Kolumnist

Të dënohesh me errësirë!

Nga: JETA DEDJA

Një rast më tepër për t’u tallur me varfërinë ky i sotmi. U shpall botërisht që gjithë dynjaja (në Shqipëri) duhet të ketë televizorë me marrës digjital, e për rrjedhojë edhe dekodera.

Nuk e kuptove ti gjysh, as ti nëna? Ok, shkurt, ju nuk do të mund të shihni as lajme as telenovela, nëse djali apo vajza nuk j’ua ndërron televizorin e vogël me një të madh e t’ju shtojë ca detyra shtëpie për të mësuar përdorimin e pajisjeve. Sa kushton? Epo edhe po i patët paratë nuk mund të blini ato që kushtojnë më pak se të tjerët, se nuk ka në treg. Domethënë për shumë familje kushtojnë sa e gjithë asistenca që marrin. Për ju që j’ua blejnë fëmijët në emigracion edhe mund të tingëllojë çmim i ulët një dekoder që shitet nga kompanitë e preferuara të qeverisë. Ju doni të dini arsyen? Aha, epo qeveria ka vendosur t’ua mbushë xhepat sërish atyre që i kanë plot dhe t’ua zbrazë ose më mirë t’ua heqë xhepat nga përdorimi njerëzve të tjerë. Sepse kjo botë kështu po ndahet: Në “Ata që kanë gjithçka” dhe “Të tjerët”.

Edhe nëse ankohen të varfrit që s’u punojnë televizorët, do tallen zengjinët duke u thënë po ju s’keni lekë për bukë, ç’ju duhet televizori? Se kështu janë tallur dhe kur u rritën taksat e makinave, edhe të karburanteve, edhe tarifat e celularëve. I varfri nuk duhet të ankohet për këto salltanete që u takojnë të pasurve. Të kesh mjet informimi dhe edukimi në shtëpi sot duhet të kesh të ardhura mbi mesatare. Një familje me të ardhura nën mesatare duhet të jetojë në mjerim. Po si mund të jetojë një familje në Shqipërinë që lulëzon, pa e parë shkëlqimin e vendit bashkë me shkëlqimtarët e tij në televizor? Vallë suksesi do t’u shijojë aktorëve politikë pa patur spektatorë? Tashmë as marrëdhëniet mes fqinjëve nuk janë më si dikur që të shkohet në shtëpinë e tjetrit për të parë televizor. 

Një rast më tepër ky i sotmi për t’u tallur me njerëzinë. Edhe sikur një person i vetëm të mos kishte mundësinë e një dekoderi, errësira e sotme do të ishte tallje e hapur me shtetasin e tij dhe shkelje e të drejtave themelore. Duket sikur në emër të oligarkëve qeveria po dënon popullin e saj me errësirë. 

Tashmë televizorët e thjeshtë nuk hyjnë më në punë. Nuk di nësë shpirti krijues i shqiptarit do të mund t’i shndërrojë në diçka tjetër, ose thjesht do t’i ruajnë si relikte siç kam ruajtur unë një radio “Iliria” nga e kaluara komuniste. Ajo ende punon, ndoshta për të më treguar se e kaluara nuk është edhe aq e largët dhe se ajo mund të kthehet apo rilindë në forma të ndryshme.

Shënim: Ky shkrim është publikuar më datë 10.09. 2018, vetëm pak orë pasi Autoriteti i Mediave AudioVizive (AMA) kishte fikuar antenat e transmetimeve analoge. Pas 24 orësh terri informativ për mijëra qytetarë, reagimeve publike të qindra të tjerëve, AMA rikthen transmetimet analoge deri më 15 janar 2019, kur “do të fiken për herë të dytë, e kësaj here përgjithmonë”-bën me dije kreu i institucionit Gentian Sala.

Por ky reagim vjen pas rradhëve të gjata të qytetarëve në dyqanet ku shiteshin dekodera. Nuk dihet nëse shtyrja erdhi për shkak të pamjaftueshmërisë së dekoderave, apo sepse AMA kuptoi se ishte në shkelje të të drejtave kushtetuese të shqiptarëve, apo ky ishte eksperimenti i rradhës i fushës së psikologjisë sociale, ku testohen sjelljet e qëndrimet e shqiptarëve përballë autoriteteve??!!

Tagged under Jeta Dedja