Kolumnist

Amerika uber alles

Nga: Eric Margolis

Kjo ishte një javë e tmerrshme në New York. Trafiku u paralizua nga njëra anë e ishullit në tjetrën, ndërsa VIP-at dhe shoqëruesit e tyre u dyndën në qytet për hapjen e sezonit të vjeshtës të veprimtarive të Kombeve të Bashkuara.

Duke i keqësuar gjërat më tepër, Presidenti Donald Trump zgjodhi këtë rast për të kritikuar ashpërsisht shtetet që nuk i pëlqejnë, duke shfaqur një vrazhdësi  të paparë  që nga koha kur shefi sovjetik Nikita Hrushov përplasi këpucën e tij mbi tavolinë në Asamblenë e Përgjithshme në vitin 1960.

Trump rezervoi një helm të veçantë për manarët e tij të urryer, Iranin dhe Kinën. Lista e tij e gjatë e ankesave kundër Iranit thuhet se është shkruar nga ndihmësi i lartë Stephen Miller, një ekstremist i ashpër anti-musliman që flet me zërin e ekstremistëve të Izraelit.

Trump përsëriti doktrinën e tij të ultra-nacionalizmit amerikan. Nacionalizmi politik dhe ekonomik janë ne thelb të besimit të tij. Presidenti deklaroi se ai me të vërtetë e ka bërë Amerikën përsëri të madhe, çfarëdo qoftë ajo që nënkupton.

Fjalimi i presidentit u përshëndet nga të qeshura ironike nga Asambleja e Përgjithshme, e para në historinë e OKB-së.

Personalisht më kujtoi moton e famshme të Dr. Samuel Johnson, “patriotizmi është streha e fundit e të pabesëve.” Dhe me të vërtetë është.

Si dhe fjalët e profesorit të ndjerë britanik, A. P. Thornton: “Patriotizmi është platforma e parë e budallenjve”.

Patriotizmi është helm. Diktatorët, despotët, të çmendurit – si dhe shumë politikanë demokratë – e përdorin atë për të ndezur  pasionet popullore me qëllim që të rrisin fuqinë e tyre. Nuk ka asgjë të keqe te duash dhe respektosh atdheun. Kanadezët japin një shembull të shkëlqyeshëm të krenarisë së qetë kombëtare, pa valevitje të neveritshme apo të detyrueshme të flamurit.   

Por gjithçka është e gabuar kur shpërthejnë emocione toksike nacionaliste për të nxitur ndërtimin e perandorisë ose zhdukjen e popujve të tërë. Shikoni tmerret aktuale në Burma dhe krimet e fundit masive   në Bosnje. 

Si një ish-ushtar dhe korrespondent i luftës, unë ngurroj kur shoh të gjithë patriotizmin fallco të ngjarjeve sportive, himne të SHBA-ve, dhe propagandës pro-luftës në TV. Meqenëse i kam shkelur me këmbë shumë nga fushat e betejës së Luftës së Parë Botërore në të cilën vdiqën miliona njerëz, e urrej   hipokrizinë  patriotike që i dha fund  lavdisë së qytetëruar të para luftës,  të Evropës së shekullit të 19-të. Thirrjet idioteske në vitin 1914 “në Berlin” dhe “në Paris” na ndjekin akoma dhe sot. Versioni i tyre modern ishte “Kapeni Saddamin” dhe “bombardoni, bombardoni, bombardoni Iranin”. 

Trump, i cili e sheh veten më teper si një perandor sesa nje presidenti demokrat, vazhdon të insistojë për luftë me Iranin, i rrethuar nga kabineti i këshilltarëve pro-Izraelitë që e rrethojnë atë. Mbreti miliarder i lojërave të fatit, Sheldon Adelson është në kontrroll te kesaj situate pa dalë në skenë.  

Në një shpërthim të ri të paranojës se vet Presidenti Trump sapo deklaroi se Kina po përpiqej të manipulonte zgjedhjet e kësaj vjeshte. Me cfarë menyrë? Duke vendosur tarifa në eksportet bujqësore të SHBA-së në Kinë, për të ndëshkuar kështu shumë përkrahës të Trumpit në grupin e fermerëve.

Shto këtu edhe luftën ekonomike të Trumpit kundër Turqisë e cila burgosi  një pastor evangjelist amerikan të akuzuar për përfshirje në përpjekjen e grushtit të shtetit 2016 kundër qeverisë së zgjedhur. Ky zemërim i shpikur ishte qëllim i qartë për të kënaqur mbështetësit kryesorë evangjeliste të Trumpit. Pa marrë parasysh faktin se Amerika ishte duke perbuzur aleaten e saj te vjetër  Turqinë, ushtarët e të cilës kishin shpëtuar shumë GI të Amerikës gjatë Luftës Koreane 1950-1953 dhe i lejoi SHBA-të  të mbajnë armët bërthamore në bazën ajrore të Incirlik.

Për fat të keq, shumë amerikanë që asnjë herë nuk kanë parë luftë në vendin e tyre që nga viti 1865, janë shumë të etur për të ndjekur një rrugë drejt luftës, e cila parashikon nje fitore të largët dhe të padrejtë. Por tani, duke bombarduar të gjithë muslimanët e thjeshte dhe shkatërruar Lindjen e Mesme, shteti ynë i sigurisë kombëtare duhet të përballet me realitetin ogurzi që Shtetet e Bashkuara mund të   përplasen me armiqtë e vërtetë të mëdhenj siç janē Rusia dhe Kina. Kjo e bën të qartë kërcënimin e një konfrontimi bërthamor. 

Presidenti Trump, i cili shpërtheu ndaj Kim Jong-un të Koresë së Veriut "butoni im bërthamor është më i madh se i yti", nuk është piloti më i mirë për të udhëhequr kombin e tij përmes ujërave të rrezikshme. Në qoftë se nga njëra anë Trump ka disa këshilltarë të fortë - gjeneralët Mattis dhe Kelly – nga ana tjetër ai është i rrethuar nga një grup fanatikësh politikë, shumë prej të cilëve u tërhoqën nga rrënimi politik. Luftërat e panevojshme tregëtare dhe embargot e Trumpit mund të çojnë fare lehtë në luftëra te armatosura. Ne nuk kemi nevojë për nacionalizëm, ne kemi nevojë për një udhëheqje të mençur dhe të kujdesshme.

Përktheu nga anglishtja Ariola Mani