Kolumnist

Kush do ta drejtojë Evropën?

Nga: AURON DODI

55 vjet pas Marrëveshjes së Elizesë, Gjermania e Franca kërkojnë një marrëveshje të re, për të thelluar bashkëpunimin, por edhe për të zhvilluar BE. Me ardhjen e Emmanuel Macron-it në politikën evropiane diskutohet edhe drejtimi faktik i Evropës.

"Çfarë njerëzish" citohet të ketë thënë Presidenti francez Charles De Gaulle për gjermanët, duke parë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore në Stalingrad përmasat e shkatërrimeve të nazistëve. Dhe ishte pikërisht Charles de Gaulle që i njihte mirë fqinjët gjermanët, pasi kish kaluar mbi dy vjet (1916-1918) edhe si rob lufte i tyre, më se i ndërgjegjshëm për gjurmët e thella të armiqësisë shekullore mes Francës dhe Gjermanisë, që do të merrte inciativën për pajtimin e madh me Gjermaninë. Me Evropën në gërmadhat e Luftës së Dytë Botërore para syve, në shtator 1946 i pari ishte britaniku Winston Churchill i cili kërkoi që “hapi parë për rindërtimin e familjes evropiane duhet të jetë partneriteti midis Francës dhe Gjermanisë”.

Mes vizioneve largpamëse e interesave të padeklaruara nacionale

Por siç e përshkruan historiani dhe politologu i njohur francez Alfred Grosser, me rëndësi "thelbësore" për rindërtimin e Evropës ishte që De Gaulle aprovoi pas Luftës atë që kishte kundërshtuar më parë si opozitar: ndërtimin e një Evrope të përbashkët dhe "rëndësinë parimore të marrëdhënieve gjermano-franceze". Ndërtimi i një të ardhmeje pa konfliktin e vjetër me fqinjin ra në tokë pjellore në shpirtrat evropianë të dërrmuar nga shkatërrimet e luftës së fundit botërore, në Francë, por edhe në Gjermani.

Vizita e De Gaulle në Bonn në shtator 1962, fjalët e tij në gjermanisht nga ballkoni i bashkisë së Bonnit se ushqente "vlerësim për popullin e madh gjerman, për Gjermaninë e madhe", zgjuan entuziazëm për kohë të reja, në Gjermani dhe gradualisht gjerësisht edhe në Francë. Në këtë frymë, shpejt pas kthimit të De Gaulle në atdheun e tij përfundoi hartimi i një traktati, i një “marrëveshjeje miqësie” midis Francës dhe Gjermanisë. Ajo u nënshkrua më 22 janar 1963 në Pallatin Elize. Miqësia personale që lidhi prej takimit të parë De Gaulle vizionar dhe kancelarin fjalëpak gjerman Konrad Adenauer, shërbeu që mosmarrëveshjet dhe motivet e padeklaruara të mos pengonin pajtimin e madh mes kombeve.

Një nga synimet e De Gaulle, siç pohohet nga shumë historianë, ishte që ta shfrytëzonte një Evropë të fortë dhe të bashkuar për të forcuar pozicionin (e dëmtuar edhe nga luftërat në kolonitë franceze) të “Grande Nation”, të vendit të tij në botë. Në këtë kuadër e kundërshtoi ai më vonë edhe pranimin e Britanisë së Madhe në Komunitetin Evropian. Kurse Gjermania Perëndimore ishte e interesuar të bëhej pjesë e bashkësisë së civilizuar të kombeve evropiane, që ishte tepër skeptike ndaj saj, për shkak të barbarive naziste në Evropë. Nën presionin e një agresioni sovjetik ndaj Evropës, Gjermanisë i qe lejuar pesë vjet pas luftës të riarmatosej, por sovraniteti gjerman administrohej krejtësisht nga fuqitë pushtuese.

Pas Luftës së Dytë Botërore dhe përvojave me nazizmin, Gjermania Perëndimore, u ngjiz që në krye dhe u konceptua nga amerikanët me një antipati ndaj çdo modeli centrist, të favorizuar nga Franca. Ky është një nga shpjegimet, pse në ratifikimin e Marrëveshjes së Elizesë, Bundestagu i shtoi Marrëveshjes një preambul, ku dilte në pah mbështetja e një mendësie multilateraliste: në preambul theksohej vullneti për forcimin e NATO-s dhe shpresa për një anëtarësim të Britanisë së Madhe në Komunitetin Evropian. Ushqeheshin nga një besim i vërtetë tek miqësia apo ushqeheshin thjesht nga pragmatizmi vizionet e pasluftës për marrëdhëniet midis dy shteteve më të fuqishme të Evropës, kjo sot është e vështirë të përcaktohet, por edhe ka pak rëndësi. Shumë vite më vonë, në një kontekst tjetër, De Gaulle do të thoshte se në jetën e tij kishte bërë "shumë herë "sikur" dhe shumicën e herëve ka funksionuar".

Në themel të pajtimit: Marrëveshja e Elizesë

Sidoqoftë, marrëveshja e Elizesë, i hapi rrugë një dinamike shkëmbimesh dypalëshe, që rezultoi me rëndësi vendimtare për pajtimin e dy kombeve. Themelimi në këtë kuadër i Zyrës Gjermano-Franceze të Rinisë bëri që brezat e rinj në Francë e Gjermani të njohin gjerësisht, në kontakte të drejtpërdrejta reciprokisht njëri-tjetrin. Të rinjtë punojnë me sukses në përmasa të gjera dhe joformalisht për rrëzimin e paragjykimeve. Politikisht, takimet e nivelit të lartë deri në mbledhje të përbashkëta të kabineteve qeveritare në Paris dhe në Berlin, janë kthyer në normalitet. 

Sot konsiderohet e vetëkuptueshme që ministrat e dy vendeve të takohen rregullisht, siç e përcakton kjo marrëveshje e vitit 1963. Një veprim normal është që në takime të tilla ata të propagandojnë pikëpamjet vetjake e të gjejnë kompromise. Edhe pakënaqësitë reciproke në to diskutohen më lehtë: gjermanët ankohen për pengesat burokratike, për masat proteksioniste me të cilat Franca izolon tregun e saj ndaj botës; francezët shprehih habi për frikën gjermane, se francezët duan ta zhvillojnë Evropën me para gjermane, duke i bërë gjermanët që ta financojnë këtë bashkim. Marrëveshja e Elizesë është një model suksesi, të cilit sot i referohen në Evropë. Inicimi nga Berlini më 2014 i procesit të Berlinit, që synon ndër të tjera afrimin e bashkëpunimin mes shteteve të Ballkanit, orientohet shprehimisht te pajtimi historik i Gjermanisë me Francën.

55 vjet më vonë kërkohet një marreveshje e re bilaterale 

55 vjet pas Marrëveshjes së Elizesë në Berlin dhe në Paris nuk shohin alternativë tjetër veç thellimit të bashkëpunimit. Fryma antigjermane e pranishme te shumë socialistë francezë jo më larg se pesë vjet më parë, kur Gjermania me konceptet ekonomike të kursimit në Evropë shpallej fajtore për lëngimin e ekonomisë franceze, sot duket e harruar. Në 22 janar 2018 paradite, në Berlin foli para Bundestagut Presidenti i parlamentit francez, Fransua de Ryzhi. Pasdite për thellimin e miqësisë foli në Paris, Presidenti i Bundestagut gjerman, Wolfgang Schäuble. Në përkujtim të 55 vjetorit të marrëveshjes mes Konrad Adenauerit dhe Charle de Gaulle, shkoi në Paris edhe kancelarja Angela Merkel. Në këtë kuadër u përsërit edhe nevoja për zgjerimin apo për një marrëveshje të re midis Gjermanisë e Francës. Kjo ka kohë që kërkohet, por qeveria aktuale franceze, shumë ministra të së cilës janë njohës të mirë të gjermanishtes dhe Gjermanisë, duket se do ta mbështesë këtë hap.

 Për një marrëveshje të re, mes Gjermanisë dhe Francës ka disa arsye: zhvillimi i mëtejshëm i Eurozonës dhe sistemi evropian i mbrojtjes duan përgjigje të reja, për të cilat dy shtetet drejtuese të BE pajtohen më lehtë se një tërësi 27 shtetesh të BE. Si utopi u duket disa analistëve në Gjermani plani që marrëveshja e re bilaterale të hapë rrugën për një legjislacion të përbashkët për tatimin. Gjermania dhe Franca duan të përafrojnë kuotat e tatimit të sipërmarrjeve në të dyja vendet. Sidoqoftë, BE ka nisur dhe gjithmonë është zhvilluar përmes bashkëpunimit Gjermani-Francë. 

Macron – Lideri i Evropës së ardhshme?

Kancelarja Merkel tha në Davos të Zvicrës se me zgjedhjen e Macron në Francë në BE ka ardhur një vrull i ri. Dhe padyshim, me Emmanuel Macron, Gjermania ka tani në Francë një partner në të njëjtin nivel me veten. Macron njëkohësisht ka treguar me veprimet e tij që prej zgjedhjes President se është i ndërgjegjshëm që Evropa nuk drejtohet dot pa Gjermaninë. Kaq i ndërgjegjshëm është për këtë, sa fjalimin që mbajti vjet në fund të shtatorit në Sorbonë me vizione për Evropën ia nisi paraprakisht për ta lexuar kancelares Merkel. Dhe kish bërë nja dy modifikime me dëshirën e saj. Këtë ai e tregoi vetë në një intervistë me mediat gjermane. Njëkohësisht Macron nuk harron të kujtojë se Franca është e vetmja fuqi atomike e Evropës kontinentale. Dhe anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Por Gjermania është ekonomia më e madhe dhe më e fuqishme e BE. Dhe ngjizja e Evropës së re, krijimi i Komunitetit Evropian nisi me ekonominë, me krijimin e komunitetit të Çelikut dhe Qymyrit mes Francës e Gjermanisë.

Macroni ka ritheksuar se BE është një projekt politik. Nga ana tjetër, roli politik i Gjermanisë është forcuar gjatë krizës së eurozonës dhe krizave të fundit në botë. Dhe në vitet e dobësisë së Francës. Se kush do ta drejtojë Evropën në të ardhmen, kjo mbetet të shihet. Ndoshta një kombinim i aftësive, i vizioneve të Presidentit Macron dhe i pragmatizmit të kancelares Merkel mund të jetë një zgjidhje e mirë për Evropën.

 

Marrë nga Deutche Welle Shqip