Kolumnist

Grua! - Nga Jeta Dedja

Nga: JETA DEDJA

Grua, ti je e kudondodhur, njëlloj si dashuria që ti frymon, edhe pse jo gjithmonë ke ardhur në jetë prej dashurisë. 

Diku të kanë dhunuar e braktisur me një fëmijë në gji a në bark, diku tjetër mund të mos jetë shkrepur pushka kur ti ke ardhur në jetë pas thirrjes “është vajzë!”.
 
Diku je rritur me ndrojtjen dhe fajin pse je vajzë, diku me krenarinë e babës që ka çikën e shkathët si djalë, diku mes shprehjes ”kush ka goca, botën ka”.
 
Në varësi të asaj që të është thënë përgjatë viteve për gjininë, ti ose e ke përmbysur ose përmbushur profecinë. Në një zonë të kanë mësuar qëndisjen, në një tjetër gatimin, diku heshtjen, diku leximin.
 
Ti vetë ke kërkuar të bësh sportin, artin, ushtrinë e mjekësinë duke marrë në zotërim rolin gjinor që ndoshta dikush tjetër do ta vizatonte modelin perfekt me bikini ose përparëse kuzhine.
 
Ti ke dëshiruar ca herë të ishe djalë, jo për arsye mposhtjeje nga dhimbjet fizike, as prej lëndimeve, por më tepër si zgjidhje
ndaj nënvlerësimeve dhe padrejtësive vetëm sepse të kanë konsideruar "seksi i dobët".
 
Ti ia ke dalë të mos jesh "e dobët" qëkur ende arrin t'u mbijetosh dhunimeve të lirive e të të drejtave. Apo kur u ngjitesh majave të sukseseve.
 
Ti grua je shumë më tepër se një ditë, shumë më tepër se një festë, shumë më
shumë se një kauzë.
 
Forca jote buron tek dashuria e asaj gruaje që derdhi lotët pas të qarës tënde dhe tek mendimi i gjithë atyre grave që nuk lejuan të përkufizohen as nga biologjia, as ligjet, paragjykimet, apo politikat.
 
Prandaj thyeji kornizat që ndërtojnë për ty. Ti nuk ke lindur të varesh në ndonjë mur.
8 Marsi ta kujton këtë çdo vit, por ti duhet ta ndjesh çdo ditë!

@JetaDedja