Kolumnist

Rreth e rrotull qytetit-Nga Jeta Dedja

Nga: JETA DEDJA

Sigurisht që ti i ke rënë rreth e rrotull qytetit ku jeton, por pse jo edhe Shqipërisë. Nëse ke kaluar në Tiranë pranë Akademisë së Shkencave, së cilës mund t’i admirosh hekurat dhe jo shkencën që u ka mbetur sirtarëve, ose le të themi parlamentit meqënëse rreket më tepër si emër sesa shkenca, ndoshta ke vënë re që kuqëlojnë dy kyçe të mbërthyer në kangjella.

Ke vënë buzën në gaz, "me siguri një çift ka lidhur dashurinë"- ke menduar ti pozitivisht. Është një zakon i praktikuar në disa vende të botës.

Por, ndërkohë, veshjen e degëve me këpucë nuk e ke parë gjëkundi tjetër, apo jo? Çfarë simbolike duhet të ketë vallë?

Nuk mund të flasësh figurativisht nëse bëhet fjalë për femrat vetëm se këpucët janë me taka. Jooo! Do të tregoheshe i/e padrejtë ndaj meshkujve që i përdorin. Kështu që lëre një çështje të hapur, siç është edhe prirja e shoqërisë në këtë shekull.

E më tej ke shqyer sytë kur në një lartësi me kokën tënde të lidhur në shtyllë ke vënë re një biçikletë. Madje edhe me policë sigurimi.

Dhe ti e di që kjo biçikletë është kyçyr aty më tepër prej frikës. Po po, prej frikës se dikush mund të të marrë diçka që ti e ke. Eh, po, mund edhe të interpretohet edhe si kyçje dashurie kur njerëzit vënë në punë fantazinë për të mbrojtur pronën e tyre të dashur, duke patur parasysh që garazhe apo stacione për biçikleta si në Hollandë ende nuk janë krijuar.  

Sepse as hudhra nuk do bënte derman t’i mbante larg hajdutët, prandaj zakonisht atë e shohim të varur në vargje ose si kokërr nëpër dritare a ballkone për të larguar të keqen.  

Dhe meqë je në ballkon, hidhi një sy pamjes përballë. Shikoje pak këtë elektriçistin a teknikun e kabllove. Duhet të shpallet hero nëse arrin t’i shkoklavisë ato tela, kabllo a fije elektrike.  

Dhe nëse nuk ia del këtu, të paktën t’i themi t’i japë një dorë këtyre banorëve që dikush ua ka instaluar keq kondicionerin.


Kur të futet brenda t'i heqë këpucët, por duhet ta porosisim që të mos i varë në degët e bimës së tharë. Se mund të ndodhë të vijë policia bashkiake e t’ia fluturojë në rrugë për zënie të pronës publike,

 

siç bën me tregëtarët ambulantë të misrit, luleve apo fiqve, pa trembur as qentë e rrugës që pushojnë në trotuar në pritje të ligjit për trajtim më dinjitoz se ndaj këtyre shitësve.

 

Madje duhet t’i themi edhe këtij djaloshit të mos hutohet shumë rrugëve duke parë fëmijët e tjerë të lumtur që luajnë me lodra. Të vrapojë se mos policia ia sekuestron plehrat pasi i ka hyrë në pjesë firmës së përpunimit të mbetjeve.

Sepse ky fëmijë duhet ta dijë, që vëmendjen e policisë nuk e tërheq për shkak të moshës së tij të njomë e endjes rrugëve, por vetëm për shkak të konkurencës së pandershme që ai përfaqëson.  Urojmë që t’ia tërheqë vëmendjen Kryeministrit të vendit meqënëse paskan atlete të ngjashme, por dyshojmë shumë që Rama ta pikasë, nga dritaret e shtëpisë së tij është e pamundur diçka e tillë.

 

Prandaj djalosh i vogël, ktheji sytë nga librat, rregjistrohu në bibliotekë që t’ia dalësh, anipse do presësh ca, derisa librat të thahen mirë.

Se po nuk mësove, vërtet që do mundesh të blesh hotele në plazh, por ti do shkruash kështu: 

Prandaj mbaje mend mirë “Gomarin nga balta vetëm i zoti e nxjerr”…oh, më falni, ndonjëherë mund të nxjerrë edhe lopën nga liqeni.

Shënim: Ky shkrim është ndërtuar bazuar në fotot që miqtë e mi në Facebook kanë postuar muajt e fundit. Faleminderit syrit vëzhgues të tyre për shkrepjet ose gjetjet interesante.

©FlasShqip.ca

Tagged under Jeta Dedja