier për siguri.
A ka ambiente ku mund të relaksohesh si për pushime vere, apo kudo do ndeshesh me kontrastet e jetës shqitpare që të bëjnë të trishtohesh se pse vendi yt i dashur është në këtë gjendje në 2018?
A kanë siguri ushqimet në Shqipërinë ku mishi shitet i varur rrugëve, dhe peshku qelbet erë në karroca në pikë të diellit?
A ia vlen të shkosh në Shqipëri apo duhet të presim ende derisa vendi të përmbushë standardet e BE?
E megjithatë ne vazhdojmë të shkojmë në mëmëdhe prej mallit të pandarë, duke u dhënë kështu edhe arsye qeverive të mburren me shifrat e turistëve.
©Flasshqip.ca












