Pse trazohemi kaq shumë kur flasim për politikë?
- Nga: Çapajev Gjokutaj
Sa herë postoj ndonjë gjë për politikën, shfaqen edhe komentues që humbasin toruan dhe shkelin etikën. Shajnë majtas e djathtas, ndezin motorrët e gjuhës së urrejtjes, paçka se presupozohet që diskutimi bëhet mes miqsh, qoftë dhe virtualë.
Mbrëmë njera nga komentueset, emigrante përtej oqeanit, arrinte deri aty sa nuk i mjaftonte përbaltja e bashkëbiseduesve, por i kthehej edhe vendit të të parëve dhe e quante jo atdhe, por halédhé.
Duhet të jetë rëndë e të ketë probleme serioze me veten, mendova, për sa kohë përdhos gjera të shenjta si dheun ku të ka rënë koka dhe popullin mes të cilit je rritur e ke krijuar identitetin tënd.
Pastaj, lash mënjanë rastin skandaloz e nevrastenik dhe nisa të vras mendjen: pse trazohemi kaq shumë kur flasim për politikë e politikanë?
Mund të jetë punë modeli, thashë. Që nga vitet 1920, kur në nahijen tonë u shfaqën partitë politike, e deri më sot, politika ka qenë, jo aq ndeshje alternativash, sa përpjekje për t’i mbyllur gojën kundërshtarit. Me çfarëdo lloj mjeti: me vaj recini, plumba, shpifje, kërcënime, dëbime e internime, páre dhe gjithfarë aletesh të tjera, safí politike🤡
Dhe ne, populli i thjeshtë, kur shohim modele të tilla, gati të përjetshme, kreshpërohemi e ndyjmë gojën, sa herë na bie të flasim për politikë.
Por mund të jetë edhe punë psikologjie, thashë. Politika është si puna e sportit, më shumë se mendimin nxit emocionet. Dhe atje ku hyn tifozllëku, merr fund arsyetimi e argumentimi.
Acarimi ynë sa herë flasim për politikë mund të ketë edhe një shtytje materialiste, thashë pastaj.
Fatkeqësisht, për gati një shekull biznesi më fitimprurës në skërkat tona ka qenë dhe mbetet politika. Të rreshtuar në skalione të kësaj apo asaj force politike jemi sulur të marrim pushtetin e të bëjmë plaçkë. Secili sipas takatit: kush ndonjë tender a koncesion, kush ndonjë post a vend pune e kush ndonjë thes miell. Si bashibozukët qëmoti!
Dhe me që mbetemi vend i varfër e të mirat nuk mjaftojnë për të gjithë, i sulemi tjetrit si bisha-bishës.
Po ku ta dish, prirja për t’u acaruar sa herë flitet për politikë e politikanë, mund të ketë edhe arsye të tjera që mendja ime nuk i shquan dot.











