Mbi lumturinë!

- Nga: JETA DEDJA
A keni dëshiruar gjithmonë që jeta juaj të ishte e mbushur me lumturi? A nuk ua urojmë edhe të tjerëve këtë në raste ditëlindjesh apo festash fundviti? Kur flasim për lumturinë ose kur e urojmë atë, kemi ndërmend gëzimin ose kënaqësinë që përjeton njeriu, që mund të zgjasë një çast por edhe më shumë. Kemi parasysh pikërisht atë gjendje emocionale fantastike me kokën që vlon nga mendimet pozitive, optimizmi dhe dëshira për jetë. Lumturia nuk është e thënë të shprehet me fjalë, për të treguar se po e shijon.
Ajo është një eksperiencë e brendshme, e cila mund të ketë disa nivele, që nga kënaqësia e lehtë deri te euforia çmendurake. Ndoshta në këtë fazë mund t’ia niset këngës apo valles. Sepse ngazëllimi nuk përmbahet dot brenda vetes. Kur je i lumtur i gëzohesh jetës në çdo aspekt. E keni ndjerë se gjithçka të duket më e lehtë, më e thjeshtë kur je i lumtur sesa kur jeni nën trishtim? Dhe a e keni kuptuar se i zgjidhni problemet pa vështirësi kur jeni nën efektin e lumturisë? Kjo e ka një shpjegim. Ashtu si depresioni ka rrethin e tij vicioz, edhe lumturia ka rrethin e saj të dielltë.
Ti shkëlqen hare dhe hareja të sjell lumturi. Njerëzit e lumtur janë edhe më të dashur dhe më të këndshëm në shoqëri. Kush nuk e do një grua apo bashkëshort optimist? Kush nuk e do një mik apo mike që e frymëzon me pozitivitet? Dhe nëse dikush do ngrinte pyetjen nëse kemi ndonjë përfitim nga lumturia, do ti thosha që jo vetëm unë mendoj se po, por edhe studiuesit e universiteteve në botë e kanë gjetur se njerëzit e lumtur janë optimist, dhe optimizmi i çon drejt arritjeve dhe sukseseve në jetë. “Mirë mirë, kjo është njëlloj si të ushqehesh me lugën bosh-do thotë dikush. -Njerëzve sot u del nga shpirti dëshira dhe urimi për më shumë pasuri”. Dhe nëse u plotësohet kjo dëshirë, a do mundet ta blejë paraja lumturinë? Ju kujtohet filmi “Propozimi” me Demi Moore dhe Robert Redford? As një milion dollarë nuk e bënë dot të lumtur gruan e joshur për disa ditë, në krahasim me emocionet e përjetuara gjatë viteve me njeriun që e motivonte përmes dashurisë.
Atëherë të lumtur të bën dashuria? Dashuria është motiv, burim, frymëzim dhe lumturia është në krah të saj. Por a mjafton vetëm dashuria? Të jemi të sinqertë, pavarësisht romanticizmit, dashuria e vetme venitet, dhe lumturia bashkë me të.
Ok, e gjetëm është familja, janë njerëzit që duam. Dikush që u ngrys i pasur dhe nuk pati familje me të cilën ti gëzonte në prag të vdekjes ka thënë “jetova si mbret e po vdes si qen”. Janë miqtë?! Më mirë një mik sesa një çiflig ka thënë populli. Dhe vërtet, jeta pa familje, pa miq në vetmi është e varfër edhe për pasanikun më të madh. Por nga ana tjetër është gjetur që familjet e varfëra nuk ngazëllehen pranë sofrave të pangrënë. Dhe njerëzit që e kalojnë gjithë ditën me shoqëri nuk është se janë më të lumturit.
Po atëherë ç’duhet? Mos duhet të fitojmë telebingon? Një studim mes fituesve të lojrave të fatit dhe të mbijeturarve nga aksidenti ka treguar se këta të fundit raportonin më tepër lumturi se të parët. Kjo do të thotë se as vetëm paratë të fituara me një kërcitur të gishtave nuk sjellin lumturinë e pritur. "Shëndeti në rradhë të parë",-arrijmë shpesh në përfundime gjatë bisedave halleqarëse të përditshme. Por edhe shëndeti që të mirëmbahet ka nevojë për më tepër se fat.
Në kundërshtim me idenë e pasurisë, ka edhe nga ata që lumturohen duke u dhënë të tjerëve edhe nëse nuk kanë shumë para. Gjendja pozitive, kënaqësia e madhe që krijohet nga akti i dhurimit, ose dhënies së ndihmës ndaj dikujt, të ngarkon me çaste të lumtura, të cilat për dikë mund të vlejnë miliona dollarë. Po pra po, por edhe këta lloj njerëzish shpejt do mbeten thatë.
Dhe si përfundim asgjë nuk është e rëndësishme më vete. Të gjitha bashkë na plotësojnë jetën. Por renditjen e keni vetë në dorë. Aty është çelsi i lumturisë. Familja-dashuria-mirësia-paratë-shëndeti-lumturia apo anasjelltas?
Ju zgjidheni rrugën drejt saj!
©JetaDedja